Përkthimi i Shkrimeve të Shenjta: Në Gjuhën e Zemrës Sonë
Përvoja të panumërta tregojnë dorën e Zotit në punën e përkthimit të shkrimeve të Tij të shenjta.
Kjo përvojë është e shumënjohur për ata që janë përfshirë në përkthimin e shkrimeve të shenjta nga anglishtja në gjuhë të tjera. Ka ndodhur herë pas here:
Një i ri nga Armenia, duke mbajtur një kopje të Librit të Mormonit që vetëm kohët e fundit u përkthye në gjuhën e tij, i afrohet një anëtari të grupit që ndihmoi me përkthimin: “Faleminderit”, thotë ai. “Unë e kam lexuar Librin e Mormonit në gjuhën angleze. E kam lexuar Librin e Mormonit në gjuhën ruse. E kam lexuar në gjuhën ukrainase. Por derisa isha në gjendje ta lexoja në armenisht, nuk e kuptova vërtet atë. Kur e lexova në gjuhën armene, ai më së fundi pati kuptim. Ishte sikur të kthehesha në shtëpi.”
Kthimi në Shtëpi
Nëse ungjilli i Jezu Krishtit është shtëpia jonë shpirtërore, atëherë është vërtet e drejtë që ai të ndihet i rehatshëm dhe i njohur. Në shtëpi gjejmë prehje. E ushqejmë shpirtërisht veten tonë. Flasim me ata që i duam në gjuhën e mësuar të ulur pranë nënës sonë. Kjo është gjuha e zemrës sonë dhe përderisa zemra është vendi ku ungjilli duhet të arrijë, leximi i shkrimeve të shenjta në gjuhën e zemrës sonë është jetik.
Doktrina e Besëlidhje e sugjeron këtë gjë. Atje Zoti zbulon që, nëpërmjet çelësave të priftërisë, të mbajtura nga Presidenca e Parë, “krahu i Zotit do të zbulohet në fuqi për t’i bindur kombet … për ungjillin e shpëtimit të tyre.
Sepse do të ndodhë në atë ditë, që çdo njeri do ta dëgjojë plotësinë e ungjillit në gjuhën e tij dhe në të folurën e tij, nëpërmjet atyre që shugurohen në këtë fuqi, me anë të administrimit të Ngushëlluesit, të derdhur mbi ta për zbulesën e Jezu Krishtit” (DeB 90:10–11).
Xhim Xhulli, i cili punoi në ekipin e përkthimit të shkrimeve të shenjta në zyrat qendrore të Kishës, tregon një histori se sa pranë shtëpisë mund të vijnë shkrimet e shenjta kur ato përkthehen në gjuhën e zemrës:
“Në përkthimin e Librit të Mormonit në gjuhën sesoto, gjuha e folur nga kombi afrikan i Lesotos, na nevojitej të gjenim dikë për të na ndihmuar që të vlerësohej puna e ekipit të përkthimit. Mbikëqyrësi i projektit, Leri Foli, gjeti një anëtare të Kishës nga Lesoto, e cila ishte një studente pasuniversitare tek Universiteti Shtetëror i Jutës. Në Lesoto, arsimimi kryhet në anglisht, kështu që kjo zonjë dhe fëmijët e saj kishin studiuar në anglisht që nga klasa e parë e në vazhdim, por ata ende bisedonin në shtëpi në gjuhën sesoto.
Ajo ra dakord të punonte me përkthimin. Vlerësimi i saj për kapitujt që i dërguam asaj, ishte me të vërtetë i dobishëm. Në mënyrë të përsëritur, ne i drejtuam pyetje të veçanta lidhur me fjalorin dhe strukturën gjuhësore, për të cilat ajo na dha shpjegime të dobishme. Megjithatë, ne vumë re që ajo kishte shenjuar me ngjyrë të verdhë shumë vargje që nuk kishin lidhje me pyetjet tona. Kur e pyetëm për vargjet e shenjuara, ajo tha: ‘O, ato janë vargje që ma prekën zemrën thellësisht, të cilat nuk i kisha kuptuar kurrë tërësisht në anglisht. I shenjova me qëllim që të mund t’i lexoja ato me fëmijët e mi.’”
