Pionierë në Çdo Vend
Kërkimi për një Kohë të Gjatë i Majkëllit
Majkëlli pyeste veten se cila kishë ishte e vërtetë.
Majkëlli hodhi mbi sup çantën e shpinës. Ishte dita e parë e shkollës dhe mezi po priste. Ai me familjen e tij jetonin në Indi. Shumë fëmijë në qytetin e tij nuk mund të shkonin në shkollë. Majkëlli ishte mirënjohës që kishte mundësinë të mësonte.
Atij i pëlqente të mësonte – veçanërisht matematika. I pëlqente shumë të lexonte edhe revista. Ai i shfletoi faqet për ngjyrosje. Lexoi për kafshë dhe vende të ndryshme nga mbarë bota.
Një ditë Majkëlli lexoi një lloj tjetër reviste. Ajo ishte nga Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Majkëllit i pëlqente shumë ta lexonte atë. Ai donte të mësonte më tepër.
Majkëlli më parë kishte shkuar në kisha të tjera. Atij i pëlqente të mësonte për Jezusin. Por ndonjëherë ndihej i hutuar. Cila kishë ishte kisha e vërtetë?
Më vonë, ai lexoi një pamflet rreth profetit Jozef Smith. Ai ndjeu diçka të veçantë ndërsa e lexoi atë. Edhe Jozef Smithi kishte shkuar në kisha të ndryshme për të kërkuar të vërtetën. Ndoshta jam si Jozefi, mendoi Majkëlli.
Majkëlli donte të shkonte në këtë kishë të re për të parë se si ishte. Por nuk kishte kisha të shenjtorëve të ditëve të mëvonshme në Indi. Majkëlli u zhgënjye. Ai vazhdoi të mësonte gjithçka mundi. Ai e lexoi Librin e Mormonit dhe u lut. E dinte se ai ishte i vërtetë. Ai donte të pagëzohej. Por do të duhej të priste.
Kaluan vite. Kur Majkëlli mbushi 21 vjeç, një çift misionar në moshë erdhi në Indi. Më në fund, Majkëlli u pagëzua. Shpejt ai qe në gjendje të shërbente vetë në një mision në Jutë, SHBA.
Më shumë vite kaluan. Një ditë e mori një shok në telefon. Kisha po kërkonte njerëz që të ndihmonin për përkthimin e konferencës së përgjithshme për njerëzit në Indi. Majkëlli në fillim ishte nervoz. Por ishte i lumtur të ndihmonte.
Një pasdite tetori, Majkëlli po përkthente një bisedë nga Presidenti Nelson në konferencën e përgjithshme. Ai dëgjoi profetin të njoftonte se një tempull do të ndërtohej në Indi. Majkëlli donte të bërtiste nga gëzimi. Ai derdhi lot gëzimi.
Majkëlli ishte mirënjohës për gjithçka që kishte mësuar në shkollë. Por mbi të gjitha, ai ishte mirënjohës që kishte mësuar për ungjillin e Jezu Krishtit. Ai ishte i lumtur që më shumë njerëz në vendin e tij mund të mësonin gjithashtu për Të.