“Plani i Perëndisë për Lumturinë dhe Fati Yt Hyjnor”, Për Forcën e Rinisë, Janar 2022.
Plani i Perëndisë për Lumturinë dhe Fati Yt Hyjnor
Të kuptuarit dhe të jetuarit sipas planit të lumturisë të lejon të arrish fatin tënd hyjnor.
Çfarë të vjen në mendje kur dëgjon fjalën fat? A mendon për diçka të paracaktuar dhe të pashmangshme? Diçka të tmerrshme ose të mrekullueshme që nuk mund të ndryshohet pavarësisht nga ajo që bën? Ose ndoshta mendon për heroin apo heroinën në një film ose libër, që kishte fatin të përfundonte kërkimin, të shpëtonte botën apo të bëhej një mbret ose mbretëreshë?
Fjalorët mund të bien dakord me këto interpretime; gjithsesi, kur flasim për fatin hyjnor, ne nënkuptojmë diçka të ndryshme. Ndryshe nga fati për të cilin lexon në libra ose e sheh në filma, arritja e fatit tënd hyjnor është e mundshme sepse je fëmijë i Perëndisë, por edhe kërkon që të përdorësh lirinë tënde të zgjedhjes.
Perëndia ka gjithë fuqinë në qiell dhe në tokë. Besëlidhjet që bëjmë me Atin tonë Qiellor e lejojnë Atë që të jetë bashkëpunëtori ynë teksa ecim përmes stuhive të jetës. Fati ynë hyjnor – potenciali ynë kur bëhemi bashkëpunëtorë me Perëndinë – bëhet i mundshëm nëpërmjet planit të Tij për lumturinë.
Të kuptuarit e planit të Atit Qiellor për lumturinë tënde do të të lejojë të dallosh identitetin dhe qëllimin tënd të përjetshëm. Dhe zgjedhja për të bërë e për të mbajtur besëlidhje me Perëndinë do të të lejojë ta arrish atë qëllim.
Në librin e Moisiut lexojmë se “Moisiu u çua në një mal tepër të lartë, dhe ai pa Perëndinë ballë për ballë e foli me të” (Moisiu 1:1–2). Nëpërmjet kësaj vizite vetjake, Perëndia i mësoi Moisiut për identitetin e tij të përjetshëm. Edhe pse Moisiu ishte i vdekshëm dhe i papërsosur, ai mësoi diçka të rëndësishme rreth vetes së tij: ai ishte vërtet një bir i Perëndisë (shih Moisiu 1:6).
Kujto se Kush Je
Satani dëshiron që ti të harrosh se kush je. Kur Satani u përpoq t’ia largonte mendjen Moisiut nga puna që Zoti përgatiti për të, Moisiu plot guxim u përgjigj: “Kush je ti? Sepse, vër re, unë jam një bir i Perëndisë” (Moisiu 1:13; theksimi i shtuar). Moisiu më pas shpalli: “Largohu këtej, Satan; mos më mashtro” (Moisiu 1:16; theksimi i shtuar).
Me fjalë të tjera, Moisiu tha: “Ti nuk mund të më mashtrosh, sepse unë e di se kush jam. Ti nuk e ke dritën dhe lavdinë e Perëndisë. Kështu që, përse duhet të të adhuroj ty apo të besoj gënjeshtrat e tua?”
Kurrë mos harro që Perëndia të do dhe dëshiron të të ndihmojë dhe të të bekojë. Ai ka interesim hyjnor për ty personalisht si një nga fëmijët e Tij. Të lutem të gjesh kohën për të mësuar se çfarë do të thotë me të vërtetë që ti je një fëmijë i Perëndisë. Më pas vendos synime dhe bëj zgjedhje që do të të ndihmojnë të jetosh sipas asaj njohurie çdo ditë.
Unë Kam një Punë për Ty
Ti ke shumë çështje të ngutshme dhe shqetësime. Ke detyra shkolle, shoqëri, përgjegjësi familjare dhe madje ndonjë punësim. Sigurisht, sfida jote është t’i baraspeshosh të gjitha këto role të rëndësishme pa harruar qëllimin tënd kryesor në jetë. Perëndia ka një punë për ty që ta kryesh (shih Moisiu 1:6). Ajo është përgjigjja e pyetjes: “Përse jam këtu në tokë?”
Si fëmijë i Perëndisë, ti erdhe në tokë për të marrë një trup fizik. Me trupin tënd, ti mund të zgjedhësh që ta ndjekësh besnikërisht Jezu Krishtin. Mund të zgjedhësh që t’u bindesh urdhërimeve të Perëndisë, të marrësh ordinanca të shenjta dhe të bësh e të mbash besëlidhje të ungjillit. Bërja e këtyre gjërave do të të përgatitë për të përmbushur fatin tënd hyjnor.
Me këtë qëllim qartësisht në mendje, ti mund të kuptosh rëndësinë e marrjes së sakramentit çdo javë, të studimit të shkrimeve të shenjta, të lutjes çdo ditë, të caktimit të synimeve të vlefshme dhe të shërbimit ndaj të tjerëve. Këto gjëra të ndihmojnë që të kujtosh përse je vërtet këtu dhe ato do të të ndihmojnë të jesh i/e denjë për të marrë zbulesën vetjake që të nevojitet për të qenë i/e gëzuar dhe për të qëndruar në shtegun e besëlidhjeve. Kur pendohesh dhe e ndjek me zell Zotin, ti do të marrësh drejtim vetjak në çdo aspekt të jetës tënde.
Përpiqu Fort që Bëhesh Njeriu që Synohet të Jesh
Interesat dhe shqetësimet e botës ose vetë pasiguritë e tua, mund të të bëjnë që ta humbasësh rolin tënd të rëndësishëm në planin e madhërishëm të Perëndisë për shpëtimin. Nëse kjo ndodh, unë të ftoj të vish te Krishti (shih Moroni 10:32). Asgjë në planin e përjetshëm të Perëndisë nuk është e mundur pa Të, dhe me Të, çdo gjë e mirë është e arritshme.
Përpjekja për të ndjekur Shpëtimtarin është mënyra më e mirë për të ruajtur një këndvështrim ungjillor. Me besim dhe shpresë tek Ai, ti mund t’u bësh ballë me vetëbesim sfidave të jetës. Do të kesh gjithashtu qartësi më të madhe teksa bën zgjedhje, zgjidh probleme, punon drejt synimeve të drejta dhe përballesh me tundime.
Vendimet e tua do të ndikojnë në përjetësinë. Nëpërmjet Jezu Krishtit dhe hirit të Tij shlyes, ti mund të kesh gëzim në këtë jetë dhe në jetën pas kësaj. Mund ta realizosh fatin tënd hyjnor të marrjes së gjithçkaje që Ai ka dhe të jetuarit të llojit të jetës që Ai jeton, që është “jet[a e] përjetshme, … më e madhja nga të gjitha dhuratat e Perëndisë” (Doktrina e Besëlidhje 14:7).