2016
Shko Ndihmoje Atë
Prill 2016


Zëra të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme

Shko Ndihmoje Atë

Tomas Robins, Kaliforni, SHBA

woman with kids at the register

Unë qëndroja në radhë te një stacion karburanti. Përpara meje, një nënë me dy fëmijë të vegjël kërkoi 3 dollarë karburant dhe dy akullore me vanilje.

Që në vështrimin e parë mund ta shihja se ata kishin fare pak. Fëmijët ishin këmbëzbathur dhe të veshur me rroba të rreckosura.

Dëgjova që gruaja po vendoste mbi banak atë që dukej si një numër pa mbarim monedhash për të paguar faturën e saj.

Pasi pagova për benzinën time, dola jashtë dhe i hodha një sy të shpejtë makinës së nënës. Ishte një model i vjetër që kishte mundësi të harxhonte shumë benzinë.

Ndjeva një sëmbim dhembshurie për këtë nënë me dy fëmijë, por e ndeza motorin tim dhe vazhdova me planin tim.

Fill pas një minute udhëtimi në autostradë, një zë më erdhi: “Shko ndihmoje atë”. Nxitja erdhi dy herë.

E tunda kokën, duke menduar se ndoshta tashmë ajo ishte larguar. Çfarë do t’i thoja asaj në fund të fundit?

Zëri erdhi qartësisht një herë të tretë: “Shko ndihmoje atë!”

U ktheva sërish drejt stacionit të karburantit, duke u përpjekur të mendoja se çfarë do t’i thoja nëse ajo ishte ende atje.

Me të mbërritur, pashë që dyert e makinës së saj ishin të hapura. Ishte e ulur në vendin e shoferit dhe dy fëmijët e saj të vegjël po kënaqeshin me akulloret e tyre në ndenjëset e pasme.

Bëra një lutje të vogël, duke i kërkuar Atit Qiellor se çfarë duhej të thoja. I njëjti zë më tha: “Prezantohu dhe pyete nëse ka nevojë për ndihmë”. Iu afrova makinës së saj dhe u prezantova. I thashë asaj që ndjeva mbresë për ta pyetur nëse kishte nevojë për ndihmë.

Ajo filloi të qante dhe tha: “Sapo mbarova së luturi Jezusit, duke i kërkuar Atij që të dërgonte dikë për të më ndihmuar”.

Ati Qiellor i ishte përgjigjur lutjes së saj. Pagova që ta mbushja me benzinë makinën e saj dhe i dhashë numrin e telefonit të dikujt në kuorumin tonë të pleqve, i cili po merrte njerëz në punë në atë kohë. Nuk e di se çfarë ndodhi me këtë nënë të re më pas, por jam mirënjohës që e ndoqa nxitjen për ta ndihmuar atë.