E Vërteta e Përjetshme
Nevoja jonë për ta dalluar të vërtetën nuk ka qenë kurrë më e rëndësishme!
Vëllezër e motra, faleminderit për përkushtimin tuaj ndaj Perëndisë, Atit, dhe ndaj Birit të Tij, Jezu Krishtit, dhe faleminderit për dashurinë dhe shërbimin tuaj ndaj njëri‑tjetrit. Jeni vërtet të jashtëzakonshëm!
Hyrja
Pasi bashkëshortja ime, Ana dhe unë, morëm thirrjen që të shërbenim si udhëheqës misioni me kohë të plotë, familja jonë vendosi që të mësonte emrin e secilit misionar përpara se të mbërrinim në terren. Morëm fotografitë, krijuam karta ilustrimi dhe filluam të studionim fytyrat dhe të mësonim përmendsh emrat.
Kur mbërritëm, ne zhvilluam takime njohëse me misionarët. Teksa takoheshim, dëgjova djalin tonë nëntëvjeçar:
“Gëzohem që të takoj, Sem!”
“Rejçëll, nga je ti?”
“Ua, Dejvid, ti qenke i gjatë!”
I alarmuar, shkova te biri ynë dhe i pëshpërita: “Ej, le të kujtojmë që t’u drejtohemi misionarëve me titujt Plaku [Elder] ose Motra”.
Ai më pa me një vështrim të hutuar dhe tha: “Babi, mendova se ne duhej të mbanim mend emrat e tyre”. Biri ynë bëri atë që mendoi se ishte e drejtë, nisur nga kuptueshmëria e tij.
Pra, cila është kuptueshmëria jonë për të vërtetën në botën e sotme? Ne bombardohemi vazhdimisht me opinione të forta, raportim të njëanshëm dhe të dhëna të paplota. Në të njëjtën kohë, vëllimi dhe burimet e këtij informacioni po shumohen. Nevoja jonë për ta dalluar të vërtetën nuk ka qenë kurrë më e rëndësishme!
E vërteta është jetike për ne që të krijojmë dhe forcojmë marrëdhënien tonë me Perëndinë, të gjejmë paqe e gëzim dhe të arrijmë potencialin tonë hyjnor. Sot le të marrim parasysh pyetjet vijuese:
-
Çfarë është e vërteta dhe përse është e rëndësishme ajo?
-
Si e gjejmë të vërtetën?
-
Kur e gjejmë të vërtetën, si mund ta shpërndajmë atë?
E Vërteta Është e Përjetshme
Zoti na ka mësuar në shkrimin e shenjtë se “e vërteta është dituri për gjërat siç janë dhe siç ishin, dhe siç do të jenë” (Doktrina e Besëlidhje 93:24). Ajo “nuk u krijua apo u bë” (Doktrina e Besëlidhje 93:29) dhe “nuk ka fund” (Doktrina e Besëlidhje 88:66)1. E vërteta është absolute, e përcaktuar dhe e pandryshueshme. Me fjalë të tjera, e vërteta është e përjetshme.2
E vërteta na ndihmon ta shmangim mashtrimin3, të dallojmë të mirën nga e keqja4, të marrim mbrojtje5 dhe të gjejmë ngushëllim e shërim6. E vërteta gjithashtu mund t’i udhërrëfejë veprimet tona7, mund të na bëjë të lirë8, mund të na shenjtërojë9 dhe mund të na çojë drejt jetës së përjetshme10.
Perëndia Zbulon të Vërtetë të Përjetshme
Perëndia na zbulon të vërtetë të përjetshme nëpërmjet një rrjeti marrëdhëniesh zbulese që përfshijnë Atë vetë, Jezu Krishtin, Frymën e Shenjtë, profetët dhe ne. Le të diskutojmë rolet e dallueshme, prapëseprapë të ndërlidhura që luan secili pjesëmarrës në këtë proces.
