2012
‘Ai Është Ngritur’ – Dëshmia e një Profeti
Prill 2012


Mesazhi i Presidencës së Parë

“Ai Është Ngritur”

Dëshmia e një Profeti

Presidenti Tomas S. Monson

“Thirrja kumbuese e krishtërimit”, ka deklaruar Presidenti Tomas S. Monson, është se Jezusi i Nazaretit u ngrit së vdekuri. “Realiteti i Ringjalljes u jep të gjithëve, paqen që ia tejkalon çdo zgjuarësie” (shih Filipianëve 4:7).1

Në fragmentet vijuese, Presidenti Monson ndan dëshminë dhe mirënjohjen e tij për Ringjalljen e Shpëtimtarit dhe deklaron se për shkak se Biri mposhti vdekjen, të gjithë fëmijët e Atit që vijnë në tokë, do të jetojnë përsëri.

Jeta përtej Vdekshmërisë

“Besoj se asnjë prej nesh nuk mund ta konceptojë rëndësinë e plotë të asaj që bëri Krishti për ne në Gjetseman, por çdo ditë të jetës sime jam mirënjohës për sakrificën e Tij shlyese në të mirën tonë.

Në çastin e fundit, Ai mund të kthehej pas. Por nuk u kthye. Ai kaloi nën të gjitha gjërat, që të mund t’i shpëtonte të gjitha gjërat. Duke vepruar ashtu, Ai na dha jetë përtej kësaj ekzistence tokësore. Ai na ka rifituar prej Rënies së Adamit.

Deri në thellësinë e vetë shpirtit tim, i jam mirënjohës Atij. Ai na mësoi si të jetojmë. Ai na mësoi si të vdesim. Ai na siguroi shpëtimin.”2

Çlirimi nga Errësira e Vdekjes

“Në situata të caktuara, për shembull në vuajtje dhe sëmundje të mëdha, vdekja vjen si një engjëll i mëshirës. Por, në pjesën më të madhe, ne e mendojmë atë si armikun e lumturisë njerëzore.

Errësira e vdekjes mund të zhduket përgjithmonë nëpërmjet dritës të së vërtetës së zbuluar. ‘Unë jam ringjallja dhe jeta’, foli Mësuesi. ‘Ai që beson në mua, edhe sikur të duhej të vdesë do të jetojë. Dhe ai që jeton e beson në mua, nuk do të vdesë kurrë përjetë.’

Ky pohim – po, madje konfirmimi i shenjtë – i jetës përtej varrit mund të sjellë fare mirë paqen e premtuar nga Shpëtimtari kur Ai i siguroi dishepujt e Tij: ‘Unë po ju lë paqen, po ju jap paqen time: unë po jua jap, po jo si e jep bota; zemra juaj mos u trondittë dhe mos u frikësoftë.’”3

Ai nuk Është Këtu

“Shpëtimtari ynë jetoi përsëri. Ngjarja më e lavdishme, më ngushëlluese dhe më siguruese e të gjithë historisë njerëzore kishte ndodhur – fitorja mbi vdekjen. Dhimbja dhe agonia e Gjetsemanit dhe e Kalvarit qenë zhdukur. Shpëtimi i njerëzimit qe siguruar. Rënia e Adamit qe korrigjuar.

Varri i zbrazët atë mëngjes të parë të Pashkës ishte përgjigjja për pyetjen e Jobit: ‘Në qoftë se njeriu vdes, a mund të kthehet përsëri në jetë?’ Të gjithëve atyre që mund të më dëgjojnë unë u deklaroj: ‘Nëse një njeri vdes, ai do të rrojë përsëri’. Ne e dimë, sepse ne kemi dritën e së vërtetës së zbuluar. …

Vëllezër dhe motra të mia të dashura, në orën tonë të hidhërimit më të thellë, ne mund të marrim paqe të plotë nga fjalët e engjëllit atë mëngjes të parë të Pashkës: ‘Ai nuk është këtu: sepse u ringjall’.”4

Të Gjithë Njerëzit do të Jetojnë Përsëri

“Ne qeshim, qajmë, punojmë, luajmë, dashurojmë, jetojmë. Dhe më pas vdesim. …

Dhe ne do të kishim qëndruar të vdekur nëse nuk do të kishte qenë për një Njeri dhe misionin e Tij, madje Jezusin e Nazaretit. …

Me gjithë zemrën time dhe zjarrin e shpirtit tim, unë ngre zërin në dëshmi si dëshmitar i veçantë dhe shpall se Perëndia jeton. Jezusi është Biri i Tij, i Vetëmlinduri i Atit në mish. Ai është Shëlbuesi ynë; Ai është Ndërmjetësi ynë me Atin. Ishte Ai që vdiq në kryq për të shlyer për mëkatet tona. Ai u bë fryti i parë i Ringjalljes. Për shkak se Ai vdiq, të gjithë do të jetojnë përsëri.”5

Një Dëshmi Vetjake

“Unë shpall dëshminë time personale se vdekja është mundur, fitorja ndaj varrit është arritur. U bëfshin realitet për të gjithë fjalët e shenjtëruara prej Atij që i përmbushi ato. Kujtojini. Vlerësojini. Nderojini. Ai u ringjall.6

Shënime

  1. “Ai Është Ringjallur”, Liahona, prill 2003, f. 7.

  2. “Në Lamtumirë”, Liahona, maj 2011, f. 114.

  3. “Now Is the Time”, Liahona, janar 2002, f. 68; shih edhe Gjoni 11:25–26; 14:27.

  4. “Ai Ësht’ Ngritur”, Liahona, maj 2010, f. 89, 90; shih edhe Jobi 14:14; Mateu 28:6.

  5. “E Di se Rron Shëlbuesi Im!” Liahona, maj 2007, f. 24, 25.

  6. Liahona, prill 2003, 7.

Mësimdhënia nga Ky Mesazh

Pasi të ndani citate nga mesazhi i Presidentit Monson, vini re dëshminë që ai ndan për domethënien e vërtetë të Pashkës. Ju mund t’u bëni pjesëtarëve të familjes pyetjet në vijim: “Çfarë do të thotë për ju që një profet i gjallë ka dëshmuar për këto të vërteta sot? Si mund t’i zbatoni ato në jetën tuaj?” Merrni parasysh të shtoni dëshminë tuaj.

Thomai Mosbesues, nga Carl Heinrich Bloch