Shlyerja dhe Udhëtimi i Vdekshmërisë
Nga një bisedë e takimit shpirtëror të dhënë në Universitetin “Brigam Jang” më 23 tetor 2001. Për tekstin origjinal në anglisht, vizitoni speeches.byu.edu.
Fuqia ndihmuese e Shlyerjes na forcon ne për të bërë e për të qenë të mirë dhe për të shërbyer përtej dëshirës sonë vetjake dhe aftësive të zakonshme.
Synimi kryesor i ungjillit të Shpëtimtarit është përmbledhur shkurtimisht nga Presidenti Dejvid O. Mek-Kei (1873–1970): “Qëllimi i ungjillit është … t’i bëjë njerëzit e këqij të mirë dhe njerëzit e mirë më të mirë, dhe të ndryshojë natyrën njerëzore”1. Pra, udhëtimi i vdekshmërisë do të thotë të përparosh nga i keq, në i mirë, në më i mirë dhe të përjetosh ndryshimin e madh të zemrës – që të ndryshojmë karakterin tonë të rënë (shih Mosia 5:2).
Libri i Mormonit është manuali ynë i udhëzimeve ndërsa udhëtojmë në shtegun nga të qenit i keq, në të qenit i mirë, në të qenit më i mirë dhe luftojmë për t’i ndryshuar zemrat tona. Mbreti Beniamin na jep mësim rreth udhëtimit të vdekshmërisë dhe rolit të Shlyerjes në përmbushjen me sukses të atij udhëtimi: “Pasi njeriu i natyrshëm është një armik ndaj Perëndisë dhe ka qenë që nga rënia e Adamit dhe do të jetë gjithmonë e përgjithmonë, nëse ai nuk dëgjon thirrjet e Frymës së Shenjtë dhe nuk zhvesh njeriun e natyrshëm dhe nuk bëhet një shenjtor nëpërmjet shlyerjes së Krishtit Zot” (Mosia 3:19; theksimet e shtuara).
Ju tërheq vëmendjen me dy fraza të veçanta. Së pari – “zhvesh njeriun e natyrshëm”. Udhëtimi nga të qenit i keq në të qenit i mirë është procesi i zhveshjes së burrit ose gruas së natyrshme tek secili prej nesh. Në jetën tonë ne të gjithë tundohemi nga dëshirat e mishit. Shumë elemente me të cilat trupat tanë janë krijuar janë për nga natyra të rëna dhe gjithmonë të ndjeshëm për t’u tërhequr ndaj mëkatit, korrupsionit dhe vdekjes. Por ne mund ta rrisim aftësinë tonë për t’i mposhtur dëshirat e mishit dhe tundimet “nëpërmjet shlyerjes së Krishtit”. Kur ne bëjmë gabime, kur bëjmë shkelje dhe mëkatojmë, ne mund të pendohemi dhe të bëhemi të pastër me anë të fuqisë shlyese të Shlyerjes së Jezu Krishtit.
Së dyti – “bëhet një shenjtor”. Kjo frazë përshkruan vazhdimin dhe fazën e dytë të udhëtimit të jetës për t’i bërë “njerëzit e mirë më të mirë” ose, me fjalë të tjera, për t’u bërë më shumë si një shenjtor. Kjo pjesë e dytë e udhëtimit, ky proces i bërjes nga i mirë në më i mirë, është një temë rreth së cilës ne nuk studiojmë ose japin mësim shumë shpesh dhe nuk e kuptojmë siç duhet.
Dyshoj se shumë anëtarë të Kishës kanë më shumë njohuri për natyrën e fuqisë shlyese dhe pastruese të Shlyerjes sesa për fuqinë forcuese dhe ndihmuese. Kjo është një gjë që të dini se Jezu Krishti erdhi në tokë për të vdekur për ne – kjo është një pjesë e rëndësishme e doktrinës së Krishtit. Por gjithashtu ne duhet të vlerësojmë se Zoti dëshiron, me anë të Shlyerjes së Tij dhe nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë, të jetojë te ne – jo vetëm për të na drejtuar, por edhe për të na dhënë forcë.
