Biblioteka
Nuk do të Kesh Perëndi të Tjerë
Nëntor 2013


Nuk do të Kesh Perëndi të Tjerë

A po u shërbejmë përparësive ose perëndive të tjerë përpara Perëndisë, të cilin shpallim se e adhurojmë?

Dhjetë Urdhërimet janë thelbësore për besimet e krishtera dhe judease. Të dhënë nga Perëndia fëmijëve të Izraelit nëpërmjet profetit Moisi, dy të parët prej këtyre urdhërimeve drejtojnë adhurimin dhe përparësitë tona. Tek i pari, Zoti urdhëroi: “Nuk do të kesh perëndi të tjerë para meje” (Eksodi 20:3). Shekuj më vonë, kur Jezusi u pyet: “Cili është urdhërimi i madh i ligjit?” Ai u përgjigj: “Duaje Zotin, Perëndinë tënde me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe më gjithë mendjen tënde” (Mateu 22:36–37).

I dyti prej Dhjetë Urdhërimeve shtjellon imtësisht udhëzimin për të mos pasur perëndi të tjerë dhe përcakton se cila duhet të jetë përparësia më e madhe në jetën tonë si fëmijë të Tij. “Nuk do të bësh skulpturë ose shëmbëlltyrë të asnjë gjëje” në qiej apo tokë (Eksodi 20:4). Urdhërimi më pas shton: “Nuk do të përkulesh para tyre dhe as do t’i shërbesh” (Eksodi 20:5). Më shumë sesa thjesht ndalimin e idhujve fizikë, kjo shpreh një përparësi themelore për të gjithë kohën. Jehova shpjegon: “Sepse unë, Zoti, Perëndia yt, jam një Perëndi xheloz … unë përdor dashamirësi … për ata që më duan dhe që zbatojnë urdhërimet e mia” (Eksodi 20:5–6). Kuptimi i fjalës xheloz nxjerr në pah disa gjëra. Origjina e saj hebraike do të thotë “ndjenja delikate zotëruese e të thella” (Eksodi 20:5, shih shënimin b në fund të faqes në Biblën shdm në anglisht). Si rrjedhojë, ne e fyejmë Perëndinë kur “u shërbejmë” perëndive të tjerë – kur kemi përparësi të tjera të para.1

I.

Cilave përparësi të tjera po “u shërbejnë” njerëzit përpara Perëndisë – madje edhe njerëzit fetarë – në kohën tonë? Merrini parasysh këto mundësi, të gjitha të zakonshme në botën tonë:

  • Traditat kulturore dhe familjare

  • Korrektësia politike

  • Synimet për karrierë

  • Zotërimet materiale

  • Veprimtaritë e kohës së lirë

  • Pushteti, ngritja në përgjegjësi dhe fama

Nëse asnjëri prej këtyre shembujve nuk duket se gjen zbatim për asnjë prej nesh, ne ndofta mund të sugjerojmë të tjerë që e bëjnë. Parimi është më i rëndësishëm se shembujt e mëvetësishëm. Pyetja nuk është a kemi ose jo përparësi të tjera. Pyetja e shtruar nga urdhërimi i dytë është “Cila është përparësia jonë më e madhe?” A po u shërbejmë përparësive ose perëndive të tjerë përpara Perëndisë, të cilin shpallim se e adhurojmë? A kemi harruar ta ndjekim Shpëtimtarin që na mësoi se nëse e duam Atë, do t’i mbajmë urdhërimet e Tij? (shih Gjoni 14:15). Nëse po, përparësitë tona janë kthyer përmbys nga plogështia shpirtërore dhe orekset e padisiplinuara kaq të zakonshme në kohën tonë.

II.

Për shenjtorët e ditëve të mëvonshme, urdhërimet e Perëndisë bazohen dhe janë të pandashme nga plani i Perëndisë për fëmijët e Tij – plani i madh i shpëtimit. Ky plan, i quajtur ndonjëherë “plani [i] madh [i] lumturisë” (Alma 42:8), shpjegon origjinën dhe fatin tonë si fëmijë të Perëndisë – nga erdhëm, përse jemi këtu dhe ku do të shkojmë. Plani i shpëtimit shpjegon qëllimin e krijimit dhe kushtet e vdekshmërisë, përfshirë urdhërimet e Perëndisë, nevojën për një Shpëtimtar dhe rolin jetik të familjeve të vdekshme e të përjetshme. Nëse ne, shenjtorët e ditëve të mëvonshme, që na është dhënë kjo njohuri, nuk i vendosim përparësitë tona në përputhje me këtë plan, rrezikojmë t’u shërbejmë perëndive të tjerë.

