2016
Mos Qëllo
Prill 2016


Zëra të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme

Mos Qëllo!

Nuk jepet emri

police officer on a bridge

Bobi dhe unë ishim të ulur në makinën tonë të policisë, duke pritur për një shenjë lëvizjeje në rrugë. E kishim filluar vëzhgimin tonë dy orë më parë, pasi kishim parë makinën e përmendur në një paralajmërim në radion e policisë.

“Grabitje me armë”, kishte thënë paralajmërimi. “Dy meshkuj, që të dy të armatosur. Sapo u panë në një makinë ngjyrë portokalli. Dëshmitarët thonë që burrat janë të vrazhdë dhe të gatshëm për të qëlluar.”

Një shtim i grabitjeve me armë kishte ndodhur kohët e fundit në atë zonë, prapëseprapë, pavarësisht nga përpjekjet tona më të mira, grabitësit kishin shpëtuar në mënyrë të përsëritur. Këto mendime më vërshuan në kokë sapo i pashë dy hije të dilnin nga një shtëpi në rrugën e errët dhe të hipnin në makinën bojë portokalli. Tani ishin duke ardhur në drejtimin tonë.

“Kërkojmë një patrullë mbështetëse”, thashë unë. “Të dyshuarit po shkojnë drejt veriut nga vendndodhja jonë.”

Patrulla jonë mbështetëse, dy detektivë të veshur si civilë, me një makinë pa shenja policie, dolën përpara makinës ndërkohë që Bobi dhe unë i ndoqëm. Pasi tri makinat tona kishin hyrë në një urë, detektivët papritur ndaluan në vijë diagonale në urë përpara makinës bojë portokalli dhe ne ndaluam pas saj, duke i futur në mes njerëzit e dyshuar. Pothuajse papritur, makina ndaloi dhe që të dy figurat u zhdukën nga sytë.

“Dilni jashtë nga makina me duart mbi kokë!” Urdhërova unë pasi dola nga makina. Askush s’u përgjigj.

I përqendruar dhe gati për të qëlluar, urdhërova sërish: “Dilni jashtë nga makina me duart mbi kokë. Dilni tani!”

Papritur shoferi u ngrit dhe u kthye drejt meje. Mund të shihja një objekt metalik të shkëlqente në duart e tij.

Trajnimi im policor dhe intuita praktike më diktuan që ta tërhiqja këmbëzën për të shpëtuar jetën time. Por pavarësisht nga tensioni i çastit, dëgjova një zë. Ishte i qetë, por autoritar dhe i fuqishëm: “Mos qëllo!”

Prisja që të goditesha nga çasti në çast, por prita që dikush brenda në makinë të qëllonte i pari. Përkundrazi, shoferi i çoi duart lart, ngriti mbi kokën e tij atë që dukej si një revole dhe i lëshoi duart në prehrin e tij.

“Ndal!” Thashë teksa u vërsula drejt makinës. “Mos lëviz!”

Çasti u duk si një shfaqje televizive – derisa e kuptova që kriminelët e ashpër në makinë ishin në të vërtetë dy vajza të reja, të frikësuara. Ajo që pata menduar se ishte një revole, s’ishte veçse një mbërthyese e rripit të sigurimit.

Vajzat, siç e mësuam shpejt, ua kishin dhënë për ta përdorur makinën të dashurve të tyre. Ato nuk e kishin idenë se çfarë lloj njerëzish ishin ata.

“Mendova se ishe i vdekur, Kell!” Bobi më tha më vonë. “Gati sa nuk hapa zjarr. S’e di përse nuk e bëra.”

Dy detektivët në makinën pa shenjë policore thanë të njëjtën gjë, edhe pse askush përveç meje nuk e dëgjoi zërin. E di që vetëm fuqitë e qiellit mund t’i kishin shpëtuar ato dy vajza nga vdekja dhe katër oficerë policie nga bërja e një gabimi tragjik. Kjo përvojë më dha një dituri të sigurt se Ati ynë Qiellor mund dhe do të ndërhyjë për të mirën tonë.