2012
Këshillat e Lagjeve në Punë
Prill 2012


Këshillat e Lagjeve në Punë

Shenjtorët e ditëve të mëvonshme janë duke përdorur këshillat e lagjeve dhe të degëve për të bekuar jetët e njerëzve në nevojë.

Në mbrëmjen e 22 majit 2011, në mes të zërit të sirenave të forta, një tornado masive preku zemrën e Xhoplinit, në Misuri të SHBA duke shkatërruar shtëpi dhe jetë. Lagjja e Parë e Xhoplinit u godit rëndë nga tornadoja, por menjëherë Peshkopi Kris Hofmen dhe këshilli i lagjes filluan të siguroheshin se anëtarët e lagjes qenë të sigurt.

“Ne patëm një plan-veprimi të gatshëm, sepse kishim folur rreth këtyre përgatitjeve në këshillin e lagjes përpara se të ndodhnin”, tha ai. “Ne gjithashtu u mbështetëm te Shpirti për të ditur se çfarë të bënim. Shtyllat e energjisë elektrike qenë rrëzuar. Telefonat celularë nuk funksionin. Ne u lutëm e dëgjuam në pritje të përgjigjeve dhe ato erdhën – ato gjithmonë kanë ardhur. Më bëri të ndihem i kënaqur dhe i gëzuar si peshkop të dëgjoja anëtarët kur thonin: ‘Kjo është ajo që kam bërë unë’, në vend që të thonin ‘Çfarë doni që unë të bëj?’”

Përgjigjja në Xhoplin tregon fuqinë e një këshilli lagjeje të bashkuar. “Mbledhja e këshillit të lagjes është një nga takimet më të rëndësishme në Kishë”, shkroi Plaku M. Rasëll Ballard, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, “sepse udhëheqësit e kuorumit të priftërisë dhe të organizatave ndihmëse mund të diskutojnë dhe të planifikojnë me peshkopatën. … Nga të gjithë këshillat dhe komitetet në Kishë, unë besoj se këshilli i lagjes mund të ketë ndikimin më të madh për të ndihmuar fëmijët e Atit tonë.”1

Të Bashkuar nga Dashuria dhe Besimi

Në Puerto-Françisko të Orellanës, një fshat i veçuar në xhunglat e Ekuadorit, anëtarët kanë një lidhje të fortë dashurie dhe besimi. Këshilli i degës çdo muaj tregon se sa shumë kujdesen ata. Ata përqendrohen së pari mbi individët dhe familjet, më pas tek mënyra se si mund të ndihmojnë programet. Frymëzimi pason.

Shumë anëtarë kanë nevojë për ndihmë për të gjetur punë. Këshilli i degës konstaton se sfidat e anëtarëve shpesh mund të zgjidhen në shkallë vendore. Ndërsa këshilli diskutoi për nevojat e një nëne të vetme me nje vajzë të vogël që kishte probleme shëndetësore, presidentja e Shoqatës së Ndihmës dinte një punë ku mamaja mund të punonte dhe ende të mund të ishte pranë vajzës së saj.

Këshilli i degës shfrytëzon gjithashtu burimet e Kishës, të tilla si materiale trajnimi për karrierën nga Shërbimet e Punësimit të SHDM.2 Ata krijuan një klasë ku jepte mësim një anëtar i degës, që i ndihmoi anëtarët e tjerë të degës për të gjetur një punë të mirë.

Ramiro Rijes, këshilltar i parë në presidencën e degës, thotë për këshillin e degës: “Ne jemi mjete në duart e Zotit. Ne do t’i përmbushim qëllimet e Tij përmes veprave tona.”

Shtegu drejt Tempullit

Në Liverpul të Nju-Jorkut në SHBA, ndërsa presidentja e Fillores Melisa Fisk mori pjesë në mbledhjen e këshillit të lagjes, ajo gradualisht e kuptoi fuqinë e saj. Kur ajo kërkoi brenda çantës për një bllok shënimesh, ajo gjeti një fotografi të 28 fëmijëve të Fillores në shkallët e Tempullit të Palmirës në Nju-Jork. Të gjithë qenë të mbuluar me thumba grenzash. Për një moment, figura e largoi vëmendjen e saj nga takimi, dhe ajo u përqendrua pak në ditën kur Fillorja e lagjes kishte shkuar në Palmira për të shijuar ndjesinë e shenjtë të tokës së tempullit. Për fat të keq, kur fëmijët shtruan batanijet e tyre, kishin përmbysur padashur një koshere grenzash.

Pasi të gjithë morën përkujdesje, udhëheqësit i ftuan fëmijët të preknin tempullin. Fëmijët refuzuan pasi kishin frikë se mund të kishte akoma grenza. Kështu që prindërit dhe udhëheqësit qëndruan në një rresht dhe krijuan një rrugë për në tempull. Kjo u dha fëmijëve kurajë për të ecur përpara.

Kur Melisa e ktheu vëmendjen e saj përsëri në mbledhjet e këshillit të lagjes, ajo mendoi: “Ah, sikur secili të mund të rrethohej nga miq dhe udhëheqës të tillë të dashur ndërsa bëjnë përpara drejt tempullit”.

Mendimet e saj u ndërprenë ndërsa dëgjoi presidenten e Shoqatës së Ndihmës të komentonte mbi një motër në nevojë: “Ajo nuk ishte në kishë të dielën e kaluar. Do të sigurohem që mësueset e saj vizitore ta vënë në dijeni për udhëtimin e ardhshëm në tempull.”

“Ata kanë kaluar shumë gjëra të vështira deri tani”, shtoi presidenti i kuorumit të pleqve. “Unë do të flas me mësuesit e tyre të shtëpisë dhe do të shoh nëse ka ndonjë gjë që mund të bëjmë.”

“Të rejat mund të ndihmojnë me kujdesin ndaj fëmijëve”, shtoi presidentja e Të Rejave.

Ndërkohë që Melisa vështroi fytyrat e anëtarëve të këshillit të lagjes, ajo pa kënaqësi dhe shqetësim të sinqertë. Një buzëqeshje erdhi në fytyrën e saj. “Zoti ka përgatitur mënyra për Fëmijët e Tij që të jenë të mbrojtur dhe të kenë dashuri”, mendoi ajo. “Këshilli i lagjes!”

Ashtu sikurse në Xhoplin, në Puerto-Fransisko të Orelanës dhe në Liverpul, udhëheqësit e Kishës në mbarë botën vazhdojnë të zbulojnë bekimet e këshillave të lagjeve dhe degëve. Kur veprojnë, ata do të marrin fuqinë e jashtëzakonshme të këtyre këshillave për të ndihmuar Zotin që t’i bekojë fëmijët e Tij dhe për të përmbushur punën e Tij.

Shënime

  1. M. Russell Ballard, Counseling with Our Councils: Learning to Minister Together in the Church and in the Family (1997), f. 102.

  2. The Career Workshop Participant’s Workbook (artikulli nr. 35163) është i disponueshëm përmes store.lds.org, Shërbimet e Shpërndarjes ose qendra të Kishës për burimet për punësim.

Majtas: fotoilustrim nga Craig Dimond

Majtas: fotoilustrim nga Joshua J. Perkey