Shumica prej nesh e di se kur bëjmë gjëra të gabuara, ne kemi nevojë për ndihmë për të kapërcyer pasojat e mëkatit në jetën tonë. Shpëtimtari e ka paguar çmimin dhe bëri të mundur për ne që të bëhemi të pastër me anë të fuqisë së Tij shlyese. Shumë prej nesh e kuptojnë qartësisht se Shlyerja është për mëkatarët. Megjithatë, nuk jam aq i sigurt se, ne e dimë dhe kuptojmë se Shlyerja është edhe për shenjtorët – për burrat dhe gratë e mira që janë të bindur, të denjë e të ndërgjegjshëm dhe që po përpiqen për t’u bërë më të mirë dhe për të shërbyer me më shumë besnikëri. Ne gabimisht mund të besojmë se duhet ta bëjmë udhëtimin, nga të bërit i mirë në më i mirë, dhe të bëhemi një shenjtor, plotësisht vetë, përmes fuqisë e kurajës mendore, forcës së vullnetit e të disiplinës dhe me aftësitë tona dukshëm të kufizuara.
Ungjilli i Shpëtimtarit nuk është thjesht për të shmangur gjërat e këqija në jetën tonë; para së gjithash është edhe për të bërë mirë e për t’u bërë i mirë. Dhe Shlyerja na ofron ndihmë për t’i mposhtur dhe shmangur gjërat e këqija dhe për të bërë mirë e për t’u bërë të mirë. Ndihma nga Shpëtimtari është e disponueshme për të gjithë udhëtimin e vdekshmërisë – nga të qenit i keq në të qenit i mirë e më i mirë dhe për të ndryshuar karakterin tonë.
Nuk jam duke sugjeruar se fuqitë shlyese dhe ndihmuese të Shlyerjes janë të ndara e të ndryshme nga njëra-tjetra. Përkundrazi, këto dy dimensione të Shlyerjes janë të lidhura dhe plotësuese; të dyja ato duhet të jenë vepruese gjatë gjithë fazave të udhëtimit të jetës. Dhe është përjetësisht e rëndësishme për të gjithë ne që të pranojmë se të dyja këto elemente thelbësore të udhëtimit të vdekshmërisë – edhe zhveshja e njeriut të natyrshëm dhe të bërit një shenjtor, edhe mposhtja e njeriut të keq dhe të bërit i mirë – përmbushen nëpërmjet fuqisë së Shlyerjes. Vullneti individual, vendosmëria dhe nxitja personale, planifikimi i efektshëm dhe vendosja e qëllimeve janë të nevojshme, por në fund të fundit të pamjaftueshme që ne ta përfundojmë ngadhënjimtarë këtë udhëtim të vdekshëm. Me të vërtetë, ne duhet të mbështetemi te “merit[at], dhe mëshira dhe hiri i Mesias së Shenjtë” (2 Nefi 2:8).
Hiri dhe Fuqia Ndihmuese e Shlyerjes
Tek “Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta” ne mësojmë se fjala hir shpesh përdoret në shkrimet e shenjta për të treguar fuqinë ndihmuese:
“[Hiri është] një fjalë që përsëritet shpesh në Dhiatën e Re, sidomos në shkrimet e Palit. Ideja kryesore e fjalës është metodë hyjnore ndihme ose force, dhënë përmes mëshirës bujare dhe dashurisë së Jezu Krishtit.
Është me anë të hirit të Zotit Jezus, që u bë e mundur përmes sakrificës së Tij shlyese, që njerëzimi do të ngrihet në pavdekësi, çdo person duke marrë trupin e tij nga varri në një gjendje të jetës së përjetshme. Në të njëjtën mënyrë, është me anë të hirit të Zotit që individët, nëpërmjet besimit në shlyerjen e Jezu Krishtit dhe pendimit nga mëkatet e tyre, marrin forcë dhe ndihmë për të bërë vepra të mira që përndryshe nuk do ishin në gjendje t’i mbanin nëse liheshin vetëm në përpjekjet e tyre. Ky hir është një fuqi ndihmuese që i lejon burrat dhe gratë të sigurojnë jetën e përjetshme dhe ekzaltimin pasi të kenë harxhuar përpjekjet e tyre më të mira.”2
Hiri është ndihma hyjnore ose mbështetja qiellore që i duhet dëshpërimisht secilit prej nesh për t’u kualifikuar për mbretërinë çelestiale. Prandaj, fuqia ndihmuese e Shlyerjes na forcon ne për të bërë mirë e për të qenë të mirë dhe për të shërbyer përtej dëshirës tonë vetjake dhe aftësive të zakonshme.