Një Model për Përkthimin e Shkrimeve të Shenjta
Përkthimi i Biblës ka një histori të gjatë dhe të mahnitshme, duke filluar me përkthimin e pjesëve të Dhiatës së Vjetër nga hebraishtja në greqisht. Më vonë, Bibla u përkthye nga greqishtja në latinisht dhe nga latinishtja, hebraishtja e greqishtja në anglisht dhe në një mori gjuhësh të tjera.1 Si rrjedhim, Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme nuk e përkthen Biblën në gjuhë të ndryshme, por përvetëson variante tashmë të pranuara si variante të autorizuara nga të krishterët që i flasin ato gjuhë.2
Shumica e punës së përkthimit të shkrimeve të shenjta që bën Kisha, si rrjedhojë, është për Librin e Mormonit (i pari që përkthehet), Doktrinën e Besëlidhjet dhe Perlën me Vlerë të Madhe. Gjuha nga e cila përkthehen këta libra, është anglishtja, gjuha në të cilën Profeti Jozef Smith i zbuloi ato, gjuha e zemrës së tij. Procesi i përdorur për t’i përkthyer shkrimet e shenjta në gjuhët joangleze duhet të jetë i shumënjohur për studentët e historisë së Kishës. Është pak a shumë i njëjti proces që Profeti përdori për të përkthyer Librin e Mormonit në anglisht.
Jozef Smithi ishte një djalë ferme, i përulur dhe kryesisht i paarsimuar. Por ai i kishte cilësitë dhe potencialin që i nevojiteshin Zotit për punën që duhej të bëhej. Në të vërtetë, Jozefi dhe familja e tij u përgatitën dhe u vendosën në atë vend për të bërë pikërisht këtë punë.3
Jozefit gjithashtu iu dha ndihmë – si hyjnore ashtu edhe njerëzore – për përkthimin e analeve nefite. Engjëlli Moroni e vizitoi Jozefin çdo vit për katër vjet përpara se ta lejonte atë që të merrte analin. Ne nuk e dimë gjithçka që Moroni ia mësoi Profetit, por vizitat e tij duket se e përgatitën atë shpirtërisht dhe mendërisht për detyrën që shtrihej përpara.4
Zoti gjithashtu përgatiti “interpretuesa” përpara kohe, si një mjet për të përkthyer një gjuhë të humbur. Të përshkruar si dy gurë të tejdukshëm, të lidhur në skaje metalike, këta dhe një mjet i ngjashëm, i quajtur një gur shikues, e ndihmuan Profetin që ta përkthente analin nefit në gjuhën angleze. Profeti nuk dha hollësi për procesin; ai thjesht dëshmoi se e përktheu Librin e Mormonit me anë të “dhuratës dhe fuqisë së Perëndisë”5.
Përveç ndihmesës hyjnore që iu dha atij, Jozefi kishte ndihmë njerëzore në formën e shkruesve, të cilët prodhuan kopjen e shkruar që të tjerët më së fundi i radhitën, i shtypën, paguan për to dhe ia shpërndanë botës.
Aspak ndryshe nga përgatitja dhe ndihma që mori Jozefi në punën e tij të përkthimit, ata njerëz, të cilëve iu caktohet detyra e përkthimit të shkrimeve të shenjta sot, përgatiten nga Zoti dhe atyre iu jepet ndihmë në punën e tyre – si hyjnore ashtu edhe njerëzore.
Një Punë Zbulese
Në procesin e përkthimit të saktë ndikon një energji shpirtërore ndoshta e përshkruar më mirë si “zbulesa me anë të këshillit”. Dy ose tre njerëz, të cilët zgjidhen si përkthyes, bashkohen me njerëz të tjerë në kryerjen e punës. Ata kanë mbikëqyrës të zyrave qendrore të Kishës, redaktorët vendorë, një leksikon për referenca6, udhëzuesit e përkthimit, programet kompjuterike dhe mbështetjen kishtare që shtrihet në të gjitha hapat deri te Presidenca e Parë. (Shih tabelën shoqëruese.) Kur Presidenca e Parë jep miratimin përfundimtar të një përkthimi, vepra dërgohet më pas për t’u radhitur, shtypur e shpërndarë. Pasi të jetë përgatitur në një format dixhital, ajo gjithashtu vendoset në LDS.org dhe në programin Biblioteka e Ungjillit.
Kjo përpjekje bashkëpunuese është e madhe si edhe e frymëzuar. Ajo përfshin vëmendje të përkushtuar te cilësia e përmbajtjes dhe cilësia e formës fizike në të cilën ajo dorëzohet. Përkthimet rishikohen në shumë nivele, veçanërisht në nivelin kishtar që kërkon miratimin e Zotit. Vetëm kur ai miratim jepet, një përkthim vihet në lëvizje. Edhe pse jo pikërisht nëpërmjet zbulesës, si mënyra që Profeti Jozef Smith e përktheu Librin e Mormonit, procesi udhëhiqet në mënyrë të qartë nga Zoti – me anë të dhuratave të Tij dhe me anë të fuqisë së Tij.
