Pyetje & Përgjigje
“Në shkollë më tallin ngaqë jam shdm. E di se duhet t’i mbroj bindjet e mia, por është kaq e vështirë! Si mund të bëhem mjaft i guximshëm?”
Keni të drejtë që ju duhet guxim për t’i bërë ballë kësaj situate. Megjithatë, Jezu Krishti ka urdhëruar: “Ngrihuni e shkëlqeni, që drita juaj të mund të jetë një flamur për kombet” (DeB 115:5). Por të keni kurajën për ta lënë dritën tuaj të shkëlqejë mund ose mund të mos nënkuptojë të flisni kundër atyre që ju përqeshin.
Në secilin rast, ju mund ta lini palën kundërshtare t’ju frymëzojë për të qenë më i mirë. Ndërsa punoni fort për ta forcuar dëshminë tuaj, ju mund të zhvilloni llojin e kurajës së heshtur që do t’ju ndihmojë ta thoni mendimin tuaj ose thjesht të vazhdoni të bëni atë që është e drejtë, edhe kur të tjerët ju përqeshin.
Të qenit i tallur mund të jetë trishtuese, por mbani mend që ju mund të luteni për t’u mbushur me dashuri hyjnore, në mënyrë që të tjerët të mund ta ndiejnë dashurinë e Krishtit nëpërmjet jush (shih Moroni 7:48). Për shkak se çdo situatë është e veçantë, kërkoni udhërrëfimin e Shpirtit për të ditur se si të reagoni në një mënyrë si të Krishtit në secilin rast.
Në varësi të situatës, do të ishte më mirë që të flisni veçan me ata që ju kanë tallur ose thjesht t’i shpërfillni përqeshjet armiqësore ndërsa vazhdoni t’i jetoni bindet tuaja. Nëse të tjerët nuk janë të interesuar ta dëgjojnë atë që ju keni për të thënë, shembulli juaj i dashamirësisë, faljes dhe sinqeritetit mund të jetë mesazhi më i mirë që mund të dërgoni.
Tregoni Kurajë të Vërtetë
Ata që tallen me ju, mund të mos ndalojnë thjesht sepse ju bëheni mjaft të guximshëm që t’u kërkoni atyre të ndalojnë, por ata mund të ndalojnë kur ju shfaqni kurajën tuaj duke e jetuar atë që jeni – një shenjtor i ditëve të mëvonshme. Pa e kuptuar, shkëlqimi i miratimit të Atit tonë Qiellor do të ndriçojë mbi ju, me shpresën se do t’i hapë sytë e tyre ndaj ungjillit të rivendosur në jetën tuaj.
Brajt U., mosha 17 vjeç, Shteti i Imos, Nigeri
Gjeni Forcë në Gjërat Bazë
Lutja dhe agjërimi janë të rëndësishme sepse ato do t’ju ndihmojnë që të jeni në gjendje të përballeni me shakatë dhe sfidat në shkollë, ashtu si Jezu Krishti u përball me shumë tallje kur Ai ishte këtu në tokë. Ato do t’ju ndihmojë që të zhvilloni më shumë dashuri dhe durim ndaj njerëzve.
Uolter C., mosha 15 vjeç, Jaén, Peru
Udhëhiquni nëpërmjet Lutjes
Për një kohë të gjatë, unë isha e vetmja anëtare në shkollën time. Miqtë e mi më të afërt dukeshin se më kuptonin, por shokët e tjerë në shkollë talleshin me mua. Një ditë u luta dhe ndieva nevojën për të biseduar me njërin prej tyre, i cili i nxiste të tjerët të talleshin me mua. I shpjegova se nuk isha e zemëruar me të, por i kërkova atij të tregonte respektin që ai do të donte të kishte. Pasi e dëgjoi bisedën tonë, një nga mësuesit e mi gjithmonë më mbronte kur e shikonte se diçka po ndodhte. E di se Zoti do të jetë me ju kur të bisedoni me këta njerëz.
