2022
Kapërcimi i Taktikave të Satanit
Janar 2022


“Kapërcimi i Taktikave të Satanit”, Për Forcën e Rinisë, Janar 2022.

Eja, Më Ndiq

Moisiu 14

Kapërcimi i Taktikave të Satanit

Satani bën gjithçka mundet që të na mashtrojë. Fatmirësisht ne kemi ndihmë hyjnore për t’iu shmangur kurtheve të tij.

magjistari

Një magjistar kërcet gishtat dhe një top zhduket pikërisht përpara syve tanë.

Mahnitëse!

Pastaj ai nxjerr një lepur nga një kapele bosh dhe bën diçka që të duket sikur po ngrihet në ajër.

Ua! Si e bën atë?

Magjistarët kanë zbuluar se si t’i bëjnë njerëzit të besojnë se kanë dëshmuar diçka të pabesueshme kur, në të vërtetë, ata panë vetëm atë që magjistari donte që ata të shihnin.

Keni të drejtë! Magjistarët aktualisht nuk i sharrojnë më dysh ndihmëset e tyre. Ata kanë zbuluar mënyra të mençura për të na bërë të mendojmë se po shohim diçka që në të vërtetë nuk ndodhi. Sekreti qëndron tek iluzionet dhe mashtrimi.

Ndërkohë që kjo e gjitha bëhet për argëtim dhe dëfrim, lloje të tjera iluzionesh dhe mashtrimesh janë të rrezikshme – si fizikisht edhe shpirtërisht.

Një Iluzionist dhe Mashtrues i Rrezikshëm

Satani është armiku i gjithë drejtësisë dhe nuk dëshiron që ndonjë njeri ta ndjekë Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin. Ai dëshiron që ne të jemi të mjeruar siç është ai (shih 2 Nefi 2:27).

Për ta përmbushur këtë, ai bën gjithçka mundet për të na bërë që të kemi dyshim ose të mos i pranojmë të vërtetat e përjetshme. Ai punon pa pushim që të na ngatërrojë për të besuar se e mira është e keqe dhe e keqja është e mirë (shih Isaia 5:20). Kjo është arsyeja përse ai nganjëherë njihet si ati i gënjeshtrave dhe mashtruesi i madh (shih Moisiu 4:4). Dhe ai e ka bërë këtë gjë për shumë, shumë kohë.

Rënia

Në Kopshtin e Edenit, Perëndia u tha Adamit dhe Evës që të mos hanin frutën e pemës së njohjes të së mirës dhe të së keqes. Nëse e hanin, atyre do t’ju duhej të largoheshin nga Kopshti i Edenit dhe më së fundi do të vdisnin. Por Perëndia u tha se ata mund të zgjidhnin (shih Moisiu 3:16–17).

Satani dëshiron ta shkatërrojë planin e Perëndisë. Ai u përpoq duke e tunduar Evën të hante frutën e ndaluar. Ai gënjeu dhe tha se ajo nuk do të vdiste (gjë e cila drejtpërsëdrejti ishte në kundërshtim me atë që kishte thënë Perëndia). Ai gjithashtu i tha asaj gjysmë të vërteta (shih Moisiu 4:11).

Përfundimisht, si Adami edhe Eva e hëngrën frutën dhe u dëbuan nga prania e Perëndisë. Shkrimet e shenjta e quajnë këtë “vdekja shpirtërore”. Ata gjithashtu u bënë të vdekshëm, që do të thotë se ata mund të vdisnin fizikisht. Kjo njihet si Rënia.

Si pasardhës të Adamit dhe Evës, ne, gjithashtu, jemi shkëputur nga prania e Perëndisë dhe do të përjetojmë vdekje fizike. Edhe ne vihemi në provë me anë të vështirësive të jetës dhe tundimeve të Satanit.

Kjo e gjitha mund të tingëllojë si diçka e keqe, por Rënia është pjesë e rëndësishme e planit të Atit Qiellor. Ajo na jep mundësinë të mësojmë e të rritemi duke përdorur lirinë tonë të zgjedhjes për të zgjedhur që të bëjmë mirë. Për shkak të Jezu Krishtit dhe Shlyerjes së Tij, ne mund të pendohemi kur mëkatojmë dhe të përgatitemi për të marrë jetë të përjetshme. Gjithçka që ndodhi me Rënien, Jezu Krishti e vë në rregull. Satani nuk e ndaloi planin e Perëndisë.