Së pari, Perëndia është burimi i së vërtetës së përjetshme.11 Ai dhe Biri i Tij, Jezu Krishti12, kanë një kuptueshmëri të përsosur dhe gjithmonë veprojnë në harmoni me parimet dhe ligjet e vërteta13. Kjo fuqi i lejon Ata që të krijojnë e qeverisin botët14, si edhe ta duan, udhërrëfejnë dhe ushqejnë secilin prej nesh në mënyrë të përsosur15. Ata dëshirojnë që ne ta kuptojmë dhe zbatojmë të vërtetën, kështu që ne të mund të gëzojmë bekimet që gëzojnë Ata.16 Ata mund ta japin të vërtetën vetë ose, në mënyrë më tipike, nëpërmjet lajmëtarëve të tillë si Fryma e Shenjtë, engjëjt ose profetët e gjallë.
Së dyti, Fryma e Shenjtë dëshmon për gjithë të vërtetën.17 Ai na zbulon neve të vërteta drejtpërdrejt dhe dëshmon për të vërteta të dhëna mësim nga të tjerët. Mbresat nga Shpirti zakonisht vijnë si mendime në mendjen tonë dhe ndjenja në zemrën tonë.18
Së treti, profetët e marrin të vërtetën nga Perëndia dhe na e japin atë të vërtetë neve.19 Ne e mësojmë të vërtetën nga profetët e së shkuarës në shkrimet e shenjta20 dhe nga profetët e gjallë në konferencën e përgjithshme dhe nëpërmjet kanaleve të tjera zyrtare.
Së fundi, ju dhe unë luajmë një rol vendimtar në këtë proces. Perëndia pret nga ne që të kërkojmë, dallojmë dhe më pas të veprojmë sipas të vërtetës. Aftësia jonë për ta marrë dhe për ta vënë në jetë të vërtetën, varet nga forca e marrëdhënies sonë me Atin dhe Birin, nga aftësia jonë për t’iu përgjigjur ndikimit të Frymës së Shenjtë dhe përputhja jonë me profetët e ditëve të mëvonshme.
Na nevojitet të kujtojmë se Satani punon që të na mbajë larg nga e vërteta. Ai e di se pa të vërtetën, ne nuk mund të fitojmë jetë të përjetshme. Ai ndërthur fije të së vërtetës me filozofitë e botës për të na pështjelluar dhe për të na shpërqendruar nga ajo që komunikohet nga Perëndia.21
Kërkimi, Dallimi dhe Vënia në Jetë e së Vërtetës së Përjetshme
Kur kërkojmë të vërtetë të përjetshme22, dy pyetjet vijuese mund të na ndihmojnë që të dallojmë nëse një koncept vjen nga Perëndia apo nga një burim tjetër:
-
A jepet mësim vazhdimisht koncepti në shkrimet e shenjta dhe nga profetët e gjallë?
-
A pohohet koncepti nëpërmjet dëshmisë së Frymës së Shenjtë?
Perëndia zbulon të vërteta doktrinore nëpërmjet profetëve dhe Fryma e Shenjtë na i pohon ato të vërteta neve dhe na ndihmon t’i vëmë ato në jetë.23 Ne duhet t’i kërkojmë dhe të jemi të përgatitur për t’i marrë këto mbresa shpirtërore kur ato vijnë.24 Ne jemi më së shumti pranues ndaj dëshmimit të Shpirtit kur jemi të përulur25, lutemi sinqerisht e i studiojmë fjalët e Perëndisë26 dhe i zbatojmë urdhërimet e Tij27.