Në studimin tim vetjak, unë shpesh shtoj termin “fuqi ndihmuese” kurdoherë që ndesh fjalën hir. Për shembull, merrni parasysh këtë varg të cilin të gjithë e kemi hasur: “Ne e dimë se ne shpëtohemi nëpërmjet hirit, pas gjithçkaje që ne mund të bëjmë” (2 Nefi 25:23). Unë besoj se ne mund të mësojmë më shumë rreth këtij aspekti jetësor të Shlyerjes nëse do të shtojmë “fuqinë ndihmuese dhe forcuese” çdo herë që gjejmë fjalën hir në shkrimet e shenjta.
Ilustrime dhe Nënkuptime
Udhëtimi i vdekshmërisë është të bëhemi nga i keq, në i mirë, në më i mirë dhe të ndryshojmë karakterin tonë. Libri i Mormonit është i mbushur me shembuj dishepujsh dhe apostujsh që e dinin, e kuptuan dhe u shndërruan nga fuqia ndihmuese e Shlyerjes në bërjen e atij udhëtimi. Kur ne e kuptojmë gradualisht më mirë këtë fuqi të shenjtë, perspektiva jonë mbi ungjillin do të zgjerohet dhe pasurohet në masë të madhe. Një perspektivë e tillë do të na ndryshojë në mënyra të mrekullueshme.
Nefi është një shembull i atij që e njohu, e kuptoi dhe u mbështet mbi fuqinë ndihmuese të Shpëtimtarit. Kujtoni se bijtë e Lehit u kthyen në Jerusalem për të marrë Ishmaelin dhe familjen e tij në kauzën e tyre. Lamani dhe të tjerët në udhëtimin në grup me Nefin nga Jerusalemi përsëri për në vendin e shkretë u rebeluan, dhe Nefi i paralajmëroi vëllezërit e tij të kishin besim në Zot. Ishte në këtë pikë të udhëtimit të tyre që vëllezërit e Nefit e lidhën atë me litarë dhe planifikuan vdekjen e tij. Ju lutem, kujtoni lutjen e Nefit: “O Zot, sipas besimit tim që është te ti, a do të më shpëtosh nga duart e vëllezërve të mi; po, madje më jep fuqinë që t’i këpus këta rripa me të cilët jam i lidhur” (1 Nefi 7:17; theksimet e shtuara).
A e dini se në çfarë mënyre do të isha lutur nëse do të isha lidhur nga vëllezërit e mi? “Të lutem më nxirr nga kjo bela TANI!” Është veçanërisht interesante për mua se Nefi nuk u lut që të ndryshonin rrethanat e tij. Në vend të kësaj, ai u lut për forcë për të ndryshuar rrethanat e tij. Dhe unë besoj se ai u lut në këtë mënyrë pikërisht sepse e dinte, e kuptoi dhe e kishte përjetuar fuqinë ndihmuese të Shlyerjes.
Nuk besoj se rripat me të cilat ishte lidhur Nefi thjesht ranë nga duart dhe kyçet e tij në mënyrë magjike. Përkundrazi, unë dyshoj se ai u bekua si me forcën e këmbënguljes edhe atë personale përtej aftësisë së tij të zakonshme, që ai më pas “në fuqinë e Zotit” (Mosia 9:17) veproi, zgjidhi e tërhoqi litarët dhe, më në fund e me kuptimin e plotë të fjalës, qe në gjendje që t’i këpuste rripat.