Kjo nuk do të thotë që një përkthim është i përsosur kur sapo përfundohet. Shpesh, koha dhe rishikimet e mëtejshme nga ata që i studiojnë shkrimet e shenjta, sugjerojnë përmirësime në gramatikë dhe fjalor apo gjejnë gabime të radhitjes ose të germëzimit. Rrallëherë, bëhen ndryshime në shpjegimin e doktrinës. Kur këto bëhen, ato bëhen nën udhëzimin e Presidencës së Parë.
Zoti Siguron
Zoti e përkrah këtë vepër të përkthimit edhe në mënyra të tjera. Zakonisht raportohet nga grupi i përkthimit në zyrat qendrore të Kishës që, kur del një nevojë, Zoti siguron.
Si një nga shembujt e shumtë, nevojitej një përkthyes për përkthimin dhe regjistrimin e materialeve të Kishës në gjuhën mam (një gjuhë e prejardhur nga gjuha e fiseve maja, e folur në Guatemalë). Mes misionarëve të parë, të thirrur në Guatemalë, ishte një misionar gjyshi i të cilit e kishte folur gjuhën mam. Misionari ishte rritur në qytet dhe fliste vetëm spanjisht. Por çdo natë gjyshi do t’i dilte atij në ëndërr dhe do t’i mësonte gjuhën mam. Ky misionar i ri u bë përkthyesi kryesor i mamishtes në Kishë.
Shpesh, puna e përkthimit bëhet me sakrifica të mëdha vetjake. Në varësi të situatave financiare, disa përkthyes e dhurojnë shërbimin e tyre dhe të tjerë paguhen që të mund të kenë kohë për t’ia përkushtuar përkthimit.
Burri që u bë një nga përkthyesit në gjuhën urdu, u kthye në besimin në Kishë në Pakistan teksa punonte si mësues. Si rrjedhojë e kthimit të tij në besim, ai e humbi punën e tij; humbi shtëpinë e tij, e cila i ishte siguruar nga shkolla ku jepte mësim; dhe ai e humbi shkollimin për fëmijët e vet. Një mbikëqyrës i përkthimeve të Kishës iu afrua atij rreth shërbimit si përkthyes dhe i ofroi atij një shpërblesë modeste. Pasi punoi si përkthyes për pak muaj, burri u takua me mbikëqyrësin dhe me druajtje pyeti nëse mbikëqyrësi do t’i blinte atij një stilolaps të ri. Stilolapsit që ai kishte qenë duke e përdorur, i ishte mbaruar boja. Vetëm atëherë mbikëqyrësi zbuloi dhe ndreqi një gabim nga zyra, i cili kishte bërë që përkthyesi të merrte shumë më pak nga ajo që duhej të ishte paguar.
Por po ashtu si Zoti e bekoi Jozef Smithin në mënyra që e mundësuan atë ta përfundonte punën e tij, Zoti i bekon përkthyesit e Tij. Për shembull, përkthyesi i shkrimeve të shenjta në letonisht ishte një avokat që kishte studiuar për juridik në Rusi, ku ai ishte kthyer në besim tek ungjilli i rivendosur. I kthyer në Letoni, ai po përpiqej të ngrinte biznesin e tij. Ai gjithashtu po shërbente si president dege. Ai kishte qenë shumë i zënë me punë, por Kisha kishte nevojë për të dhe aftësinë e tij me anglishten.
Ai kërkoi kohë që të lutej rreth kërkesës, sepse po ta pranonte atë, sikurse i tha ai përfaqësuesit të Kishës, do t’ua “h[iqte] fëmjëve të [tij] kafshatën nga goja”. Pasi u lut, ai vendosi ta pranonte, por i kërkoi Zotit ta bekonte atë me mjetet për të bërë atë që është një punë e vështirë, me përgjegjësi nga ana shpirtërore dhe që kërkon kohë.
Filloi të shkonte në zyrën e tij avokatore një orë më herët çdo ditë dhe e përdori atë orë për të përkthyer Librin e Mormonit. Ai e përfundoi shumë më përpara pesë vjetëve që procesi kërkon zakonisht. Në fakt, ky ishte një nga përkthimet më të shpejta që nga koha kur Jozefi e përktheu Librin e Mormonit në gati 60 ditë.
Shumë më tepër përvoja mund të tregohen që vënë në dukje dorën e Zotit në punën e përkthimit të shkrimeve të Tij të shenjta. Ato të gjitha shpallin qartësisht që kjo është puna e Tij dhe se Ai përkujdeset thellësisht për të. Ai i përgatit njerëzit për ta kryer punën e Tij. Ai përgatit mjetet që iu nevojiten atyre për ta përshpejtuar punën. Dhe Ai i frymëzon dhe i bekon ata përgjatë udhës.
Rezultati është një botë e pasuruar nga fjala e Perëndisë, e dhënë fëmijëve të Tij në gjuhën e zemrës.