2022
Gara me Dru Zjarri
Korrik/Gusht 2022


Gara me Dru Zjarri

Profeti tha se ne kurrë nuk duhet të reshtim së përgatituri.

boy holding firewood

Luka ia nisi vrapit. Ai pa nga pas. Vëllai i tij, Roberti, po e arrinte.

“Të kapa. Radha jote”, – tha Roberti.

Luka qeshi. Ai ndoqi me vrap motrën e tij më të madhe, Milin.

Pas lojës, të gjithë u ulën për të pushuar.

“Po tani çfarë të luajmë?” – pyeti Mili.

Luka ishte i lumtur që kishte një motër e një vëlla me të cilët të luante. Por virusi COVID-19 kishte ndryshuar shumë gjëra. Ata nuk mund të shkonin në vende me shumë njerëz. Madje ndonjëherë nuk lejoheshin të qëndronin jashtë shtëpisë.

Luka u përpoq të mendonte për një lojë që mund të luanin. Më pas ai mendoi për diçka që kishte dëgjuar në Fillore.

“Mendoj se duhet të bëjmë diçka që të jemi të përgatitur”, – tha Luka.

“Ç’do të thuash?” – pyeti Mili.

Luka pa pemët guava përreth shtëpisë. “Profeti tha se ne kurrë nuk duhet të reshtim së përgatituri. Ndoshta sot mund të mbledhim dru zjarri. Mund ta bëjmë si lojë për të parë se kush mund të mbledhë më shumë.”

boy and girl running and holding firewood

Luka dhe motra e vëllai i tij vrapuan drejt pemëve pranë shtëpisë së tyre. Luka i mblodhi shkopinjtë në duart e tij dhe vrapoi sërish për t’i grumbulluar drunjtë në ahur. Kur e motra dhe i vëllai mbërritën atje, ai i ndihmoi edhe ata që t’i grumbullonin drunjtë e tyre. Vrapuan sa andej‑këndej derisa mblodhën një grumbull të stërmadh.

“Ka aq sa për të gatuar një javë të tërë”, – tha Mili.

“Ishte zbavitëse”, – tha Roberti. “Më pëlqen të jem i përgatitur.”

“Edhe mua”, – tha Luka. Ai dëshironte të bënte diçka tjetër që të ishte i përgatitur.

Më pas ai dhe vëllai e motra e tij mbollën bele (një perime jeshile) në kopshtin e tyre. Luka preu kërcellin nga bimët e vjetra që të mund t’i mbillnin dhe t’i shtonin.

Ndërsa punonin, gjyshërit dhe prindërit e tyre dolën jashtë.

“Vetë i mbollët bele-t?” – pyeti gjyshi.

“Po”, – tha Luka. “Mblodhëm edhe dru zjarri.”

“Faleminderit”, – tha babai. “Isha vërtet i ngarkuar sot. Nuk do të mund ta bëja atë.”

Atë pasdite, Luka u ul brenda me familjen e vet. Ata dëgjuan një njoftim në radio se të gjithë do të duhej të qëndronin brenda shtëpisë për katër ditë që të parandalonin përhapjen e virusit COVID-19. Askush nuk lejohej të dilte nga shtëpia.

“Bëmë mirë që mblodhëm dru zjarri sot, sepse nuk do të kishim pasur mundësi”, – tha Mili.

Luka buzëqeshi. Ai ishte i lumtur që ata kishin ndjekur ftesën e profetit për të qenë të përgatitur.

Ilustrimet nga Shawna J. C. Tenney