Mbretëritë e Lavdisë
Ne kemi një Atë të dashur Qiellor i cili do të kujdeset që ne të marrim çdo bekim dhe çdo përfitim që e lejojnë vetë dëshirat dhe zgjedhjet tona.
Anëtarët e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme shpesh pyeten: “Nga ndryshon Kisha juaj nga kishat e tjera të krishtera?” Mes përgjigjeve që japim ne, është plotësia e doktrinës së Jezu Krishtit. Kryesorja në atë doktrinë është fakti se Ati ynë Qiellor i do kaq shumë të gjithë fëmijët e Tij, saqë Ai dëshiron që ne të gjithë të jetojmë në një mbretëri lavdie përgjithmonë. Për më tepër, Ai dëshiron që ne të jetojmë me Të dhe Birin e Tij, Jezu Krishtin, përjetësisht. Plani i Tij na jep mësimet dhe mundësinë për të bërë zgjedhjet që do të na sigurojnë vendmbërritjen dhe jetën që zgjedhim.
I.
Nga zbulesa bashkëkohore ne e dimë se vendmbërritja përfundimtare për të gjithë ata që jetojnë në tokë, nuk është ideja e papërshtatshme e parajsës për të drejtët dhe vuajtjet e përjetshme të ferrit për pjesën tjetër. Plani plot dashuri i Perëndisë për fëmijët e Tij përfshin këtë realitet të dhënë mësim nga Shpëtimtari ynë, Jezu Krishti: “Në shtëpinë e Atit tim ka shumë banesa”1.
Doktrina e zbuluar e Kishës së rivendosur të Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme jep mësim se të gjithë fëmijët e Perëndisë, me përjashtime tepër të kufizuara për t’u marrë parasysh këtu, përfundimisht do të trashëgojnë njërën nga tri mbretëritë e lavdisë, që madje edhe më e vogla e të cilave “tejkalon çdo zgjuarsi”2. Pas një periudhe në të cilën të pabindurit vuajnë për mëkatet e tyre, vuajtje që i përgatit për atë që do të pasojë, të gjithë do të ringjallen dhe do të zhvillohet Gjykimi Përfundimtar prej Zotit Jezu Krisht. Atje, Shpëtimtari ynë i dashur, i cili, siç na është dhënë mësim, “përlëvdon Atin dhe i shpëton gjithë veprat e duarve të tij”3, do t’i dërgojë të gjithë fëmijët e Perëndisë te njëra prej këtyre mbretërive të lavdisë sipas dëshirave të shfaqura nëpërmjet zgjedhjeve të tyre.
Një tjetër doktrinë dhe praktikë e pashoqe e Kishës së rivendosur, janë urdhërimet dhe besëlidhjet e zbuluara që u ofrojnë të gjithë fëmijëve të Perëndisë privilegjin e shenjtë të kualifikimit për shkallën më të lartë të lavdisë në mbretërinë çelestiale. Më e larta e vendmbërritjeve, ekzaltimi në mbretërinë çelestiale, është përqëndrimi i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.
Nga zbulesa bashkëkohore, shenjtorët e ditëve të mëvonshme kanë këtë kuptueshmëri të pashoqe për planin e Perëndisë për lumturinë e fëmijëve të Tij. Ai plan fillon me jetën tonë si shpirtra përpara se të lindeshim dhe zbulon qëllimin dhe kushtet e udhëtimit në vdekshmëri, të zgjedhur prej nesh, si dhe vendmbërritjen që dëshirojmë pas kësaj.
II.
Ne e dimë nga zbulesa bashkëkohore që “të gjitha mbretëritë e kanë një ligj të dhënë”4 dhe se mbretëria e lavdisë që marrim në Gjykimin Përfundimtar, përcaktohet nga ligjet që zgjedhim të ndjekim në udhëtimin tonë në vdekshmëri. Në atë plan plot dashuri, ka shumë mbretëri – shumë banesa – kështu që të gjithë fëmijët e Perëndisë do të trashëgojnë një mbretëri lavdie, ligjeve të së cilës ata mund t’iu “qëndrojnë” në mënyrë të rehatshme.
Kur i përshkruajmë natyrën dhe kërkesat e secilës prej tri mbretërive në planin e Atit, ne e fillojmë me më të lartën, që është përqendrimi i urdhërimeve dhe ordinancave hyjnore që Perëndia i ka zbuluar nëpërmjet Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Në lavdinë çelestiale5 ka tri nivele6, prej të cilëve më i larti është ekzaltimi në mbretërinë çelestiale. Ajo është banesa e atyre “të cilët kanë marrë nga plotësia e tij dhe nga lavdia e tij”, prandaj, “ata janë perëndi, madje bijtë [dhe bijat] e Perëndisë”7 dhe “banojnë në prani të Perëndisë dhe Krishtit të tij përherë e përgjithmonë”8. Nëpërmjet zbulesës, Perëndia ka zbuluar ligjet, ordinancat dhe besëlidhjet e përjetshme, të cilat duhet të zbatohen për të zhvilluar tiparet e perëndishme, të domosdoshme për ta bërë realitet këtë potencial hyjnor. Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme përqendrohet te këto sepse qëllimi i kësaj Kishe të rivendosur është që t’i përgatitë fëmijët e Perëndisë për shpëtimin në lavdinë çelestiale dhe, më veçanërisht, për ekzaltimin në shkallën e saj më të lartë.