Shanela S., mosha 14 vjeçe, Pangasinan, Filipine
Ndërtoni Dëshminë Tuaj
Së pari, fitoni një dëshmi të vërtetë për të vërtetat që ju doni t’u tregoni të tjerëve. Më pas, kini dashuri për njerëzit që ju tallin dhe mos debatoni, sepse grindja nuk përkrahet kurrë nga Perëndia (shih 3 Nefi 11:29). Më e rëndësishmja, përpiquni ta keni gjithmonë Shpirtin me vete. Shpirti do t’ju ndihmojë të keni më shumë dashuri dhe më shumë kurajë dhe Ai do t’i bëjë të fuqishme fjalët tuaja.
Julia F., mosha 19 vjeçe, Hese, Gjermani
Duajini Armiqtë Tuaj
Unë kam qenë në situata të ngjashme. Nëse keni besim dhe e përulni veten tuaj, ju do të bekoheni me forcën dhe besimin që ju nevojiten për t’i “d[ashur] armiqtë tuaj, [për t’i] bek[uar] ata që ju mallkojnë, … dhe [për t’u] lutu[r] për ata” (Mateu 5:44). Do t’ju nxitja që të kërkoni në shkrimet e shenjta përgjigjet lidhur me mënyrën se si të jeni të fortë. Lutuni kur ndiheni vetëm në besimin tuaj. Romakëve 8:31 thotë: “Çfarë të themi, pra, për këto gjëra? Në qoftë se Perëndia është me ne, kush mund të jetë kundër nesh?” Ju keni Perëndinë në anën tuaj! Çdo gjë është e mundur.
Regan T., mosha 15 vjeçe, Juta, SHBA
Mos u Frikësoni
Flisni për fenë tuaj më shpesh ose me qëllim bëni gjëra që ta nxirrni atë në pah. Unë isha në një situatë të ngjashme dhe shkrova në çantën time të shpinës: “Më Pëlqen Shumë që Jam SHDM”. Duke e bërë këtë, unë hapa derën për disa mundësi misionare dhe u tregova njerëzve se nuk kisha frikë për t’u bërë të ditur se jam shdm. Çfarëdo që ju të bëni, mos i lini t’ju mërzitin. Lutuni për ta dhe për veten tuaj. Shpejt ju do të zbuloni se, nëse përqendroheni te shpëtimi i shpirtrave të të tjerëve, ju nuk do të keni aq frikë për t’ua bërë atyre të ditur të vërtetën e ungjillit të Atit tonë.
Savana P., mosha 14 vjeçe, Teksas, SHBA
Kuraja e Bindjeve Tona
“Është shpesh e vështirë të jemi të ndryshëm dhe të qëndrojmë të vetëm në mes të një turme. Është e natyrshme të kemi frikë se çfarë mund të mendojnë ose thonë të tjerët. Ngushëlluese janë fjalët e psalmit: ‘Zoti është drita ime dhe shpëtimi im; nga kush do të kem frikë? Zoti është kështjella e jetës sime; nga kush do të kem frikë?’ [Psalmeve 27:1]. Kur e bëjmë Krishtin thelbin e jetës sonë, frika jonë do të zëvendësohet nga kuraja e bindjeve tona.”
Presidenti Tomas S. Monson, “Jini një Shembull dhe një Dritë”, Liahona, nëntor 2015, f. 88.
Pyetja Pasuese
“Si mund ta di se Perëndia po i dëgjon lutjet e mia?”
Dërgojeni përgjigjen tuaj dhe, nëse dëshironi, një fotografi me rezolucion të lartë deri më 1 maj 2016 te liahona.lds.org, nëpërmjet postës elektronike te liahona@ldschurch.org, ose nëpërmjet postës së thjeshtë (shih adresën në faqen 3).
Informacioni dhe leja e mëposhtme duhet të përfshihen në postën tuaj elektronike ose në letrën tuaj: 1) emri i plotë, 2) data e lindjes, 3) lagjja ose dega, 4) kunji ose distrikti, 5) leja juaj me shkrim dhe, nëse jeni nën moshën 18-vjeçare, leja me shkrim e prindit tuaj (postimi elektronik pranohet) për botimin e përgjigjes dhe të fotografisë suaj.
Përgjigjet mund të redaktohen lidhur me gjatësinë apo qartësinë.