Paqe në Zemrën Time
Kur isha tetë vjeçe, pashë profetin, Presidentin Dejvid O. Mek–Kei (1873–1970). Ai erdhi për të përkushtuar një godinë të re të Kishës në Palmira, Nju-Jork, SHBA. Familja ime shkoi për përkushtimin. Erdhën edhe shumë njerëz të tjerë. Ne ishim të gjithë të entuziazmuar që do ta shihnim profetin!
Isha tepër e vogël, ndaj ishte e vështirë për mua të shihja përreth të gjithë njerëzve. Por prapëseprapë munda ta ndieja dashurinë e Presidentit Mek-Kei. Për vetëm një çast, pashë flokët e tij të bardhë dhe fytyrën e tij të dashur. Mendova: “Ja çfarë pamje ka një profet i Perëndisë”. Kam lexuar për profetët në shkrimet e shenjta, por kjo ishte hera ime e parë që shihja një profet ose ndonjë Autoritet të Përgjithshëm personalisht. E kuptova se profetët janë njerëz të vërtetë. Dhe ata na duan ne! Do ta kujtoj përherë dashurinë dhe paqen që ndjeva atë ditë.
Kur isha 11 vjeçe, pata një tjetër përvojë që më ndihmoi të ndieja paqe në zemrën time. Po afrohej konferenca e kunjit dhe unë do të këndoja në korin e kunjit. Isha kaq e emocionuar! Vesha një këmishë të bardhë të bukur dhe u ndjeva shumë e veçantë. Kënga që kënduam, kishte fjalët nga Gjoni 14:27: “Unë po ju lë paqen, po ju jap paqen time: unë po ua jap, po jo si e jep bota; zemra juaj mos u trondittë dhe mos u frikësoftë”.
Ato fjalë vërtet më prekën në zemër dhe i kam kujtuar ato qysh atëherë. Kur i këndoja ato fjalë, e dija se ishin të vërteta. E ndjeva Frymën e Shenjtë të më thoshte se ndjekja e Jezu Krishtit na ndihmon të ndiejmë paqe. Që nga ajo kohë, kurdoherë që kam sfida, ky shkrim i shenjtë më vjen në mendje dhe më jep paqe. E vërteta që mësova kur isha e re, e ka bekuar gjithë jetën time.