Kënga e Parapëlqyer e Fatimës
Fatima kaloi rrugën duke u hedhur. Ajo po kthehej nga shkolla për në shtëpi me mamanë. Ajo këndonte nën zë një këngë ndërsa kalonte rrugën.
“Zonja Lopez na kërkoi të mësojmë një këngë”, – tha Fatima. “A mund të më mësosh një këngë?”
Mamaja buzëqeshi. “Patjetër!”
Kur arritën në shtëpi, mamaja dhe Fatima kënduan këngë së bashku. Ato kënduan shumë këngë. Por nuk kishin kënduar këngën e saj të parapëlqyer.
“A mund të këndoj një këngë të Fillores?” – pyeti Fatima.
“Sigurisht”, – tha mamaja.
Fatima këndoi këngën “Familjet Mund të Jen’ Bashk’ Përgjithmon’”. Ajo i praktikoi fjalët me mamanë. Më pas e këndoi vetëm. Ajo e këndoi atë derisa i tha saktë të gjitha fjalët.
Në shkollë, Fatima ishte e emocionuar që do ta këndonte atë në klasë.
“A dëshiron dikush të këndojë këngën e vet?” – tha zonja Lopez.
Fatima ngriti dorën. “Do këndoj unë.”
Ajo u ngrit në këmbë dhe buzëqeshi. “Kam një familje k’tu në tok’. Me mua jan’ kaq të mir’”, – këndoi ajo.
Ndërsa këndonte, Fatima u lumturua. Dhe ajo e mbajti mend të gjithë këngën! Të gjithë në klasë duartrokitën.
Pas mësimit, mamaja erdhi për të marrë Fatimën. Zonja Lopez foli me mamanë.
“Ajo këndoi një këngë të bukur. Dhe nuk pati frikë aspak.”
Fatima buzëqeshi. Buzëqeshi edhe mamaja.
“Ne këndojmë çdo javë në kishë këngë të bukura”, – tha Fatima.
“Mund të vish me ne kurdoherë”, – tha mamaja.
Zonja Lopez buzëqeshi. “Faleminderit.”
Fatima këndoi ndërsa shkonte në shtëpi me mamanë. Asaj i pëlqente të këndonte një këngë në klasën e vet. Të kënduarit e lumturonte atë.