Njohuria për planin e Perëndisë për fëmijët e Tij u jep shenjtorëve të ditëve të mëvonshme një pikëpamje të pashoqe mbi martesën dhe familjen. Ne njihemi saktësisht si një kishë e përqendruar te familja. Teologjia jonë fillon me prindër qiellorë dhe qëllimi ynë më i lartë është të marrim plotësinë e ekzaltimit të përjetshëm. Ne e dimë se kjo është e mundur vetëm në një lidhje familjare. E dimë se martesa mes një burri dhe një gruaje është e nevojshme për përmbushjen e planit të Perëndisë. Vetëm kjo martesë do të sigurojë mjedisin e miratuar për lindjen në vdekshmëri dhe përgatitjen e pjesëtarëve të familjes për jetë të përjetshme. Ne e shohim martesën e rritjen dhe edukimin e fëmijëve si pjesë të planit të Perëndisë dhe si një detyrë e shenjtë e atyre që u është dhënë mundësia për ta bërë atë. Ne besojmë se thesaret më të mëdha në tokë dhe në qiell janë fëmijët dhe pasardhësit tanë.

III.

Për shkak të asaj që kuptojmë rreth rolit të mundshëm të përjetshëm të familjes, ne brengosemi nga numrat gjithnjë e në zbritje të dukshme të lindjeve dhe martesave në shumë vende perëndimore, kulturat historike të të cilave janë të krishtera dhe judease. Burimet përgjegjëse për këtë raportojnë sa vijon:

  • Shtetet e Bashkuara tani kanë normën më të ulët të lindjeve në historinë e vet2 dhe në shumë kombe të Bashkimit Europian dhe shtete të tjera të zhvilluara normat e lindjeve janë nën nivelin e nevojshëm për të ruajtur popullatat e tyre3. Kjo kërcënon mbijetesën e kulturave dhe madje të kombeve.

  • Në Amerikë, përqindja e të rinjve në moshë madhore të moshave 18 deri 29 vjeç ra nga 59 përqind në vitin 1960, në 20 përqind deri në vitin 2010.4 Mosha mesatare e martesës së parë tani është në nivelin më të lartë në histori: 26 vjeç për gratë dhe pothuajse 29 vjeç për burrat.5

  • Në shumë vende dhe kultura 1) familja tradicionale e një nëne e babai të martuar dhe fëmijëve sa vjen e po bëhet përjashtimi sesa rregulli, 2) ndjekja e karrierës në vend të martesës dhe rritjes së fëmijëve është një zgjedhje gjithnjë e në rritje e shumë të rejave dhe 3) roli dhe nevoja e kuptueshme për etërit po zvogëlohet.

Në mes të të gjitha këtyre prirjeve shqetësuese, ne gjithashtu jemi të vetëdijshëm se plani i Perëndisë është për të gjithë fëmijët e Tij dhe se Perëndia i do të gjithë fëmijët e Tij, anembanë.6 Kapitulli i parë i Librit të Mormonit deklaron se “fuqia, dhe mirësia, dhe mëshira [e Perëndisë] janë mbi të gjithë banorët e tokës” (1 Nefi 1:14). Një kapitull i mëvonshëm deklaron se “[Ai] u[a] ka dhënë lirisht [shpëtimin e tij] të gjithë njerëzve” dhe se “të gjithë njerëzit gëzojnë të njëjtin privilegj si njëri, ashtu edhe tjetri dhe asnjëri nuk është i ndaluar” (2 Nefi 26:27–28). Për pasojë, shkrimet e shenjta japin mësim se ne jemi përgjegjës për të qenë të dhembshur dhe dashamirës (të dashur) me të gjithë njerëzit (shih 1 Thesalonikasve 3:12; 1 Gjonit 3:17; DeB 121:45).

IV.

Ne jemi gjithashtu plot respekt ndaj besimeve fetare të të gjithë njerëzve dhe madje atyre numrave gjithnjë e në rritje që shpallin mosbesim në Perëndi. Ne e dimë se, nëpërmjet fuqisë së zgjedhjes së dhënë nga Perëndia, shumë do të mbajnë bindje në kundërshtim me tonat, por ne shpresojmë se të tjerët do të kenë po aq respekt për bindjet tona fetare dhe të kuptojnë se bindjet tona na shtyjnë ne drejt disa zgjedhjeve e sjelljeve të ndryshme nga të tyret. Për shembull, ne besojmë se, si një pjesë thelbësore e planit të Tij të shpëtimit, Perëndia ka vendosur një standard të përjetshëm se marrëdhëniet seksuale duhet të ndodhin vetëm mes një burri dhe një gruaje që janë të martuar.

