2022
Shkollë e Re, Shoqe e Re
Korrik/Gusht 2022


Shkollë e Re, Shoqe e Re

Si mund të zërë shokë Ada kur nuk mund ta flasë gjuhën kineze?

Mom hugging young girl wearing backpack

“Kam frikë”, – tha Ada. Ishte dita e saj e parë e shkollës në Tajvan. Por ajo nuk e fliste gjuhën kineze si nxënësit e tjerë. Si mund të zinte shokë? Me kë do të luante në orën e pushimit?

Mamaja e përqafoi fort Adën. “Është e natyrshme të kesh frikë.”

Ada u vrenjt. “Nuk e di si të zë shokë këtu.”

Mamaja e përqafoi sërish. “Nëse nervozohesh, ndoshta mund të mendosh për një këngë të Fillores. A do të ndihmojë kjo?”

Ada pohoi me kokë. Më pas eci deri te klasa me mamanë. Mësuesja po e priste. “Ni hao!” – tha mësuesja. Ada u përpoq të buzëqeshte. Ajo nuk e dinte se çfarë do të thoshin ato fjalë.

Ada e përshëndeti mamanë. Më pas gjeti një bankë dhe u ul.

Ajo pa fëmijët e tjerë. Disa prej tyre po flisnin me njëri-tjetrin. Të tjerë u ulën në heshtje si Ada. Ada ishte nervoze. Ndihej sikur kishte një lëmsh në stomak.

Pastaj Ada pa një vajzë që po qante. Ajo dëshironte ta ndihmonte atë. Por si mund ta ndihmonte atë kur nuk mund ta fliste gjuhën kineze? Por sikur vajza të mos donte ndihmë?

Por pastaj Ada bëri atë që i tha mamaja. Ajo mendoi për fjalët e këngës së saj të parapëlqyer të Fillores: “Doni njer’zit si ju do Jezusi”. Ada e dinte se Fryma e Shenjtë po i kërkonte të ndihmonte.

girl comforting other child who is crying

Ada u ul pranë vajzës. I hodhi dorën në qafë. Më pas i ledhatoi kurrizin ashtu siç bënte mamaja kur Ada ishte e mërzitur. Vajza pushoi së qari! Ajo e përqafoi Adën.

Ada tregoi me gisht nga vetja. “Ada.”

Vajza tregoi me gisht nga vetja. “Mei”, – tha ajo.

Ada buzëqeshi. Ajo u ul pranë Meit pjesën tjetër të ditës. Ndonëse nuk flisnin të njëjtën gjuhë, ato u argëtuan së bashku. Ato e hëngrën drekën bashkë. Luajtën bashkë gjatë pushimit të gjatë. Mei e ndihmoi Adën të mësonte fjalë të reja në gjuhën kineze.

two girls jumping rope together

Ada mezi priste t’i tregonte mamasë për shoqen e saj të re. Ajo e dinte se po ta ndiqte Jezusin, nuk duhet të kishte frikë nga asgjë.

Ilustrimet nga Shawna J. C. Tenney