Nënkuptimi i kësaj ngjarjeje për secilin prej nesh është i thjeshtë. Kur unë dhe ju arrijmë ta kuptojmë dhe ta përdorim fuqinë ndihmuese të Shlyerjes në jetën tonë vetjake, ne do të lutemi dhe do të kërkojmë për forcë për të ndryshuar rrethanat tona në vend që të lutemi që rrethanat tona të ndryshohen. Ne do të bëhemi faktorë që veprojnë në vend që të bëhemi objekte që kanë pësuar (shih 2 Nefi 2:14).
Merrni parasysh shembullin në Librin e Mormonit kur Alma dhe njerëzit i tij u persekutuan nga Amuloni. Zëri i Zotit erdhi te këta njerëz të mirë në pikëllimin e tyre dhe u tregoi:
“Dhe unë do t’ju lehtësoj gjithashtu barrat që ju janë vënë mbi shpatulla, që ju të mos i ndjeni në shpinat tuaja. …
Dhe tani ndodhi që barrat që iu vunë Almës dhe vëllezërve të tij u lehtësuan; po, Zoti i forcoi ata që të mund të duronin barrat e tyre me lehtësi dhe ata iu nënshtruan me gëzim dhe me durim gjithë vullnetit të Zotit” (Mosia 24:14–15; theksimet e shtuara).
Çfarë kishte ndryshuar në këtë situatë? Nuk ishte barra që ndryshoi; sfidat dhe vështirësitë e persekutimit nuk u hoqën menjëherë nga njerëzit. Por Alma dhe pasuesit e tij u forcuan dhe aftësia e forca e tyre e rritur i bënë barrat që ata mbajtën më të lehta. Këta njerëz të mirë ishin bërë të fuqishëm përmes Shlyerjes për të vepruar në pozicionin e agjentëve dhe për të ndikuar rrethanat e tyre. Dhe “në fuqinë e Zotit” Alma dhe njerëzit i tij më pas u drejtuan shëndoshë e mirë në tokën e Zarahemlës.
Ju me të drejtë mund të jeni duke pyetur veten: “Çfarë e bën historinë me Almën dhe njerëzit e tij një shembull të fuqisë ndihmuese të Shlyerjes?” Përgjigjja gjendet në krahasimin e vargjeve Mosia 3:19 dhe Mosia 24:15.
“Dhe nuk zhvesh njeriun e natyrshëm dhe nuk bëhet një shenjtor nëpërmjet shlyerjes së Krishtit Zot, dhe nuk bëhet si një fëmijë, i nënshtruar, i bindur, i përulur, i duruar, plot me dashuri, i gatshëm t’u nënshtrohet të gjitha gjërave që Zoti i sheh të përshtatshme të shkaktojë mbi të, madje sikurse një fëmijë i nënshtrohet atit të tij” (Mosia 3:19; theksimet e shtuara).
Ndërsa përparojmë në udhëtimin e vdekshmërisë nga të qenit i keq, në të qenit i mirë, në më i mirë, ndërsa zhveshim burrin dhe gruan e natyrshme në secilin prej nesh, dhe ndërsa përpiqemi për t’u bërë shenjtorë e ndryshojmë karakterin tonë, atëherë vetitë e caktuara në këtë varg duhet të përshkruajnë llojin e njeriut që unë dhe ju po bëhemi gjithnjë e më shumë. Ne do të bëhemi më shumë si fëmija, më të bindur, më të duruar dhe më të gatshëm për t’u nënshtruar.
Tani krahasojini këto karakteristika në Mosia 3:19 me ato të përdorura për të përshkruar Almën dhe njerëzit e tij: “Dhe ata iu nënshtruan me gëzim dhe me durim gjithë vullnetit të Zotit” (Mosia 24:15; theksimet e shtuara).
Unë gjej krahasime midis vetive të përshkruara në këto vargje shumë të dukshme dhe një tregues se njerëzit e mirë të Almës po bëheshin njerëz më të mirë nëpërmjet fuqisë ndihmuese të Shlyerjes së Krishtit Zotit.
Kujtoni historinë e Almës dhe Amulekut që e përmban Alma 14. Në këtë ngjarje shumë shenjtorë besnikë u dogjën në zjarr dhe këta dy shërbëtorë të Zotit u burgosën dhe u qëlluan. Merrni parasysh këtë kërkesë të bërë nga Alma kur u lut në burg: “O Zot na jep fuqi sipas besimit tonë që është në Krisht, madje deri në çlirim” (Alma 14:26; theksimet e shtuara).
