2012
Mos u Rrëzoni
Prill 2012


Mos u Rrëzoni

Parandalojini problemet e mëdha më vonë duke ndrequr problemet e vogla tani.

Andreit i kanë pëlqyer shumë aeroplanët që kur ishte i vogël. Por ndërkohë që ka shumë që ëndërrojnë të fluturojnë, Andrei nuk mendon të fluturojë me aeroplanë; ai interesohet për ndërtimin e aeroplanëve. Ky 16–vjeçar nga Rumania po studion për t’u bërë mekanik aeroplanësh.

Në Rumani adoleshentët mund të zgjedhin të ndjekin një shkollë të mesme për t’u përgatitur për universitetin ose të ndjekin një shkollë profesionale. Për shkak të dashurisë së Andreit për aeroplanët, vendimi i tij për të ndjekur shkollën profesionale të aviacionit qe i lehtë.

Mekanikët e aeroplanëve nuk bëjnë thjesht rregullimin e aeroplanëve që janë prishur. Një nga gjërat më të rëndësishme që bëjnë ata është që ata i kontrollojnë dhe i mirëmbajnë aeroplanet në mënyrë që të mos prishen. Ata kontrollojnë rregullisht gjithçka në një aeroplan, që nga helikat deri tek rrotat e zbritjes si dhe çdo pjesë tjetër.

“Mund të jetë e vështirë të gjesh problemin e vogël që mund të shkaktojë rrëzimin e një avioni”, thotë Andrei. “Por ta gjesh është shumë më e lehtë sesa të përpiqesh ta montosh të gjithë avionin sërish.”

Të pasurit e një programi të rregullt mirëmbajtjeje dhe kundërshtimi për ta shpërfillur atë janë të rëndësishme – edhe për aeroplanët edhe për anëtarët e Kishës – në mënyrë që të gjenden dhe të ndreqen problemet përpara se të bëhen një kërcënim mekanik apo shpirtëror për jetën.

Mirëmbajtja Shpirtërore

Andrei jeton në Bukuresht, një qytet me pothuajse dy milionë njerëz. Sidoqoftë, Kisha është relativisht e re në Rumani dhe ka vetëm aq anëtarë sa për të krijuar dy degë në Bukuresht. Andrei dhe familja e tij jetojnë larg nga anëtarët e tjerë të degës së tyre. Andrei e ndien ndikimin e botës rreth tij në shkollë dhe mes miqve të tij. Ai e di sa e thjeshtë do të ishte të rrëzohej – nga ana shpirtërore – nëse ai nuk e mban gjallë mirëmbajtjen e rregullt shpirtërore.

Jeta mund të jetë e ngarkuar. Përkrah kohës që Andrei kalon me mësimet e shkollës, futbollin dhe kompjuterin, ai gjen kohë për t’u lutur, për të agjëruar, për të studiuar shkrimet dhe për të përmbushur përgjegjësitë e tij si prift. Ai sigurohet edhe që të “shkojë” në seminar, gjë të cilën ai e bën përmes internetit për shkak të largësisë.

Bërja e këtyre gjërave është pjesë e mirëmbajtjes së rregullt shpirtërore që ndihmon për t’i gjetur dhe ndrequr dobësitë përpara se ato të çojnë në një rrëzim të natyrës shpirtërore kërcënues për jetën.

“Ka disa gjëra që ju thjesht duhet t’i bëni rregullisht – duke krijuar një zakon”, thotë ai. “Ju nuk mund ta lejoni jetën t’ju marrë përpara.”

Rrëzimet Shpirtërore

Andrei ka mësuar se, nëse ne nuk e kryejmë mirëmbajtjen shpirtërore rregullisht, forca të tilla si stresi ose trysnia e moshatarëve mund ta mposhtin qëndresën tonë ndaj tundimit. Kur kjo ndodh, nuk duhet shumë kohë përpara se ne të humbasim drejtimin, kontrollin dhe përfundimisht fuqinë tonë shpirtërore.

Ashtu si një aeroplan pa fuqi do të nisë të bjerë, kur mëkatojmë, ne humbasim fuqinë shpirtërore dhe biem, duke rritur largësinë tonë nga qielli dhe duke shkuar herët apo vonë drejt një rrëzimi shpirtëror.

Ndërkohë që është e mundur që Shlyerja e Shpëtimtarit të na ndreqë përsëri pasi të rrëzohemi, është shumë më mirë të mbështetemi në fuqinë e Tij që të na ndihmojë ta ndreqim problemin kur është i vogël – përpara se të shkaktojë një gjëmë shpirtërore.

Rreziku i Shpërfilljes

Mendimi i shpërfilljes të mirëmbajtjes mekanike në një aeroplan nuk i ka shkuar kurrë në mendje Andreit. Shpërfillja nuk është një alternativë. “Ka ligje për këtë”, thotë ai. Por nëse ai vërtet do ta shpërfillte mirëmbajtjen – vetëm një herë – ai e pranon se “ndoshta nuk do të ndodhte asgjë”.

Ndoshta problemi më i madh me shpërfilljen nuk është që aeroplani do të rrëzohet menjëherë por që nuk do të rrëzohet. “Nëse asgjë e keqe nuk ndodh kur unë të shpërfill sot, unë do të tundohem më lehtë për të shpërfillur të nesërmen”, thotë ai.

Kur mirëmbajtja shpërfillet rregullisht, forcat dhe tensioni i ushtruar mbi aeroplan – ose mbi ne – do të bëjë që diçka të shkojë keq herët a vonë. “Përfundimisht ne do të rrëzohemi”, thotë ai.

Kjo është arsyeja përse Perëndia na ka dhënë edhe neve ligje për mirëmbajtjen e rregullt shpirtërore. “Ju do të mblidheni [në kishë] shpesh” (3 Nefi 18:22; theksimet shtuar). Lutuni gjithmonë (shih 3 Nefi 18:19). Kërkojini shkrimet me zell (shih 3 Nefi 23:1–5). “Virtyti duhet t’i stolisë mendimet e tua pa pushim” (DeB 121:45; theksimet shtuar). Vizitojeni tempullin rregullisht.1

Mbajtja e këtyre ligjeve dhe kryerja e mirëmbajtjes së rregullt shpirtërore do të bëjnë që të fluturojmë në shtegun e duhur.

“Një aeroplan është ndërtuar që të ngrihet nga toka, që të largohet nga bota”, thotë Andrei. “Kjo është ajo çka Ati Qiellor dëshiron për ne. Me mirëmbajtje të rregullt, ne do të arrijmë të sigurt atje ku dëshirojmë të shkojmë – përsëri në qiell.”

Shënim

  1. Shih Tomas S. Monson, “Tempulli i Shenjtë Një Fener për Botën”, Liahona, maj 2011, f. 92.

  2. Shih Joseph B. Wirthlin, “True to the Truth”, Ensign, maj 1997, f. 17.

Fotografi aeroplani nga iStockphoto © Christopher Pattberg; djathtas: fotografi nga Adam C. Olson

Fotografi e një krahu avioni nga Adam C. Olson; fotografi e një liste shënimesh nga John Luke