2016
A Kanë Kuptim Udhëzimet
Prill 2016


Reflektime

A Kanë Kuptim Udhëzimet?

Autorja, e cila jetonte në Kolorado, SHBA, ndërroi jetë vitin e kaluar.

Një udhëtim me biçikletë më bindi mbi nevojën për ta kontrolluar vazhdimisht hartën e rrugës së jetës të Zotit.

bike riding through France

Disa vite më parë, unë shkova në Francë me një udhëtim me biçikletë me motrën time, kunatën dhe vajzën e saj. Çdo mëngjes na u dhanë tri faqe me udhëzime të hollësishme që, nëse ndiqeshin me përpikëri, do të na drejtonin në vendmbërritjen e ditës. Ndërsa po e ngisnim biçikletën nëpër vreshta, orientimet mund të na udhëzonin të “shkonim 50 m në veri, më pas të ktheheshim majtas dhe të ecnim 100 m”. Shumë shpesh, udhëzimet na treguan shenjat rrugore dhe emrat e rrugëve.

Një mëngjes e ngamë biçikletën poshtë një rruge tërheqëse, por shpejt e kuptuam se udhëzimet tona nuk përputheshin më me territorin. Duke qenë se humbëm shumë shpejt, ne vendosëm të ktheheshim atje ku për herë të fundit e dinim se ishim në shtegun e duhur, për të parë nëse mund ta gjenim se nga të shkonim.

Ashtu siç e pritëm, kur arritëm atje, gjetëm një shenjë të vogël rrugore, të shënuar tek udhëzimet tona, që nuk kishim arritur ta shihnim. Shpejt ishim në rrugën tonë përsëri, duke e përputhur përparimin tonë me udhëzimet, që sërish kishin kuptim të përsosur.

Përvoja shërbeu si një metaforë që iu përgjigj një pyetjeje të mistershme që kisha: “Përse, kur dikush ka pasur një dëshmi për ungjillin, do të largohej vallë nga drejtimi i duhur?” M’u bë e qartë se, kur marrim kthesën e gabuar (mëkatin) ose nuk arrijmë t’i ndjekim urdhërimet e Perëndisë, udhëzimet (fjalët e Perëndisë) nuk kanë më kuptim. Harta, ashtu siç ishte, nuk i përshtatet më territorit në të cilin jemi. Nëse nuk jemi larguar shumë nga udha, ne mund ta kuptojmë se faji është i yni dhe se kemi nevojë të kthehemi (pendohemi) ose të zotohemi sërish për të jetuar siç ka urdhëruar Perëndia atje ku e dinim se po ndiqnim itinerarin me saktësi.

Shumë shpesh, kur udhëzimet nuk i përshtaten më vendit ku jemi, ne i vëmë në dyshim udhëzimet. Në vend që të kthehemi pas, ne i fajësojmë udhëzimet dhe më pas u shmangemi atyre tërësisht. Përfundimisht, duke hequr dorë nga largpamësia për vendmbërritjen tonë, ne humbasim, duke u endur nëpër udhë që mund të duken, përkohësisht, shumë tërheqëse, por nuk do të na çojnë atje ku kemi nevojë të shkojmë.

Çdo ditë kemi mundësinë për t’i studiuar shkrimet e shenjta. Dhe çdo gjashtë muaj, kemi mundësinë të shohim apo të dëgjojmë konferencën e përgjithshme të Kishës. A nuk janë këto rastet kur mund ta kontrollojmë hartën tonë të rrugës dhe të sigurohemi se jemi atje ku kemi nevojë të jemi? Një herë, kur dëgjova konferencën, ndjeva se, sado të papërkryer të jemi, ne mund ta dimë se jemi në rrugën e drejtë nëse këto udhëzime kanë kuptim të përkryer për ne.

Ashtu si ndjekja e udhëzimeve të drejta do të na çojë në vendmbërritjet e kësaj jete, studimi i shkrimeve të shenjta dhe të dëgjuarit e këshillës së profetëve të gjallë na lejojnë ta kontrollojmë drejtimin tonë dhe ta përshtatim atë nëse duhet përshtatur që, përfundimisht, të arrijmë në shtëpinë tonë çelestiale.