Plani i Perëndisë, i bazuar mbi të vërtetën e përjetshme, kërkon që ekzaltimi të mund të arrihet vetëm nëpërmjet besnikërisë ndaj besëlidhjeve të një martese të përjetshme midis një burri dhe një gruaje në tempullin e shenjtë9, martesë e cila përfundimisht do të jetë në dispozicion për të gjithë njerëzit besnikë. Kjo është arsyeja përse ne japim mësim se “gjinia është një karakteristikë thelbësore e identitetit dhe qëllimit individual të jetës para lindjes, të jetës së vdekshme dhe asaj të përjetshme”10.
Një mësim veçanërisht i vlefshëm për të na ndihmuar që të përgatitemi për ekzaltimin, është proklamata e vitit 1995 mbi familjen.11 Shpalljet e saj sqarojnë kërkesat që na përgatitin të jetojmë me Perëndinë, Atin, dhe Birin e Tij, Jezu Krishtin. Ata që nuk e kuptojnë tërësisht planin plot dashuri të Atit për fëmijët e Tij, mund ta konsiderojnë këtë proklamatë mbi familjen si diçka jo më shumë sesa një deklaratë të ndryshueshme të rregullores. Përkundrazi, ne pohojmë se proklamata mbi familjen, e hartuar mbi doktrinën e paanulueshme, përcakton marrëdhënien e familjes në vdekshmëri ku mund të ndodhë pjesa më e rëndësishme e zhvillimit tonë të përjetshëm.
Apostulli Pal përshkruan tri shkallët e lavdisë, duke i përngjasuar ato me lavditë e diellit, hënës dhe yjeve.12 Ai e emërton më të lartën “qiellore” [d.m.th. çelestiale] dhe të dytën “tokësore” [d.m.th. terrestriale]13. Ai nuk e emërton më të ultën, por një zbulesë e dhënë Jozef Smithit e shtoi emrin e saj: “telestiale” [d.m.th. e largët]14. Një tjetër zbulesë gjithashtu përshkruan natyrën e personave që do të caktohen te secila prej këtyre mbretërive të lavdisë. Ata që nuk zgjedhin “t’i qëndroj[n]ë ligjit të një mbretërie çelestiale”15, do të trashëgojnë një tjetër mbretëri lavdie, më të ulët se ajo çelestiale, por të përshtatshme për ligjet që ata kanë zgjedhur dhe të cilave mund t’iu “qëndroj[n]ë” në mënyrë të rehatshme. Fjala qëndroj, kaq e zakonshme në shkrimet e shenjta, do të thotë edhe një vendosje e sigurt.16 Për shembull, ata në mbretërinë terrestriale, e krahasueshme me konceptin e njohur të parajsës, “janë ata që marrin nga prania e Birit, por jo nga plotësia e Atit”17. Ata ishin “burra të ndershëm të tokës, të cilët ishin të verbuar nga dredhitë e njerëzve”18, por “nuk [ishin] të guximshëm në dëshminë e Jezusit”19.
Përshkrimi sipas zbulesës i atyre që caktohen në më të ultën prej mbretërive të lavdisë, telestialen, është “ai që … nuk mund të durojë një lavdi terrestriale”20. Kjo përshkruan ata që nuk e pranojnë Shpëtimtarin dhe nuk kanë zbatuar kufij hyjnorë në sjelljen e tyre. Kjo është mbretëria ku qëndrojnë të ligjtë, pasi të kenë vuajtur për mëkatet e tyre. Këta përshkruhen në zbulesën bashkëkohore si “ata që nuk e pranuan ungjillin e Krishtit, as dëshminë e Jezusit. …
Këta janë ata që janë gënjeshtarë dhe magjistarë, dhe kurorëshkelës, dhe kurvërues, dhe kushdo që do e bën një gënjeshtër.”21
Duke folur për tri mbretëritë e lavdisë me këndvështrimin e tij profetik, Presidenti Rasëll M. Nelson kohët e fundit shkroi: “Koha e jetës në vdekshmëri është thuajse një nanosekondë në krahasim me përjetësinë. Por çfarë nanosekonde vendimtare që është! Merreni parasysh me kujdes se si funksionon: Gjatë kësaj jete në vdekshmëri, ju arrini të zgjidhni cilave ligje jeni të gatshëm t’u bindeni – atyre të mbretërisë çelestiale, apo terrestriale, apo telestiale – dhe, si rrjedhim, në cilën mbretëri lavdie do të jetoni përgjithmonë. Çfarë plani! Është një plan që e respekton plotësisht lirinë tuaj të zgjedhjes.”22
III.
