Vështrim i Përgjithshëm për Të Rejat
Qëllimi i Programit të Përparimit Personal
Programi i Përparimit Personal do t’ju ndihmojë të forconi besimin tuaj tek Jezu Krishti dhe dëshminë për Të ndërsa mësoni mësimet e Tij dhe i zbatoni ato rregullisht në jetën tuaj. Ai do t’ju ndihmojë të forconi edhe familjen tuaj të tanishme edhe familjen tuaj të ardhshme. Do t’ju ndihmojë të përgatiteni që të bëni e të mbani besëlidhjet e shenjta dhe të merrni ordinancat e tempullit. Dhe do t’ju përgatisë të jeni një anëtare besnike, kontribuese e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.
Programi i Përparimit Personal përdor tetë vlerat e Të Rejave që t’ju ndihmojë të kuptoni më plotësisht se cila jeni, përse jeni këtu në tokë dhe çfarë duhet të jeni duke bërë si bijë e Perëndisë për t’u përgatitur për ditën kur do të shkoni në tempull për të bërë besëlidhje të shenjta. Do t’ju ndihmojë të përgatiteni për rolet tuaja të ardhshme si grua, bashkëshorte, nënë dhe udhëheqëse besnike në mbretërinë e Perëndisë. Pjesëmarrja në Përparimin Personal ju mëson të merrni zotime, t’i kryeni ato dhe t’ia raportoni përparimin tuaj një prindi ose udhëheqëseje. Modelet që krijoni kur punoni për Përparimin Personal – të tilla si lutja, studimi i shkrimit të shenjtë, shërbimi dhe mbajtja e ditarit – do të bëhen zakone personale të përditshme. Këto zakone do ta forcojnë dëshminë tuaj dhe do t’ju ndihmojnë të mësoni e të përmirësoheni gjatë tërë jetës.
Kërkesa
Për ta plotësuar programin e Përparimit Personal, juve do t’ju duhet:
Të merrni pjesë rregullisht në mbledhjen e sakramentit (ku është e mundur).
Të jetoni standardet e broshurës Për Forcën e Rinisë.
Të plotësoni përvojat për vlerën dhe projektin për vlerën për secilën prej të tetë vlerave.
Të mbani një ditar personal.
Të frekuentoni seminarin ose të merrni pjesë në studim të pavarur (ku është e mundur).
Të lexoni rregullisht Librin e Mormonit.
Të shënoni dëshminë tuaj për Shpëtimtarin Jezu Krisht.
Pasi të përfundoni këto kërkesa, ju do të keni të drejtën të merrni Njohjen e Të Rejave pas një interviste për denjësinë me peshkopin tuaj ose presidentin e degës.
Nisja
Ju mund të filloni të punoni për programin e Përparimit Personal në moshën 12 vjeçare ose në kohën e pagëzimit tuaj nëse jeni në moshën mes 12 dhe 18 vjeç. Të rejat që nuk janë anëtare të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme gjithashtu mirëpriten që të marrin pjesë.
Kur të filloni, do të merrni një gjerdan në formë pishtari me logon si pishtar të Të Rejave në të. Mbajtja e këtij gjerdani tregon zotimin tuaj për të shndritur dritën tuaj dhe për të qëndruar për të vërtetën dhe drejtësinë.
Ftojini prindërit tuaj t’ju ndihmojnë për planifikimin dhe plotësimin e programit të Përparimit Personal. Ndarja e këtyre përvojave mund të forcojë marrëdhënien tuaj me ta. Nëna juaj ose një tjetër grua që është shembull për ju, mund të punojë me ju për Përparimin Personal dhe ju mund ta fitoni së bashku Njohjen e Të Rejave. Ju mund t’i përshtasni përvojat dhe projektet sipas rrethanave, interesave dhe nevojave tuaja personale me miratim paraprak të një prindi, një udhëheqëseje të Të Rejave, ose një të rrituri tjetër.
Përparimi Personal mund të jetë pjesë e gjërave të mira që po bëni në shtëpi, kishë, shkollë, seminar dhe në komunitet. Përdorni treguesin e lëndës në anën e pasme të këtij libri për të gjetur tema të veçanta për të cilat jeni e interesuar dhe për të mësuar se si mund të përdoren ato si pjesë e Përparimit Personal. Kujtoni të vlerësoni veten për gjithë gjërat e mira që bëni çdo ditë. “Nëpërmjet gjërave të vogla dhe të thjeshta gjëra të mëdha bëhen” (Alma 37:6).
Udhëzime
Ju do të plotësoni gjashtë përvoja (tre të kërkuara dhe tre me përzgjedhje) dhe një projekt dhjetëorësh në secilën prej shtatë vlerave të para të Të Rejave. Për vlerën e virtytit, do të plotësoni katër përvoja të kërkuara dhe projektin e kërkuar të leximit të Librit të Mormonit. Ju mund të filloni me cilëndo vlerë dhe të punoni në cilindo renditje.
