“Ati Qiellor më Njeh Mua”, Për Forcën e Rinisë, Janar 2022.
Tema dhe Unë
Të rinjtë dhe të rejat tregojnë se si po i jetojnë fjalët e Temave të Të Rejave dhe të Kuorumit të Priftërisë Aarone
Ati Qiellor më Njeh Mua
“Unë jam një bir i dashur i Perëndisë.”
Kur po fushoja me babin tim, patëm një çast që nuk do ta harroj kurrë. U ngjitëm në anë të një mali një natë vonë dhe gjetëm një vend ku u ulëm së bashku. Teksa po shihnim drejt qiellit natën, ne u rrethuam nga yjet më të shndritshme që kisha parë ndonjëherë. U ulëm së bashku për një kohë të gjatë, duke përmendur emrat e planetëve dhe yjësive një e nga një.
Duke vështruar gjithësinë përpara meje, u ndjeva shumë i vogël dhe i parëndësishëm. As nuk mund të përfytyroja se sa planetë të tjerë ka atje – “botë pa fund”, apo jo? Çfarë isha unë po të krahasohesha me gjithë atë?
E pyeta babin tim nëse kishte jetë tjetër atje larg në gjithësi, duke u ndier tashmë i pushtuar nga mendimi. Ai duhet të më ketë lexuar mendjen, sepse thjesht tha: “Ja ajo që di unë. Ati Qiellor ka shumë krijime, siç mund ta shohësh. Por nga të gjitha krijimet e Tij, Ai të do ty individualisht.
Ai e sheh gjithçka që po kalon dhe dëshiron më shumë se gjithçka që të jetë pjesë e jetës tënde. Ai dëshiron të të sjellë gëzim dhe të të ndihmojë të kthehesh për të jetuar me Të përgjithmonë.”
U ndjeva ende i vogël nën qiellin e stërmadh të natës, por e besova dëshminë e babit tim. Unë isha i rëndësishëm për Atin Qiellor. Dhe Ai donte të ishte në jetën time.
M’u kujtua ajo që Presidenti Diter F. Uhtdorf, në atë kohë Këshilltar i Dytë në Presidencën e Parë, dha mësim: “Ky është një paradoks i njeriut: krahasuar me Perëndinë, njeriu është hiç; por ende është gjithçka për Perëndinë”1.
Si ai qiell plot yje, krijimet e Perëndisë janë të pafundme – por po ashtu është dashuria e Tij për secilin prej fëmijëve të Tij. Për secilin prej nesh. Nganjëherë mendoj prapë për atë çast kur u ula në mal jashtëzakonisht i habitur. Unë mund të isha një hiç në krahasim me Perëndinë, por Ai nuk mendon në atë mënyrë. Unë jam biri i Tij dhe Ai më njeh.
Autori jeton në Kaliforni, SHBA.