Përsëri këtu, ne shohim kuptueshmërinë dhe mirëbesimin e Almës në fuqinë ndihmuese të Shlyerjes të treguar në kërkesën e tij. Dhe vini re përfundimin e kësaj lutjeje:
“Dhe ata [Alma dhe Amuleku] këputën litarët me të cilët ishin lidhur; dhe kur njerëzit e panë këtë, ata filluan t’ia mbathin, pasi frika e shkatërrimit kishte ardhur mbi ta. …
Dhe Alma dhe Amuleku dolën nga burgu pa pësuar dëm; pasi Zoti u dha atyre fuqi, sipas besimit të tyre që ishte në Krisht” (Alma 14:26, 28; theksimet e shtuara).
Edhe një herë fuqia ndihmuese është e dukshme ndërsa njerëzit e mirë luftojnë kundër të keqes dhe përpiqen për t’u bërë më të mirë dhe për të shërbyer me efektshmëri “në fuqinë e Zotit”.
Një shembull tjetër nga Libri i Mormonit është udhëzues. Në Alma 31, Alma kryeson një mision për të rifituar zoramitët që braktisën fenë, të cilët, pas ndërtimit të Rameumptomit të tyre, ofruan një lutje që ishte plot me krenari.
Vini re lutjen për forcë në lutjen personale të Almës: “O Zot, më jep mundësi, që të kem fuqi, që të vuaj me durim këto hidhërime që do të vijnë mbi mua, për shkak të paudhësisë së këtij populli” (Alma 31:31; theksimet e shtuara).
Alma gjithashtu u lut që shokët e tij të misionit të merrnin një bekim të ngjashëm: “Jepu mundësi, që ata të kenë fuqi, që të mund të durojnë hidhërimet e tyre që do të vijnë mbi ta për shkak të paudhësive të këtij populli” (Alma 31:33; theksimet e shtuara).
Alma nuk u lut që t’i hiqeshin hidhërimet. Ai e dinte se ishte një veprues për Zotin dhe ai u lut për fuqi që të vepronte e të ndikonte në gjendjen e tij.
Pika më e rëndësishme e këtij shembulli ndodhet në vargun e fundit të Alma 31: “[Zoti] u dha atyre fuqi që të mos vuanin nga ndonjë pikëllim, por që çdo gjë të përfshihej vetëm në gëzimin për Krishtin. Tani, kjo ishte sipas lutjes së Almës; dhe kjo, sepse ai u lut me besim” (vargu 38; theksimet e shtuara).
Hidhërimet nuk iu hoqën. Por Alma dhe shokët e tij misionarë u forcuan dhe u bekuan nëpërmjet fuqisë ndihmuese të Shlyerjes që të mos “vuanin nga ndonjë pikëllim, por që çdo gjë të përfshihej vetëm në gëzimin për Krishtin”. Çfarë bekimi i mrekullueshëm! Dhe çfarë mësimi që secili prej nesh duhet të mësojë.
Shembuj të fuqisë ndihmuese nuk gjenden vetëm në shkrimet e shenjta. Daniel W. Xhons u lind në 1830-ën në Misuri dhe ai u bashkua me Kishën në Kaliforni në vitin 1851. Në 1856-ën ai mori pjesë në shpëtimin e kompanive të karrocave të dorës që ishin bllokuar në Uajoming nga stuhitë e rënda të dëborës. Pasi grupi i shpëtimit i kishte gjetur shenjtorët që vuanin, ofroi atë mbështetje të menjëhershme që mundi, dhe bëri përgatitjet për të sëmurët dhe të dobëtit që do të çoheshin në Solt-Lejk-Siti, Danieli dhe disa të rinj të tjerë dolën vullnetarë për të qëndruar dhe për të ruajtur zotërimet e kompanisë. Ushqimi dhe furnizimet e lëna me Danielin dhe shokët e tij ishin të pakta dhe u përdorën me shpejtësi. Citati i mëposhtëm nga ditari personal i Daniel Xhonsit përshkruan ngjarjet që pasuan.