Fuqia për të krijuar jetë në vdekshmëri është fuqia më e ekzaltuar që Perëndia u ka dhënë fëmijëve të Tij. Përdorimi i saj iu dha me anë të urdhërimit të parë të Perëndisë Adamit dhe Evës (shih Zanafilla 1:28), por u dhanë urdhërime të tjera të rëndësishme për të ndaluar keqpërdorimin e saj (shih Eksodi 20:14; 1 Thesalonikasve 4:3). Theksi që vendosim te ligji i dëlirësisë, shpjegohet nga të kuptuarit prej nesh të qëllimit të fuqive tona krijuese në përmbushjen e planit të Perëndisë. Jashtë lidhjeve të martesës mes një burri dhe një gruaje, të gjithë përdorimet e fuqive tona krijuese janë, në një shkallë apo një tjetër, mëkat dhe në kundërshtim me planin e Perëndisë për ekzaltimin e fëmijëve të Tij.

Rëndësia që i bashkëngjitim ligjit të dëlirësisë, shpjegon zotimin tonë për modelin e martesës që i ka fillesat me Adamin dhe Evën si dhe ka vazhduar përgjatë epokave si modeli i Perëndisë për marrëdhënien riprodhuese midis bijve dhe bijave të Tij dhe për edukimin e fëmijëve të Tij. Fatmirësisht, shumë njerëz të bashkuar me besime ose organizata të tjera bien dakord me ne për natyrën dhe rëndësinë e martesës, disa bazuar te doktrina fetare dhe të tjerët bazuar tek ajo që ata mendojnë se është më e mira për shoqërinë.

Njohuria jonë për planin e Perëndisë për fëmijët e Tij7 shpjegon përse jemi në ankth se gjithnjë e më shumë fëmijë po lindin jashtë martese – aktualisht 41 përqind të të gjitha lindjeve në Shtetet e Bashkuara8 – dhe se numri i çifteve që jetojnë së bashku pa u martuar, është rritur ndjeshëm në gjysmëshekullin e kaluar. Pesë dhjetëvjeçarë më parë, vetëm një përqindje e vogël e martesave të para u paraprinë nga bashkëjetesa. Tani, bashkëjetesa u paraprin 60 përqind të martesave.9 Dhe kjo pranohet gjithnjë e më tepër, sidomos mes adoleshentëve. Të dhënat e një studimi të fundit zbuluan rreth 50 përqind të adoleshentëve që shprehën se rritja e fëmijëve jashtë martese ishte një “mënyrë jetesë e denjë”10.

V.

Ka shumë trysni politike e shoqërore për ndryshime ligjore dhe rregulloresh për të themeluar sjellje në kundërshtim me dekretet e Perëndisë rreth moralshmërisë seksuale dhe në kundërshtim me natyrën e përjetshme të qëllimeve të martesës dhe rritjes së fëmijëve. Këto trysni kanë autorizuar tashmë martesa mes të njëjtës gjini në shtete dhe kombe të ndryshme. Trysni të tjera do ta pështjellonin gjininë ose do t’i asgjësonin ato ndryshime mes burrave dhe grave që janë thelbësore për të përmbushur planin e madh të Perëndisë për lumturinë.

Të kuptuarit e planit të Perëndisë dhe doktrinës së Tij prej nesh, na jep një këndvështrim të përjetshëm që nuk na lejon t’i anashkalojmë sjellje të tilla ose të gjejmë justifikime te ligjet që i lejojnë ato. Dhe, ndryshe nga organizatat e tjera që mund t’i ndryshojnë rregulloret e madje dhe doktrinat e tyre, rregullorja jonë vendoset nga të vërtetat që Perëndia i ka përcaktuar si të pandryshueshme.

Neni ynë i dymbëdhjetë i besimit shpreh bindjen tonë në të qenit të nënshtruar ndaj autoritetit civil dhe “në bindjen, nderimin dhe mbështetjen e ligjit”. Por ligjet e njeriut nuk mund ta bëjnë të moralshme atë që Perëndia e ka deklaruar të pamoralshme. Zotimi ndaj përparësive tona më të larta – dashurisë dhe shërbimit ndaj Perëndisë – kërkon që ne ta shikojmë ligjin e Tij si standardin tonë të sjelljes. Për shembull, ne mbetemi nën urdhrin hyjnor për të mos kryer shkelje kurore ose lavirësi madje edhe kur ato vepra nuk janë më krime sipas ligjeve të shteteve ose vendeve ku banojmë. Në mënyrë të ngjashme, ligjet që e bëjnë të ligjshme të ashtuquajturën “martesë mes të njëjtës gjini”, nuk e ndryshojnë ligjin e Perëndisë për martesën ose urdhërimet e Tij dhe standardet tona lidhur me të. Ne mbetemi në besëlidhje që ta duam Perëndinë dhe t’i mbajmë urdhërimet e Tij dhe të përmbahemi nga shërbimi ndaj perëndive e përparësive të tjera – edhe atyre që po bëhen të përhapura në kohën dhe vendin tonë të posaçëm.

