2012
Ide për Mbrëmje Familjare në Shtëpi
Prill 2012


Ide për Mbrëmje Familjare në Shtëpi

Ky numër përmban artikuj dhe aktivitete që mund të përdoren për mbrëmjen familjare në shtëpi. Në vijim janë dy shembuj.

“Bekimet e Seminarit”, faqja 20: Shqyrtojini artikujt para kohe dhe vendosni se si ta zbatoni më së miri mesazhin me familjen tuaj. Nëse keni adoleshentë në seminar, filloni duke i pyetur përse seminari është i rëndësishëm për ta. Më pas lexoni pjesën e titulluar “Marrja e Bekimeve të Premtuara”. Nxitini fëmijët e vegjël që të përgatiten për të marrë pjesë në seminar kur të arrijnë moshën e duhur. Nëse nuk keni të rinj të moshës së seminarit, ju mund të dëshironi ta lexoni artikullin dhe më pas të diskutoni mbi rëndësinë e seminarit për rininë e sotme.

“Të Gjithë e Njohin Bllekun”, faqja 42: Mendoni për të kënduar “Bëj Ç’Ësht’ e Drejt’” (Himne dhe Këngë të Fëmijëve, nr. 34) si himn hapjeje. Lexoni ose përmblidhni historinë rreth Bllekut. Kërkojuni pjesëtarëve të familjes të tregojnë një përvojë kur u duhej të merrnin një vendim të vështirë midis rrugëve të ndryshme dhe çfarë pasojash rrodhën nga vendimi që ata morën. Mbylleni duke lexuar citatin nga Presidenti Tomas S. Monson.

E Thjeshtë, e Qetë dhe e Paharrueshme

Ishte një mbrëmje e paharrueshme familjare me dy vajzat tona të vogla, Anxhelika, 6 vjeç dhe Bethani, 4 vjeç. Unë edhe bashkëshorti im ishim kruspullosur në karriget tona, të lodhur dhe duke mos ditur nga t’ia fillonim. Kështu që vajzat tona morën situatën në dorë dhe përgatitën grafikun e caktimit të detyrave për mbrëmjen familjare, duke na dhënë secilit një detyrë. Detyra e bashkëshortit tim ishte të drejtonte, Bethani u caktua për muzikën, unë kisha aktivitetet dhe Anxhelika duhet të jepte mësimin.

Bethani zgjodhi këngën “I Love to See the Temple” [“Unë e Dua Tempullin”] (Children’s Songbook, 95), dhe e kënduam atë së bashku. Babai bëri lutjen e hapjes. Më pas Anxhelika mori botimin më të fundit të revistës Liahona dhe zgjodhi një artikull në pjesën për fëmijët. Ajo po mëson të lexojë në shkollë, kështu që ajo na e lexoi artikullin. Ndjenja në shtëpinë tonë ishte një ndjenjë qetësie. Shpirti dëshmoi se ajo që ajo po lexonte ishte e vërtetë.

Ne luajtëm disa lojëra së bashku dhe unë bëra lutjen e mbylljes. Teksa po lutesha, nuk reshtja së falënderuari Atin tonë Qiellor për Shpirtin e dashurinë e Tij, dhe gjithashtu që na kishte bekuar shtëpinë me këta shpirtra të vegjël. Unë dhe bashkëshorti im e dimë se përgjegjësia jonë është të kujdesemi për to dhe t’u mësojmë atyre ungjillin. Mbajtja e mbrëmjes familjare është pjesë e asaj përgjegjësie të shenjtë.

Silvi Pusin, Reunion