Apostulli Pal shpjegoi se mësimet dhe urdhërimet e Zotit u dhanë që ne të gjithë të mund të arrijmë “masën e shtatit të plotësisë së Krishtit”23. Ai proces kërkon shumë më tepër sesa marrjen e njohurisë. Nuk mjafton madje as që të jemi të bindur për ungjillin; ne duhet të veprojmë në atë mënyrë që të kthehemi në besim me anë të tij. Në ndryshim nga predikimet e tjera, që na mësojnë të dimë diçka, ungjilli i Jezu Krishtit na sfidon të bëhemi diçka.
Nga mësime të tilla ne arrijmë në përfundimin se Gjykimi Përfundimtar nuk është thjesht një vlerësim i një shume totale të veprave të mira dhe të liga – i asaj që kemi bërë. Ai bazohet në rrjedhojën përfundimtare të veprave dhe mendimeve tona – i asaj që jemi bërë. Ne kualifikohemi për jetë të përjetshme nëpërmjet një procesi të kthimit në besim. Siç përdoret këtu, kjo shprehje me shumë kuptime tregon një ndryshim të thellë të natyrës. Nuk mjafton për askënd që vetëm t’i bëjë gjërat mekanikisht. Urdhërimet, ordinancat dhe besëlidhjet e ungjillit nuk janë një listë depozitash që na kërkohet t’i derdhim në ndonjë llogari qiellore. Ungjilli i Jezu Krishtit është një plan që na tregon si të bëhemi çfarë Ati ynë Qiellor do që ne të bëhemi.24
IV.
Për shkak të Jezu Krishtit dhe Shlyerjes së Tij, kur bëjmë gabime në këtë jetë, ne mund të pendohemi dhe të kthehemi në shtegun e besëlidhjeve që prin për tek ajo që Ati ynë Qiellor dëshiron për ne.
Libri i Mormonit jep mësim se “kjo jetë është koha për [ne] që të përgatite[mi] të takohe[mi] me Perëndinë”25. Por atij kufizimi sfidues në frazën “kjo jetë” i jepet një kontekst plot shpresë (të paktën deri në njëfarë shtrirjeje për disa persona) me anë të asaj që Zoti i zbuloi Presidentit Jozef F. Smith, shënuar tani te Doktrina e Besëlidhje, seksioni 138. “Unë vura re”, shkroi profeti, “se pleqtë besnikë të kësaj periudhe [ungjillore], kur largohen nga jeta e vdekshme, i vazhdojnë punët e tyre për predikimin e ungjillit të pendimit dhe të shëlbimit, nëpërmjet sakrificës së Birit të Vetëmlindur të Perëndisë, mes atyre që janë në errësirë dhe nën robërinë e mëkatit në botën e madhe të shpirtrave të të vdekurve.
Të vdekurit që pendohen, do të shëlbehen, nëpërmjet bindjes ndaj ordinancave të shtëpisë së Perëndisë,
dhe pasi e kanë paguar gjobën për shkeljet e tyre dhe janë pastruar, do të marrin një shpërblim sipas veprave të tyre, sepse ata janë trashëgimtarë të shpëtimit.”26
Përveç kësaj, ne e dimë se Mijëvjeçari, njëmijë vitet që vijojnë pas Ardhjes së Dytë të Shpëtimtarit, do të jenë një kohë për të kryer ordinancat e kërkuara për ata që nuk i kanë marrë ato në jetën e tyre në vdekshmëri.27
Ka shumë gjëra që ne nuk i dimë rreth tri periudhave kryesore në planin e shpëtimit dhe marrëdhënieve të tyre me njëra‑tjetrën: 1) botës së shpirtrave para lindjes, 2) vdekshmërisë dhe 3) jetës pas kësaj. Por ne vërtet i dimë këto të vërteta të përjetshme: “Shpëtimi është një çështje individuale, por ekzaltimi është një çështje familjare”28. Ne kemi një Atë të dashur Qiellor i cili do të kujdeset që ne të marrim çdo bekim dhe çdo përfitim që e lejojnë vetë dëshirat dhe zgjedhjet tona. E dimë gjithashtu se Ai nuk do ta detyrojë asnjë njeri që të hyjë në një lidhje vulosëse kundër vullnetit të tij apo të saj. Bekimet e një lidhjeje vulosëse sigurohen për të gjithë ata që i mbajnë besëlidhjet e tyre, por kurrë duke u detyruar për një lidhje vulosëse me një person tjetër që nuk është i denjë apo i gatshëm.
Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, unë dëshmoj për të vërtetën e këtyre gjërave. Dëshmoj për Zotin tonë Jezu Krisht, “autori[n] dhe plotësuesi[n e] besimit”29 tonë, Shlyerja e të cilit, sipas planit të Atit tonë në Qiell, e bën të mundur gjithë këtë, në emrin e Jezu Krishtit, amen.