Profile të Të Rinjve në Moshë Madhore
Matja e Bekimeve në Madagaskar
Pavarësisht nga trazirat politike dhe vështirësitë ekonomike të këtij vendi, Solofo mbështetet te bekimet që vijnë nga të jetuarit e ungjillit.
Pasi gruaja e tij vuajti një abort që ia copëtoi zemrën gjatë shtatzënisë së saj të parë, Solofo Ravelojaona ndjeu se lutjet e tyre morën përgjigje një vit më vonë me shtatzëninë e tyre të dytë. Ai dhe gruaja e tij, Hari Martine, e konsideruan lindjen e vajzës së tyre si të ishte një nga bekimet e tyre më të mëdha. Solofo shpjegon: “Për shkak se ne i kërkuam Perëndisë dhe Ai na e dha atë, ne e quajtëm me një emër që, në malagasisht, do të thotë ‘përgjigjja e Perëndisë’”.
Solofo, një i ri në moshë madhore nga Madagaskari, mbështetet te njohuria se Perëndia u përgjigjet lutjeve dhe në kohën e duhur i bekon besnikët. “Jeta është e vështirë”, thotë Solofo, “dhe kur njerëzit nuk e marrin atë që dëshirojnë, disa fillojnë të pyesin: ‘Përse më ndodhi kjo mua?’ Ata mund të largohen nga Kisha ose të vënë në dyshim besimin e tyre në Perëndi. Por kur ne e jetojmë ungjillin dhe i lexojmë shkrimet e shenjta, është më e thjeshtë. Kur ju e jetoni me të vërtetë ungjillin, ju me të vërtetë mund t’i shihni bekimet.”
Duke jetuar në një vend me sfida të mëdha, të tilla si varfëri e madhe, paqëndrueshmëri brenda qeverisë, një infrastrukturë e dobët dhe shkatërrime natyrore, është e qartë përse Solofo thotë se jeta është e vështirë. Por për të, bekimet që sjell të jetuarit e ungjillit ia tejkalojnë çdo vështirësie. “Nuk mundem madje t’i numëroj bekimet që marr, për aq kohë sa e jetoj ungjillin”, thotë ai.
Për shkak se Kisha është pak a shumë e re në Madagaskar (dega e parë u organizua në vitin 1990), Solofo thotë se pjesa më e vështirë e të qenit një anëtar janë thashethemet dhe idetë e gabuara për Kishën. Solofo komenton se, ashtu si në vegimin e Lehit për pemën e jetës, “njerëzit mund të mos e përqafojnë plotësisht ungjillin sepse ndihen të turpëruar përpara miqve të tyre dhe kanë frikë se nuk do të pranohen nga familja e tyre”. Ajo çka e bën Solofon të ndryshëm, sugjeron ai, është se, “mua kurrë nuk më ka ardhur turp. E jetoj ungjillin dhe dua që ta ndaj atë gjithmonë me kolegët e mi, edhe pse disa prej tyre nuk janë me të vërtetë të interesuar.” Ai e ndan dëshminë e tij të thjeshtë aq shpesh sa shumë prej bashkëpunëtorëve të tij i kanë vënë nofkën “pastori”.
Në mes të trazirave ekonomike dhe politike, Solofo dhe Hari Martine mbështeten te bekimet e besëlidhjeve të tyre në tempull (ata u martuan në Tempullin e Johanesburgut në Afrikën e Jugut, një vit pas misioneve të tyre – i tiji në Uganda, i saji në Madagaskar), si edhe te mirëbesimi i tyre në Zot. “Unë kam ungjillin dhe thjesht e lë jetën time në duart e Perëndisë”, shpjegon Solofo. Ai mund të mbështetet në dëshminë e tij të fortë për shkak se ai tashmë ka besim në “përgjigjet e Perëndisë”.