“Ki Besim tek Zoti”, Për Forcën e Rinisë, Janar 2022.
Ki Besim tek Zoti
Perëndia ju fton të keni besim tek Ai në të gjitha gjërat.
Nganjëherë kur ndodhin gjëra të vështira, ne vrasim mendjen nëse mund të kemi besim te dikush, përfshirë Perëndinë. Kemi frikë se edhe Ai mund të na zhgënjejë. Lajmi i mirë është që Perëndia na do në mënyrë të përsosur. Ai është dashamirës, zemërgjerë dhe i ndershëm. Ai është i pandryshueshëm dhe i besueshëm.
Dhe për shkak të kësaj, ne mund të kemi besim tek Ai pavarësisht nga çfarë ndodh. Tema e këtij viti e rinisë është “Ki Besim tek Zoti” (Fjalët e Urta 3:5–6).
Ja disa shembuj për mënyrën se si secili prej nesh në Presidencat e Përgjithshme të Të Rejave dhe të Të Rinjve arriti të ketë besim te Zoti.
Kini Besim te Qëllimet e Perëndisë
Pikërisht disa ditë përpara se të mbushja 16 vjeçe, familja ime u shpërngul në anën tjetër të Shteteve të Bashkuara. Mendova se ishte një kohë e tmerrshme. Kur e kthej vështrimin pas, mund të shoh qartësisht se disa nga bekimet më të mëdha për familjen tonë dhe për mua personalisht erdhën për shkak të asaj shpërnguljeje kur isha adoleshente. Ne mund të mos e kuptojmë kohën e Zotit në atë çast, por kemi besim tek Ai ngaqë mund të besojmë te zemra dhe qëllimet e Tij.
Mishel D. Krejg
Kini Besim në Kohën e Zotit
Për shkak të thirrjes së babait tim si president misioni, unë e mora thirrjen time për të shërbyer në një mision më herët sesa mosha standarde për misionaret motra. Kjo do të thoshte që unë do të hyja në qendrën e trajnimit të misionarëve përpara diplomimit nga shkolla e mesme. Mua koha m’u duk si pa kuptim, por mora një pohim të fortë shpirtëror për të pasur besim te Zoti. Pata besim dhe gjërat shkuan shumë mirë.
Të kemi besim te Zoti do të thotë të shkojmë përpara edhe kur shtegu nuk është tërësisht i qartë.
Boni H. Kordën
Kini Besim te Perëndia në Kohë të Vështira
Ndërkohë që rritesha, babai im ishte oficer në karrierë në ushtrinë amerikane. E vetmja gjë e keqe e kësaj pune ishte që atij i duhej të shkonte në luftë. Isha 13 vjeçe kur babi shkoi në Vietnam për herë të dytë. Frika që ai mund të mos kthehej, ishte gjithmonë në mendjen time, por po ashtu ishte besimi im te Zoti. Përpara se të largohej, babi më dha një bekim si baba, duke më siguruar se Zoti do të ishte me mua dhe do të më ndihmonte ndërkohë që ishte larg. Ndjeva paqe. Edhe pse nuk e dija me siguri se babi im do të kthehej shëndoshë e mirë në shtëpi, unë kisha besim se gjithçka do të ishte në rregull, pavarësisht nga çfarë ndodhte.
Rebeka Krejvën
Besojani Veten Tuaj Perëndisë
Kur u bashkova me Kishën si adoleshent, vendosa t’ia jepja Zotit jetën, kohën dhe zemrën time. Edhe pse ai lloj zotimi i përhershëm u duk disi i frikshëm, unë e dija se ishte i drejtë. Ndjeva se Ati im Qiellor e dëshironte këtë gjë për mua dhe pata paqe duke e bërë këtë. Jam kaq mirënjohës që zgjodha të kisha besim te Perëndia dhe ta lejoja Atë të triumfonte në jetën time. Jam i sigurt që, nëse do të isha mbështetur në gjykimin tim, jeta ime nuk do të ishte aspak aq e pasur me gëzim, lumturi dhe paqe.
Ahmad S. Korbit
Kini Besim te Frymëzimi prej Zotit
Pasi shërbeva në mision, ndjeva mbresën që të bashkohesha me ushtrinë në vend që të kthehesha në kolegj. Kjo ishte gjëja e fundit që doja të bëja! U ndjeva i hutuar, por pata mësuar të kisha besim te Perëndia dhe gjeta mjaft besim për ta dëgjuar Atë dhe për t’u bindur. U bëra ushtar për tre vjet.
Kaq shumë gjëra të mira në jetën time rrodhën nga ai vendim, përfshirë takimin me bashkëshorten time të ardhshme.
Stiven J. Land
Kini Besim te Nxitjet nga Perëndia për të Vepruar Tani
Pasi iu dhashë mësim klasave të gjashta për tre vjet, mësova që, në qoftë se do të jepja mësim edhe për katër vjet të tjerë, distrikti i shkollës do të paguante një pjesë të pagesës së shkollës për të marrë diplomën pasuniversitare. Dukej si plan i mirë – derisa Shpirti më nxiti ta lija punën dhe të kthehesha e ta merrja diplomën menjëherë. Bashkëshortja ime pati një nxitje të ngjashme, prandaj e bëmë ndryshimin. Kjo do të thoshte që do të na duhej ta paguanim vetë shkollën. Por ngaqë e bëmë, unë u mora në punë që të jepja mësim në UBJ në Provo. Ajo mundësi kurrë nuk do të ishte hapur nëse do të kishim pritur edhe katër vjet të tjera. Nuk e dinim se si do të shkonin gjërat, por Zoti i drejtoi shtigjet tona ashtu siç premtoi.
Bredli R. Uilkoks