“Kafshët për gjueti shpejt u pakësuan kaq shumë sa nuk mund të vrisnim gjë. Ne e hëngrëm të gjithë mishin e paktë; dikujt do t’i shtohej uria duke e ngrënë atë. Së fundmi gjithçka mbaroi, s’kishte mbetur asgjë përveç lëkurëve të kafshëve. Ne provuam t’i hanim ato. Shumë ishte gatuar dhe ngrënë pa erëza dhe kjo e sëmuri të gjithë kompaninë. …
Situata dukej e pashpresë, por asgjë nuk mbeti përveç lëkurëve të gjalla e të pakta të kafshëve, të marra nga bagëtitë e uritura. Ne i kërkuam Zotit të na drejtonte se çfarë të bënim. Vëllezërit nuk u ankuan, por ndien se duhet të besonin në Perëndi. … Më në fund, unë pata përshtypjen se si t’i rregulloja gjërat dhe i dhashë këshillë kompanisë, duke i thënë se si ta gatuanim atë; që ta digjnin dhe t’ia shkulnim qimet; kjo kishte për qëllim që t’ia hiqte dhe pastronte shijen e keqe që i jepte gatimi me ujë të nxehtë ose avull. Pas djegies, e zienim për një orë me shumë ujë; duke e derdhur ujin që kishte nxjerrë gjithë zamkën, pastaj e lanim dhe e nxirrnim plotësisht lëkurën e kafshës, duke e larë me ujë të ftohtë, më pas e zienim në një pelte dhe e linim të ftohej, më pas e hanim me pak sheqer të spërkatur në të. Ky ishte mundim i madh, por nuk kishim ç’të bënim tjetër dhe ishte më mirë sesa të ngordhnim urie.
Ne i kërkuam Zotit që të bekonte stomakun tonë dhe që ta ndryshonte në mënyrë që të mësoheshim me këtë ushqim. … Dukej tashmë sikur të gjithëve u shijonte ushqimi. Ne rezistuam tre ditë pa ngrënë përpara se të bëhej kjo përpjekje e dytë. Ne e shijuam ushqimin e shijshëm për rreth gjashtë javë.”3
Në këto rrethana unë me siguri do të isha lutur për të ngrënë diçka tjetër: “Atë Qiellor, të lutem më dërgo një thëllëzë ose një buall”. Kishte gjasa që të mos më kishte shkuar në mendje të lutesha që stomaku im të forcohej dhe të përshtatej me ushqimin që kishim. Çfarë dinte Daniel W. Xhonsi? Ai dinte në lidhje me fuqinë ndihmuese të Shlyerjes së Jezu Krishtit. Ai nuk u lut që rrethanat e tij të ndryshonin. Ai u lut që të forcohej për t’u përballur me rrethanat e tij. Ashtu siç u forcuan Alma dhe njerëzit i tij, Amuleku dhe Nefi, Daniel W. Xhonsi pati largpamësinë shpirtërore për të ditur se çfarë të kërkonte në atë lutje.
Fuqia ndihmuese e Shlyerjes së Krishtit na forcon për të bërë gjëra që ne nuk do t’i bënim kurrë me forcat tona. Ndonjëherë unë pyes veten a mësojmë ne ndonjëherë në botën e sotme të rehatisë – në botën tonë të furrave ngrohëse dhe telefonave celularë e makinave me ajër të kondicionuar dhe shtëpive të rehatshme – t’i njohim varësitë tona të përditshme në fuqinë ndihmuese të Shlyerjes.