Kur të keni plotësuar një përvojë për vlerën ose një projekt për vlerën, shqyrtojeni me një prind, një udhëheqëse ose një të rritur tjetër. Ai person duhet të shkruajë inicialet e tij tek përvoja e përfunduar në librin tuaj të Përparimit Personal. Mbani shënim përparimin tuaj në Fletën e Dokumentit të Përparimit Personal (shih faqen 77).
Përvojat për Vlerën
Rekomandohet që ju të plotësoni përvojat e kërkuara në një vlerë përpara se të kaloni tek përvojat me përzgjedhje në atë vlerë.
Me përvojat e përzgjedhura për vlerën, ju mund të shkruani deri në dy prej përvojave tuaja në secilën vlerë ose të përshtatni përvojat e dhëna që të përputhen me interesat, synimet ose rrethanat tuaja personale. Një prind, një udhëheqëse ose një i rritur tjetër duhet t’i miratojnë këto përpara se të filloni.
Projektet për Vlerën
Plotësoni përvojat e kërkuara në një vlerë përpara se të filloni projektin në atë vlerë, me përjashtim të vlerës së virtytit. Mund të filloni ta lexoni Librin e Mormonit në çfarëdo kohe.
Një prind, një udhëheqëse ose një i rritur tjetër duhet ta miratojnë çdo projekt për vlerën përpara se të filloni.
Ju mund të ftoni të tjerë t’ju ndihmojnë për projektet tuaja për vlerën, por secili projekt duhet të marrë si minimum dhjetë orë prej vetë kohës tuaj.
Ritmi dhe Njohja
Ju mund të punoni sipas ritmit tuaj, por ju gjithmonë duhet të jeni duke punuar për të paktën një përvojë ose projekt. Rekomandohet sa më poshtë:
Përfundoni të paktën një përvojë në muaj dhe një projekt çdo gjashtë muaj (dy projekte në vit).
Frekuentoni rregullisht mbledhjen e sakramentit dhe merrni pjesë në seminar (ku është e mundur).
Takohuni të paktën çdo vit me një anëtar të këshillit tuaj të peshkopit për të diskutuar suksesin tuaj në Përparimin Personal, përpjekjet tuaja për të jetuar standardet tek broshura Për Forcën e Rinisë dhe çfarëdo pyetje tjetër që mund të keni.
Kur të jenë plotësuar të gjitha përvojat dhe projekti për një vlerë, udhëheqësja juaj do ta njohë arritjen tuaj në një mbledhje Të Rejash dhe do t’ju dorëzojë një emblemë që duhet të vendoset në faqen e Arritjes së Vlerës së Përparimit Personal në këtë libër (shih faqen 78) dhe një shirit që duhet të vendoset në shkrimet tuaja të shenjta.
Ju do të keni mundësinë të ndani çdo vit arritjet tuaja në Përparimin Personal tek aktiviteti Të Rejat në Shkëlqim.
Suksesi juaj në Përparimin Personal mund të vihet re gjithashtu kur të merrni certifikatat tuaja të Kosheres, Mia-Meidit dhe Dafinës ndërsa kaloni nga klasa në klasë.
Përmbushja e Përparimit Personal
Kur të keni plotësuar të gjitha përvojat dhe projektet për vlerat e Përparimit Personal, shënoni dëshminë tuaj për Shpëtimtarin Jezu Krisht në faqen 79. Shqyrtoni seksionin “Njohja e Të Rejave” të këtij libri me një prind, një udhëheqëse ose një të rritur tjetër (faqe 76). Pastaj planifikoni një intervistë me peshkopin tuaj që ai të mund të nënshkruajë rekomandimin në faqen 82 dhe të organizojë dorëzimin e certifikatës dhe medaljonit tuaj të Njohjes së Të Rejave.
Rekomandohet që ju të punoni për Përparimin Personal gjatë gjithë kohës që jeni tek Të Rejat, edhe pasi të keni fituar Njohjen e Të Rejave. Sugjerime se si të vazhdoni përparimin gjenden në seksionin “Çfarë të Bëj Kur të Përmbush Përparimin Personal?” (faqe 83). Shqyrtojeni këtë me një prind, një udhëheqëse ose një të rritur tjetër. Ju mund të zgjidhni të fitoni një varëse Bletë Nderi që ta vendosni në gjerdan bashkë me medaljonin tuaj, ose mund ta filloni sërish të gjithë programin. Ju nxiteni gjithashtu të ndihmoni të reja të tjera për Përparimin e tyre Personal. Duke e vazhduar përparimin tuaj, ju do të qëndroni në shtegun drejt tempullit dhe do të zhvilloni cilësi që do t’ju ndihmojnë gjatë tërë jetës suaj.