2012
Boronicat dhe Libri i Mormonit
Prill 2012


Boronicat dhe Libri i Mormonit

Suelen S. Uailer, Xhorxha, SHBA

Disa vite më parë, familja jonë u shpërngul nga një zonë e rrahur dhe e mbipopulluar qyteti në një pronë të vogël bujqësore në skaj të një fshati të vogël e të qetë. Aty pranë ishte një fermë e braktisur boronicash dhe falë miqve dhe pronarit, ne morëm leje për të këputur sa boronica të dëshironim.

Disa mëngjese çdo javë gjatë asaj vere, ne futeshim të gjithë në makinë me kova e çanta dhe kalonim një orë zbavitëse e të kënaqshme duke mbledhur boronica. Një mëngjes, djali ynë më i vogël, Hajrëmi dukej ngurrues për të na shoqëruar. Ai ishte i sigurt se kishte mbledhur çdo boronicë të mundshme dhe se do ta çonte kohën dëm nëse shkonte përsëri. Sa u habit ai kur gjeti më shumë boronica se kurrë. Kishte grumbuj [boronicash] në vende ku ai kishte stërparë dhe disa nga boronicat më të lëngshme po rriteshin në degët ku ai ishte i sigurt se kishte kërkuar më parë.

Në të njëjtën kohë, udhëheqësit e lagjes për rininë i vunë adoleshentët përpara një sfide për ta lexuar të gjithë Librin e Mormonit atë gusht përpara se të fillonte shkolla. Fëmijët tanë na lajmëruan për këtë sfidë dhe familja jonë u zotua që të bashkohej me ta në përpjekjet e tyre.

Ne e kishim përfunduar Librin e Mormonit pak përpara se të vinte revista Ensign e gushtit të vitit 2005, me sfidën e presidentit Gordon B. Hinkli (1910–2008) që ta lexonim të gjithë Librin e Mormonit deri në fund të atij viti. Hajrëmi dhe vëllai i tij Jozefi, qenë të emocionuar – nga mendimi se ne i ishim bindur tashmë profetit! Pastaj vëllai dhe motra më e madhe, Sethi dhe Bethëni, u kujtuan atyre se Presidenti Hinkli na kishte kërkuar ta lexonim atë përsëri, pavarësisht sa herë ne e kishim bërë këtë tashmë.

“Po pse?” pyeti djali. “Ne e kemi lexuar çdo fjalë dhe çfarë ka më tepër për të mësuar përveç asaj që kemi lexuar tashmë?

Pas disa çastesh qetësie, dikush përmendi boronicat. “Ju kujtohet kur ne menduam se i kishim mbledhur gjithë boronicat? Por kur ne u kthyem, kishte gjithmonë më shumë boronica – gjithmonë! Pavarësisht sa herë shkuam ne, pavarësisht sa shpesh, gjithmonë do të kishte boronica pranë vileve.”

Ne e kuptuam menjëherë lidhjen. Njësoj si ferma aty pranë dhe furnizimi i saj i bollshëm me boronica të shijshme, Libri i Mormonit është një burim i vazhdueshëm i ushqimit shpirtëror me të vërteta të reja për t’u zbuluar. Kështu ne filluam ta lexonim edhe një herë Librin e Mormonit.

Ndërsa pranova sfidën e profetit, unë lexova gjëra që i kisha lexuar shumë herë më parë në Librin e Mormonit, por i pashë me një sy tjetër ose i kuptova se si viheshin në zbatim për rrethana ose sfida të reja. Unë e di se çdo herë që ne e lexojmë sinqerisht Librin e Mormonit, ne mund të marrim mendime të reja dhe të afrohemi më pranë me Shpëtimtarin.