Pasi Fryma e Shenjtë na e pohon një të vërtetë të caktuar, kuptueshmëria jonë thellohet kur e vëmë atë parim në veprim. Me kalimin e kohës, kur e jetojmë vazhdimisht parimin, ne fitojmë një njohuri të sigurt për atë të vërtetë.28
Për shembull, unë kam bërë gabime dhe kam ndier brejtje të ndërgjegjes për zgjedhjet jo të mira. Por nëpërmjet lutjes, studimit dhe besimit te Jezu Krishti, unë mora dëshmi për parimin e pendimit.29 Teksa vazhdova të pendohesha, kuptueshmëria ime për pendimin u bë më e fortë. U ndjeva më pranë Perëndisë dhe Birit të Tij. Tani e di se mëkati mund të falet nëpërmjet Jezu Krishtit, sepse unë i përjetoj bekimet e pendimit çdo ditë.30
Mirëbesimi ndaj Perëndisë Kur e Vërteta Nuk Është Zbuluar Ende
Pra, çfarë duhet të bëjmë kur ne sinqerisht e kërkojmë të vërtetën që nuk është zbuluar ende? Unë kam ndjeshmëri për ata prej nesh të cilët janë të etur për përgjigje që nuk duket se po vijnë.
Jozef Smithin Zoti e këshilloi: “Rri në heshtje derisa unë ta shoh të përshtatshme për t’i bërë të njohura … të gjitha gjërat lidhur me çështjen” (Doktrina e Besëlidhje 10:37).
Dhe Ema Smithit Ai i shpjegoi: “Mos mërmërit për shkak të gjërave që nuk i ke parë, sepse ato janë fshehur prej teje dhe prej botës, e cila është urtësi në mua në një kohë të ardhme” (Doktrina e Besëlidhje 25:4).
Unë gjithashtu kam kërkuar përgjigje për pyetje nga zemra. Shumë përgjigje kenë ardhur; disa nuk kanë ardhur.31 Teksa presim – duke i mirëbesuar urtësisë dhe dashurisë së Perëndisë, duke i zbatuar urdhërimet e Tij dhe duke u mbështetur tek ajo që vërtet e dimë – Ai na ndihmon të gjejmë paqe derisa Ai të zbulojë të vërtetën e të gjitha gjërave.32
Të Kuptuarit e Doktrinës dhe Rregullores
Kur e kërkojmë të vërtetën, ajo na ndihmon të kuptojmë dallimin midis doktrinës dhe rregullores. Doktrina u referohet të vërtetave të përjetshme, të tilla si natyra e Kreut‑Perëndi, plani i shpëtimit dhe flijimi shlyes i Jezu Krishtit. Rregullorja është zbatimi i doktrinës nisur nga rrethanat e tanishme. Rregullorja na ndihmon që ta administrojmë Kishën në një mënyrë të rregullt.
Ndërkohë që doktrina nuk ndryshon kurrë, rregullorja përshtatet herë pas here. Zoti vepron nëpërmjet profetëve të Tij për ta përkrahur doktrinën e Tij dhe për t’u bërë modifikime rregulloreve të Kishës sipas nevojave të fëmijëve të Tij.
Fatkeqësisht, nganjëherë ne e ngatërrojmë rregulloren me doktrinën. Nëse nuk e kuptojmë ndryshimin, ka rrezik të zhgënjehemi kur rregulloret ndryshojnë dhe madje mund të fillojmë ta vëmë në dyshim urtësinë e Perëndisë ose rolin zbulues të profetëve.33
Mësimdhënia e së Vërtetës së Përjetshme
Kur e marrim të vërtetën nga Perëndia, Ai na nxit që ta shpërndajmë atë njohuri tek të tjerët.34 Ne e bëjmë këtë kur japim mësim në një klasë, udhëzojmë një fëmijë ose diskutojmë të vërtetat e ungjillit me një mik.