Nga kjo vendosmëri, ne mund të keqkuptohemi dhe mund të hasim akuza për fanatizëm, të vuajmë diskriminim, ose të na duhet të durojmë ndërhyrje në ushtrimin tonë të lirë të fesë. Nëse ndodh kështu, mendoj se duhet të kujtojmë përparësinë tonë të parë – t’i shërbejmë Perëndisë – dhe, si pararendësit tanë pionierë, t’i shtyjmë karrot tona vetjake të dorës përpara me të njëjtën forcë morale që ata treguan.

Një mësim i Presidentit Tomas S. Monson gjen zbatim në këtë rrethanë. Në këtë konferencë, 27 vjet më parë, ai deklaroi trimërisht: “Paçim guximin për t’iu kundërvënë mendimit të përgjithshëm, guximin për t’i qëndruar parimit. Guximi, jo kompromisi, e sjell buzëqeshjen e miratimit të Perëndisë. Guximi bëhet një virtyt i gjallë dhe tërheqës kur konsiderohet jo vetëm si një gatishmëri për të vdekur si burrë, por si vendosmëria për të jetuar denjësisht. Një burracak moral është dikush që ka frikë të bëjë atë që e di se është e drejtë sepse të tjerët nuk do të jenë dakord ose do të qeshin. Mbani mend se të gjithë njerëzit kanë frikë, por edhe ata që përballen me frikën e vet me dinjitet kanë guxim.”11

Lutem që të mos i lejojmë sfidat e përkohshme të vdekshmërisë të na bëjnë t’i harrojmë urdhërimet dhe përparësitë e mëdha që na janë dhënë nga Krijuesi e Shpëtimtari ynë. Ne nuk duhet t’i vendosim kaq shumë zemrat tona mbi gjërat e botës dhe të synojmë nderet e njerëzve (shih DeB 121:35) sa të ndalojmë së përpjekuri për të arritur fatin tonë të përjetshëm. Ne që e dimë planin e Perëndisë për fëmijët e Tij – ne që kemi bërë besëlidhje për të marrë pjesë në të – kemi një përgjegjësi të qartë. Ne nuk duhet t’i shmangemi asnjëherë dëshirës sonë më të madhe, që është të arrijmë jetën e përjetshme.12 Ne asnjëherë nuk duhet ta nënvlerësojmë përparësinë tonë të parë – të mos kemi perëndi të tjerë dhe të mos u shërbejmë përparësive të tjera përpara Perëndisë, Atit dhe Birit të Tij, Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit.

Na ndihmoftë Perëndia ta kuptojmë këtë përparësi dhe të kuptohemi nga të tjerët teksa kërkojmë ta ndjekim atë në një mënyrë të urtë e dashamirëse, lutem unë në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Shih, për shembull, Doktrina e Besëlidhje 124:84.

  2. Shih Joyce A. Martin and others, “Births: Final Data for 2011”, National Vital Statistics Reports, vëll. 62, nr. 1 (28 qershor 2013), f. 4; Gloria Goodale, “Behind a Looming Baby Bust”, Christian Science Monitor Weekly, 4 shkurt 2013, f. 21, 23.

  3. Shih Population Reference Bureau, “2012 World Population Data Sheet”, www.prb.org/Publications/Datasheets/2012/world-population-data-sheet/data-sheet.aspx.

  4. Shih D’Vera Cohn and others, “Barely Half of U.S. Adults Are Married – a Record Low”, Pew Research Center, Social and Demographic Trends, 14 dhjetor 2011, e disponueshme te www.pewsocialtrends.org/2011/12/14/barely-half-of-u-s-adults-are-married-a-record-low; “Rash Retreat from Marriage”, Christian Science Monitor, 2 dhe 9 janar 2012, f. 34.

  5. U.S. Census Bureau, “Estimated Median Age at First Marriage, by Sex: 1890 to Present”, e disponueshme te www.census.gov/population/socdemo/hh-fam/ms2.xls.

  6. Shih Dallin H. Oaks, “All Men Everywhere”, Liahona, maj 2006, f. 77–80.

  7. Shih Dallin H. Oaks, “The Great Plan of Happiness”, Ensign, nëntor 1993, f. 72–75.

  8. Shih Martin, “Births: Final Data for 2011”, f. 4.

  9. Shih The State of Our Unions: Marriage in America, 2012 (2012), f. 76.

  10. Shih The State of Our Unions, f. 101, 102.

  11. Thomas S. Monson, “Courage Counts”, Ensign, nëntor 1986, f. 41.

  12. Shih Dallin H. Ouks, “Dëshirë”, Liahona, maj 2011, f. 42–45.