“Gjetja e Jezu Krishtit në Dhiatën e Vjetër”, Për Forcën e Rinisë, Janar 2022.
Eja, Më Ndiq
Gjetja e Jezu Krishtit në Dhiatën e Vjetër
Këtu janë tri mënyra se si mund ta kërkoni Shpëtimtarin teksa studioni Dhiatën e Vjetër këtë vit.
Pyetje të shpejta: Cilat libra të shkrimit të shenjtë janë rreth Jezu Krishtit? Hëë. Prit pak:
Libri i Mormonit është një dëshmi tjetër për Të.
Doktrina e Besëlidhje është një përmbledhje e mesazheve nga Ai drejtuar Jozef Smithit dhe profetëve të tjerë.
Dhiata e Re përshkruan ngjarjet e jetës së Tij.
Po Dhiata e Vjetër? A na mëson edhe ajo rreth Jezu Krishtit?
Po! Në fakt, Shpëtimtari bëri përpjekje shtesë për t’i ndihmuar dishepujt e Tij që të kuptonin rolin e Tij në Dhiatën e Vjetër: “Dhe, duke zënë fill nga Moisiu dhe nga gjithë profetët, ai u shpjegoi atyre në të gjitha Shkrimet gjërat që i takonin atij” (Lluka 24:27).
Këtu janë tri mënyra se si mund ta gjeni Jezu Krishtin teksa eksploroni Dhiatën e Vjetër këtë vit.
1. Shkrime të shenjta që flasin rreth Jezu Krishtit duke përdorur një emër të ndryshëm.
Në Dhiatën e Vjetër, Jezusi shpesh quhet “Zot” ose “Perëndi”. Variante të Biblës të botuara nga Kisha në anglisht përfshijnë poshtëshënime që mund t’ju ndihmojnë kur një varg i referohet Jezu Krishtit. Për shembull, kur Moisiu foli me Perëndinë në një ferrishtë që digjej (shih Eksodi 3:6), poshtëshënimi në Biblën në anglisht sqaron se ai po fliste me Shpëtimtarin.1 Presidenti Rasëll M. Nelson na ka nxitur t’i studiojmë emrat dhe titujt e ndryshëm të Krishtit, të përdorura në shkrimet e shenjta.2
2. Gjëra dhe ngjarje që na sjellin ndërmend Jezu Krishtin.
Shumë shkrime të shenjta të Dhiatës së Vjetër përfshijnë simbole që mund të na mësojnë rreth Jezu Krishtit dhe na kujtojnë për ndihmën që Ai na ofron. Për shembull:
-
Shumë shkrime të shenjta përshkruajnë kohë kur njerëz besnikë u urdhëruan të flijojnë kafshë si pjesë e adhurimit të tyre. Për shembull, nëse fëmijët e Izraelit u vinin shenjë dyerve të tyre me gjakun e qengjit, ata mbroheshin nga një plagë e tmerrshme. Këto flijime na kujtojnë se Jezu Krishti lejoi që Ai të vritej si pjesë e Shlyerjes së Tij për të mposhtur vdekjen shpirtërore dhe fizike. (Shih Eksodi 12:13.)
-
Dikur një profeti të quajtur Elia iu desh të fshihej në shkretëtirë. Ai u ndie i trishtuar dhe tha se dëshironte të vdiste. Ndërkohë që flinte, iu shfaqën mrekullisht buka dhe uji që e forcuan fizikisht dhe emocionalisht aq sa të vazhdonte të jetonte. Kjo mund të na sjellë ndërmend se Jezu Krishti është Uji i Gjallë dhe Buka e Jetës, burimi përfundimtar i shpresës dhe jetës. (Shih 1 Mbretërve 19:1–8.)
-
“Fjala jote është një llambë në këmbën time”, shkroi një psalmist (Psalmeve 119:105). Mikea dëshmoi: “Në rast se ulem në terr, Zoti do të jetë drita ime” (Mikea 7:8). Fjalët e tyre na kujtojnë se Jezu Krishti është Drita e Botës, duke na udhërrëfyer që të kthehemi në shtëpinë tonë qiellore.
Teksa lexoni, ju mund të zbuloni edhe gjëra të tjera që ju kujtojnë për Jezu Krishtin dhe aftësinë e Tij për të na shpëtuar. Për shembull, kur familja e Noeut u shpëtua nga përmbytja nëpërmjet arkës ose kur Jonës iu dha kohë që të pendohej ndërsa ishte brenda balenës. Këto ngjarje mund të na kujtojnë se Shpëtimtari mund të na mbartë përmes stuhive të jetës dhe na jep mundësi që të kthehemi në udhën e duhur. (Shih Zanafilla 7:1; Jona 1:17.)
3. Vargje që profetizojnë për lindjen e Jezu Krishtit.
Sot ne presim plot dëshirë dhe po përgatitemi për Ardhjen e Dytë të Jezu Krishtit. Në mënyrë të ngjashme, profetët e Dhiatës së Vjetër prisnin plot dëshirë dhe shkruan për ardhjen e Tij të parë, kur Ai të lindej në tokë. Për shembull:
-
Një profet i quajtur Balaam përshkroi se si “një yll do të dalë nga Jakobi” (Numrat 24:17). Kjo do të thotë që Shpëtimtari do të lindej në linjën e prejardhjes familjare të Jakobit (ose Izraelit).
-
Një profet i quajtur Nathan i tha mbretit David se Jezu Krishti do të ishte njëri nga pasardhësit e Davidit – që prejardhja e tij familjare do të themelonte “për gjithnjë fronin e mbretërisë së tij” (2 Samuelit 7:13).
-
Profeti Isaia shkroi disa nga përshkrimet më të njohura të Dhiatës së Vjetër për Shpëtimtarin. Disa nga fjalët e tij u përdorën si teksti i pjesës muzikore Mesia të Hendelit, e cila këndohet shpesh në kohën e Krishtlindjes. (Shih Isaia 7; 9; 40; 53.)
Duke u ushtruar pak, ju do të jeni në gjendje ta gjeni Jezu Krishtin nëpër të gjithë Dhiatën e Vjetër këtë vit. Ai ju do veçanërisht ju, po ashtu si Ai e deshi Adamin dhe Evën, Aaronin dhe Miriamin3 – dhe shumë njerëz të tjerë të cilëve Ai u dha shërbesë personalisht në këto rrëfime të lashta frymëzuese. Me besim te Jezu Krishti dhe me ndihmë nga njëri‑tjetri, ky do të jetë një vit i mahnitshëm i studimit të shkrimeve të shenjta.