Synimi ynë është ta japim mësim të vërtetën në një mënyrë që e fton fuqinë kthyese në besim të Frymës së Shenjtë.35 Lejomëni të tregoj disa ftesa të thjeshta nga Zoti dhe profetët e Tij që mund të ndihmojnë.36
-
Përqendrohuni tek Ati Qiellor e Jezu Krishti dhe te doktrina e Tyre themelore.37
-
Qëndroni të ngulitur në shkrimet e shenjta dhe në mësimet e profetëve të ditëve të mëvonshme.38
-
Mbështetuni te doktrina e themeluar nëpërmjet dëshmive të shumta prej autoriteteve.39
-
Shmangini spekulimin, opinionet vetjake ose idetë e botës.40
-
Jepni mësim një pikë të doktrinës brenda kontekstit të të vërtetave të ungjillit që lidhen me të.41
-
Përdorni metoda mësimdhënieje që e ftojnë ndikimin e Shpirtit.42
-
Komunikoni me qartësi që të shmangni keqkuptimin.43
Thënia e së Vërtetës me Dashuri
Mënyra se si e japim mësim të vërtetën, vërtet ka rëndësi. Pali na nxiti që ta themi “të vërtetën me dashuri” (shihni tek Efesianëve 4:14–15). E vërteta ka shansin më të mirë ta bekojë dikë tjetër kur përçohet me dashurinë si të Krishtit.44
E vërteta e dhënë mësim pa dashuri, mund të shkaktojë ndjenja gjykimi, shkurajimi dhe vetmie. Ajo shpesh çon drejt mllefit dhe përçarjes, madje konfliktit. Nga ana tjetër, dashuria pa të vërtetën është e zbrazët dhe asaj i mungon premtimi i rritjes.
Si e vërteta ashtu edhe dashuria janë thelbësore për zhvillimin tonë shpirtëror.45 E vërteta siguron doktrinën, parimet dhe ligjet e domosdoshme për të fituar jetë të përjetshme, ndërkohë që dashuria sjell motivimin e nevojshëm për ta përqafuar atë që është e vërtetë, dhe për të vepruar sipas saj.
Jam përgjithmonë mirënjohës për të tjerët që me durim më mësuan të vërtetën e përjetshme me dashuri.
Përfundimi
Në përfundim, më lejoni të shpreh të vërteta të përjetshme që janë bërë një spirancë për shpirtin tim. Kam arritur të di për këto të vërteta duke i ndjekur parimet e diskutuara sot.
E di se Perëndia është Ati ynë Qiellor.46 Ai është i gjithëdijshëm47, i gjithëfuqishëm48 dhe i dashur në mënyrë të përsosur49. Ai krijoi një plan për ne që të fitojmë jetë të përjetshme dhe të bëhemi si Ai.50
Si pjesë e atij plani, Ai dërgoi Birin e Tij, Jezu Krishtin, për të na ndihmuar.51 Jezusi na mësoi të bëjmë vullnetin e Atit52 dhe ta duam njëri‑tjetrin53. Ai shleu për mëkatet tona54 dhe dha jetën e Tij në kryq55. Ai u ngrit së vdekuri pas tri ditësh.56 Nëpërmjet Krishtit dhe hirit të Tij, ne do të ringjallemi57, ne mund të falemi58 dhe mund të gjejmë forcë në fatkeqësi59.
Gjatë shërbesës së Tij tokësore, Jezusi themeloi Kishën e Tij.60 Me kalimin e kohës, ajo Kishë u ndryshua dhe të vërtetat humbën.61 Jezu Krishti i rivendosi Kishën e Tij dhe të vërtetat e ungjillit nëpërmjet Profetit Jozef Smith.62 Dhe sot, Krishti vazhdon ta udhëheqë Kishën e Tij nëpërmjet profetëve dhe apostujve të gjallë.63
Unë e di se teksa vijmë te Krishti, më së fundmi ne mund të “përsos[em]i në të” (Moroni 10:32), të fitojmë “plotësi të gëzimit” (Doktrina e Besëlidhje 93:33) dhe të marrim “gjithçka që Ati … ka” (Doktrina e Besëlidhje 84:38). Për këto të vërteta të përjetshme unë jap dëshmi, në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.