Motra Bednar është një grua shumë besnike dhe e urtë, dhe kam marrë mësime të rëndësishme për fuqinë forcuese nga shembulli i saj i qetë. Ekam parë atë të këmbëngulë gjatë sëmundjes së vazhdueshme e të shpeshtë në mëngjes – me plot kuptimin e fjalës e sëmurë çdo ditë për tetë muaj – gjatë secilës nga tre shtatzënitë e saj. Së bashku luteshim që ajo të bekohej, por ajo sfidë nuk iu hoq kurrë. Përkundrazi, asaj iu mundësua të bënte fizikisht atë ç’ka ajo nuk mund ta bënte me fuqinë e vet. Përgjatë viteve kam parë gjithashtu, se si ajo është forcuar që të përballonte talljen dhe përbuzjen që vjen nga një shoqëri e botës kur një grua shenjtore e ditëve të mëvonshme i vë veshin këshillës profetike dhe e bën familjen dhe edukimin e fëmijëve prioritetet e saj më të larta. Unë e falënderoj dhe jam mirënjohës për Suzanën që më ka ndihmuar për të mësuar mësime të tilla të paçmueshme.
Shpëtimtari e Di dhe e Kupton
Te Alma kapitulli 7 ne mësojmë se si dhe përse Shpëtimtari është në gjendje të sigurojë fuqinë ndihmuese:
“Dhe ai do të shkojë përpara, duke vuajtur dhimbje dhe hidhërime dhe tundime të çdo lloji; dhe kjo, që të plotësohet fjala që thotë se ai do të marrë përsipër dhembjet dhe sëmundjet e popullit të tij.
Dhe ai do të marrë përsipër vdekjen që ai të mund të zgjidhë rripat e vdekjes, që e lidhin popullin e tij; dhe ai do të marrë përsipër dobësitë e tyre, që zemra e tij të mund të mbushet me mëshirë, sipas mishit, që ai të mund të dijë, sipas mishit, se si të ndihmojë popullin e tij sipas dobësive të tyre” (Alma 7:11–12; theksimet e shtuara).
Shpëtimtari ka vuajtur jo vetëm për paudhësitë tona, por edhe për pabarazinë, padrejtësinë, dhembjen, vuajtjen dhe mundimet emocionale që aq shpesh na rrethojnë. Nuk ka dhembje fizike, ankth të shpirtit, vuajtje të shpirtit, sëmundje ose dobësi që unë dhe ju do të përjetojmë ndonjëherë gjatë udhëtimit të vdekshëm që nuk e përjetoi më parë Shpëtimtari. Unë dhe ju, kur ndihemi të dobët, mund të bërtasim me hidhërim: “Askush nuk e kupton. Askush nuk e di.” Ndoshta, asnjë qenie njerëzore nuk e di. Por Biri i Perëndisë e di dhe e kupton përsosmërisht, sepse Ai i ndieu dhe i mbajti barrat tona përpara se ne ta bënim ndonjëherë. Dhe për shkak se Ai pagoi çmimin përfundimtar dhe e mbajti atë barrë, Ai mund të na kuptojë plotësisht dhe mund të shtrijë ndaj nesh krahun e Tij të mëshirës në shumë faza të jetës sonë. Ai mund të arrijë, mund të na prekë emocionalisht, të na ndihmojë – të vrapojë vërtet drejt nesh – dhe të na forcojë që të jemi më shumë sesa mund të jemi ndonjëherë dhe të na ndihmojë të bëjmë atë që nuk do mund ta bënim kurrë duke u mbështetur vetëm mbi vetë fuqinë tonë.
“Ejani tek unë, o ju të gjithë të munduar dhe të rënduar, dhe unë do t’ju jap çlodhje.
Merrni mbi vete zgjedhën time dhe mësoni nga unë, sepse unë jam zemërbutë dhe i përulur nga zemra; dhe ju do të gjeni prehje për shpirtrat tuaj.
Sepse zgjedha ime është e ëmbël dhe barra ime është e lehtë!” (Mateu 11:28–30)
Unë shpall dëshminë dhe vlerësimin tim për sakrificën e pafundme e të përjetshme të Zotit Jezu Krisht. E di se Shpëtimtari jeton. Unë e kam provuar edhe fuqinë e Tij shlyese edhe fuqinë e Tij ndihmuese dhe unë dëshmoj se këto fuqi janë të vërteta dhe të disponueshme për secilin prej nesh. Në të vërtetë, “në fuqinë e Zotit” ne mund t’i bëjmë dhe t’i mposhtim të gjitha gjërat ndërsa shkojmë përpara në udhëtimin tonë të vdekshmërisë.