“Ndikimi i një Shoqeje”, Për Forcën e Rinisë, Janar 2022.
Ndikimi i një Shoqeje
Vitet e mia të adoleshencës ishin të vështira, por Perëndia më dërgoi një shoqe që të më ndihmonte përmes adoleshencës.
Gjithmonë jam ndier tepër e vetmuar në botë. Prindërit e mi u ndanë kur isha foshnjë dhe pastaj, pak vite më vonë, nëna u martua sërish dhe u shpërngulëm 6 500 km larg, nga Xhorxhia në SHBA për në Oregon në SHBA. Ky ishte një ndryshim i stërmadh për t’u përballuar nga një vajzë nëntëvjeçare, veçanërisht një vajzë me theks nga jugu që nuk pranohej tërësisht nga fëmijët e tjerë.
Kur kalova në ciklin e mesëm të ulët, gjithsesi, takova Nikolën.* Menjëherë, ndjeva një ndjesi pozitive, paqësore rreth saj – diçka që më kishte munguar. E dija se duhej të bëhesha shoqe me këtë vajzë!
Teksa kalonim më shumë kohë së bashku, Nikola u bë një vend sigurie, larg prej vetmisë sime. Të hyje në shtëpinë e saj ishte sikur të hyje në një jetë tërësisht të ndryshme: Shpirti i Perëndisë mbushte çdo cep. Kishte fotografi të Shpëtimtarit dhe të strukturave gjigante kudo. (Më vonë mësova se këto struktura ishin tempuj.) Puna misionare e Nikolës filloi thjesht duke më ftuar në shtëpinë e saj dhe ajo as që e dinte këtë gjë.
Shoqërimi dhe Pasja e Besimit
Nikola më dha shërbesë thjesht duke qenë shoqja ime. Ajo më dha Librin e Mormonit dhe ne filluam të lexonim së bashku pas shkollës në makinën e saj.
Libri i Mormonit filloi të mbushte boshllëqet në jetën time. Por akoma ndihesha e vetmuar. Nuk isha anëtare e kishës së Nikolës, por as nuk isha tërësisht pjesëtare e fesë së prindërve të mi.
Nikola më nxiti me dashamirësi që të lutesha dhe t’i kërkoja Perëndisë nëse Libri i Mormonit është i vërtetë. Nuk isha lutur kurrë me zë, prandaj nuk kisha asnjë ide se çfarë duhej të thosha. Por thjesht dola jashtë dhe fillova të flisja. Pyeta Perëndinë nëse kisha e Nikolës ishte kisha e drejtë edhe për mua. Sapo e përfundova pyetjen time, ndjeva drithërima nëpër të gjithë trupin. E dija, në njëfarë mënyre pa asnjë dyshim, se Libri i Mormonit është i vërtetë dhe kjo Kishë ishte kisha e drejtë për mua.
Isha 15 vjeçe kur e mora këtë dëshmim. Për disa vite më pas unë besova, edhe pse prindërit e mi nuk ishin të interesuar për Kishën. Por nuk isha e vetme në besimin tim, sepse Nikola ishte ende atje duke më përkrahur.
Besim i Ri, Pyetje të Reja
Pasi u diplomova nga shkolla e mesme, unë u shpërngula për në Jutë të SHBA‑së. Nikola ishte tashmë atje dhe mezi priste që unë të mbërrija atje, që të mund të filloja të merrja mësime nga misionarët. Kisha plan të pagëzohesha në ditëlindjen time të 19‑të – vetëm gjashtë javë më pas – dhe Nikola më siguroi se do të ishte atje me mua gjatë gjithë kohës.
Kur misionarët filluan të më jepnin mësim, shpejt e kuptova se sa pak dija në të vërtetë rreth Kishës. E kisha lexuar dhe më pëlqente shumë Libri i Mormonit por papritur ata po më tregonin rreth dhuratës së Frymës së Shenjtë, planit të shpëtimit, bërjes si Perëndia dhe kaq shumë gjëra të tjera të reja. Ishin shumë gjëra për t’u kuptuar të gjitha njëherësh.
Por Nikola më njihte mirë. Ajo më ndihmonte duke ma shpjeguar atë që misionarët po më jepnin mësim në një mënyrë që ajo e dinte se do ta kuptoja. Në ato mësime të para, shpjegimet e saj plot durim ishin arsyeja përse qëndrova.
Më së Fundi Përkatësia
Nikola më përkrahu shpirtërisht në këtë mënyrë deri në ditën që u pagëzova – dhe më pas. Ajo i ndihmoi anëtarët e lagjes dhe misionarët të planifikonin që unë të mund të pagëzohesha në ditëlindjen time të 19‑të. Kur dola nga uji dhe pashë duzina njerëzish me fytyra që rrezatonin drejt meje, nuk u ndjeva më e vetmuar. Kurrë nuk do ta harroj atë ndjenjë që më së fundmi i përkitja Zotit dhe Kishës së Tij.
Ende mësoj nga besimi dhe shoqëria e vazhdueshme e Nikolës. Ajo më tregoi që nga fillimi se puna misionare nuk kërkon një etiketë emri. Puna misionare e Nikolës filloi në zemrën e saj, kur ajo i shtriu dorën një vajze nga jugu, e cila kishte nevojë për një buzëqeshje.
Autorja jeton në Jutë, SHBA.