Mesazhi i Presidencës së Parë
Profecia dhe Zbulesa Vetjake
Kisha e vërtetë e Jezu Krishtit është rivendosur dhe është në tokë sot. Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme është drejtuar gjithmonë nga profetë dhe apostuj të gjallë, të cilët marrin udhërrëfim të vazhdueshëm nga qielli.
Ai model hyjnor ishte i vërtetë edhe në lashtësi. Ne mësojmë në Bibël: “Sepse Zoti, Zoti, nuk bën asgjë, pa ua treguar sekretin e tij shërbëtorëve të tij, profetëve” (Amos 3:7).
Perëndia sërish ka folur në kohën tonë nëpërmjet Profetit Jozef Smith. Ai zbuloi nëpërmjet Profetit Jozef ungjillin e Jezu Krishtit në plotësinë e tij. Ai rivendosi priftërinë e Tij të shenjtë me çelësat e saj dhe të gjitha të drejtat, fuqitë dhe funksionet e fuqisë së shenjtë të priftërisë.
Në kohën tonë, profetët dhe apostujt e gjallë janë autorizuar të flasin, të japin mësim dhe të drejtojnë me autoritet nga Perëndia, Ati, dhe Zoti Jezu Krisht. Shpëtimtari i tha Profetit: “Atë që unë, Zoti, kam thënë, e kam thënë dhe nuk justifikohem; dhe ndonëse qiejt dhe toka do të kalojnë, fjala ime nuk do të kalojë, por do të përmbushet e gjitha, qoftë nëpërmjet zërit tim apo nëpërmjet zërit të shërbëtorëve të mi është njësoj” (DeB 1:38).
Në konferencën e përgjithshme dy herë në vit, ne bekohemi me mundësinë për të dëgjuar fjalën e Zotit për ne nga shërbëtorët e Tij. Ky është një privilegj pa çmim. Por vlera e asaj mundësie varet nëse ne i marrim fjalët nën ndikimin e të njëjtit Shpirt nëpërmjet të cilit iu dhanë atyre shërbëtorëve (shih DeB 50:19–22). Ashtu sikurse ata marrin udhërrëfim nga qielli, edhe ne duhet të marrim. Dhe kjo kërkon nga ne të njëjtën përpjekje shpirtërore.
“Bëj Përpjekjen Tënde Vetjake”
Vite më parë, një nga anëtarët e Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve më kërkoi të lexoja një bisedë të konferencës që ai po përgatiste për konferencën e përgjithshme. Unë isha një anëtar i ri i kuorumit. Unë u nderova nga mirëbesimi i tij që të mund ta ndihmoja atë të gjente fjalët që Zoti do të donte që ai të thoshte. Ai më tha me buzëqeshje: “Oh, ky është varianti i 22-të i bisedës”.
M’u kujtua këshilla që Presidenti i dashur dhe i mirë Harold B. Li (1899–1973) më dha më parë me theks të veçantë: “Hal, nëse dëshiron të marrësh zbulesë, bëj përpjekjen tënde vetjake”.
E lexova, përsiata dhe u luta për variantin e 22-të të bisedës. Studiova sa më mirë që munda nën ndikimin e Frymës së Shenjtë. Në kohën që anëtari i atij kuorumi dha bisedën e tij, unë e kisha bërë përpjekjen time vetjake. Nuk jam i sigurt në ndihmova, por e di se kisha ndryshuar kur dëgjova të jepej biseda. Mesazhet erdhën tek unë përtej fjalëve që kisha lexuar dhe që ai foli. Fjalët kishin domethënie më të madhe se ato që kisha lexuar në variantin e bisedës. Dhe mesazhi dukej të ishte posaçërisht për mua, i përshtatshëm për nevojat e mia.
Shërbëtorët e Perëndisë agjërojnë dhe luten për të marrë mesazhin që Ai ka për ta, që t’ua japin atyre që kanë nevojë për zbulesë dhe frymëzim. Ajo çka mësova nga ajo përvojë, dhe shumë të tjera si ajo, është se për të marrë përfitime të mëdha që janë në dispozicion nga të dëgjuarit e profetëve dhe apostujve të gjallë, ne duhet t’i bëjmë vetë përpjekjet tona për të marrë zbulesë.
Zoti e do çdo person që mund ta dëgjojë mesazhin e Tij, dhe Ai e njeh zemrën dhe rrethanat e secilit. Ai e di se çfarë korrigjimi, çfarë zemërdhënieje dhe çfarë e vërtete e ungjillit do ta ndihmojë më mirë çdo person që të zgjedhë rrugëdaljen e tij apo të saj përgjatë shtegut drejt jetës së përjetshme.
Ne që i dëgjojmë dhe i shohim mesazhet e konferencës së përgjithshme, ndonjëherë mendojmë më vonë: “Çfarë mbaj mend më mirë?” Shpresa e Zotit për çdonjërin prej nesh është që përgjigjja jonë të jetë: “Nuk do t’i harroj asnjëherë çastet kur e ndjeva zërin e Shpirtit në mendjen dhe zemrën time të më tregonte se çfarë mund të bëja për ta kënaqur Atin tim Qiellor dhe Shpëtimtarin”.
Ne mund ta marrim atë zbulesë vetjake kur i dëgjojmë profetët dhe apostujt dhe kur punojmë me besim për ta marrë atë, ashtu sikurse Presidenti Li tha që ne mundemi. Unë e di se është e vërtetë nga përvoja dhe nga dëshmimi i Shpirtit.