Kapërcimi i Taktikave të Satanit

Satani sot vazhdon të përpiqet që të na bëjë dredhi dhe të na mashtrojë. Ja disa mënyra se si e bën ai këtë:

1. Tundimi

Satani dëshiron të vendosë mendime të papastra dhe të pakëndshme në udhën tonë. Ai dëshiron që këto gjëra të hyjnë në mendjen tonë dhe të na bëjnë të veprojmë sipas tyre. Ne mund t’i bëjmë ballë këtij tundimi duke i thënë Satanit të largohet (shih mesazhin e Plakut Stivenson në faqen 4). Një nga mbrojtjet tona më të mëdha kundrejt tundimit është të lutemi gjithmonë (shih Alma 13:28; 3 Nefi 18:15). Ne gjithashtu mund të lexojmë e studiojmë shkrimet e shenjta. Ato e sjellin Shpirtin në zemrat tona, na risigurojnë për atë që është e vërtetë dhe na forcojnë kundrejt tundimit të ardhshëm.

2. Gënjeshtrat dhe Mashtrimi

Satani nganjëherë na thotë gjëra si këto: “Kurrë nuk bën ndonjë gjë siç duhet”, “Ke mëkatuar jashtë mase shumë që të falesh”, “Është e pamundur të ndryshosh” ose “Je pa vlerë dhe askush nuk interesohet vërtet për ty”.

Këto janë gënjeshtra. Mos i besoni! Kjo është e vërteta: Perëndia ju do dhe gëzohet për ju, sepse jeni fëmija e Tij. Jeni të mahnitshëm! Ju keni kaq shumë potencial dhe kur e ndiqni Atë, e ardhmja juaj është e ndritur! Edhe kur keni bërë gabime, ende mund të keni shpresë dhe, së bashku me Krishtin, mund t’i ndryshoni gjërat për mirë.

Gjithmonë mund të jeni të sigurt që Satani do t’ju thotë gënjeshtra. Gjithashtu mund të jeni të sigurt që Shpirti gjithmonë do t’ju thotë të vërtetën (shih Jakobi [LiM] 4:13). Kjo është një arsye përse është e rëndësishme të përpiqemi fort që gjithmonë ta kemi Shpirtin me vete.

Ne gjithashtu mund t’i dallojmë dhe t’u bëjmë ballë gënjeshtrave të Satanit duke i lexuar rregullisht shkrimet e shenjta dhe mesazhet nga udhëheqësit e Kishës. Mund të gjeni shkrime të shenjta ose citime lartësuese për t’ju kujtuar të vërtetat që i kundërshtojnë gënjeshtrat e Satanit. Mund t’i mësoni ato përmendsh ose t’i vendosni në ndonjë vend ku t’i shihni shpesh.

3. Dëshpërimi

Satanit i pëlqen shumë kur ndihemi të shkurajuar. Ai dëshiron që ne të besojmë se çfarëdo gjëje që po na bën ta humbasim kurajën, do të ekzistojë përgjithmonë. Por kjo thjesht nuk është e vërtetë.

Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim se Satani dëshiron që ne ta besojmë këtë gjë, sepse “[Satani] e di se ai nuk mund të përmirësohet, se ai nuk mund të përparojë, se në botët pa fund ai nuk do të ketë kurrë një të nesërme të shkëlqyer. Ai është një qenie e mjerë, i lidhur prej kufizimeve të përjetshme dhe dëshiron që edhe ju të jeni të mjerë. Por, mos u mashtroni prej kësaj.”1

Ati Qiellor dhe Jezu Krishti dëshirojnë që ju të jeni të lumtur. Nëse u drejtohemi Atyre, Ata mund t’ju ndihmojnë që t’i duroni sprovat dhe të gjeni paqe e gëzim.

Ne e Dimë se Kush Fiton në Fund

Shpëtimtari na fton të “sh[ohim] tek [Ai] në çdo mendim; [të] mos dysho[jmë], [të] mos k[emi] frikë” (Doktrina e Besëlidhje 6:36). Kur ia vëmë veshin kësaj ftese, hiri dhe fuqia e Tij shlyese do të jenë përherë më të forta sesa përpjekjet e Satanit për të na mashtruar. Nuk duhet të biem viktimë e taktikave të Satanit. Ne mund të kemi guximin dhe forcën për t’i kapërcyer tundimet e Satanit dhe për t’i duruar sfidat e jetës.

Jezu Krishti

Let Not Your Hearts Be Troubled [Zemrat Tuaja Nuk Duhet të Shqetësohen], nga Howard Lyon

Shpëtimtari ka thënë: “Unë jam drita e botës; kush më ndjek nuk do të ecë në errësirë, por do të ketë dritën e jetës” (Gjoni 8:12). Ai gjithashtu tha: “Në botë do të keni mundime, por merrni zemër, unë e munda botën” (Gjoni 16:33).

Jezu Krishti mund të na lartësojë dhe forcojë kundrejt çfarëdo taktike që Satani përpiqet ta përdorë kundër nesh. Kur i kujtojmë Shpëtimtarin dhe mësimet e Tij, ne mund të shohim përmes dredhive dhe iluzioneve të Satanit dhe t’i shohim “gjëra[t] ashtu siç janë në të vërtetë” (Jakobi [LiM] 4:13).