E Zotuar për të Hequr Dorë
Autorja jeton në Nju-Jork, SHBA.
Aftësitë e mia në piano nuk po përmirësoheshin, madje edhe pas vitesh ushtrimi. Prindërit më thanë se mund të hiqja dorë me një kusht: Duhej të mësoja 50 himne.
Hyra në shtëpinë time me furi, me lot rrëke në sy pas një mësimi tjetër zhgënjyes në piano. Ishte viti im i katërt që merrja mësime pianoje, dhe mezi isha përmirësuar te kënga “Twinkle, Twinkle, Little Star” [“Ndrit, Ndrit, Ylli Vogël”]. Mësuesja ime ishte përpjekur të gjente diçka pozitive për të thënë rreth lojës sime të tmerrshme, por unë veç ndihesha më keq. Prindërit e mi po paguanin para për mësime pianoje që unë nuk i doja dhe nuk kisha fare shpresa.
Doja që prindërit të më lejonin të hiqja dorë. “Ju lutem”, iu përgjërova. “Do të bëj çdo gjë. Si mund t’ju bind?”
Pasi e diskutuan midis tyre, ata thanë: “Nëse ti mëson 50 himne, ne do të lejojmë të heqësh dorë vetë”.
Fillova të ushtrohesha menjëherë. Doja të hiqja dorë kaq shumë, saqë isha e gatshme të kaloja kohë shtesë në piano. Himni i parë, “T’Falemi, Per’ndi, për Profetin” (Himne, nr.13), më mori afërsisht një muaj për ta zotëruar. Kisha akoma për qëllim të hiqja dorë, kështu që vazhdova të ushtrohesha.
Një gjë interesante ndodhi: himnet u bënë më të lehta për t’u përvetësuar. U ndjeva më e gëzuar gjatë gjithë javës. E gjeta veten duke kënduar himne nën zë gjatë ditës dhe duke kënduar me zë më të lartë në mbledhjen e sakramentit.
Më së fundi, e ndalova mbajtjen shënim të numrit të himneve që dija. Ndërsa bëhesha më e aftë në piano, kuptova që mund të mësoja një himn të ri pothuajse në një mënyrë të përsosur në më pak se 30 minuta.
Kur më në fund i mblodha të gjitha, kisha mësuar shumë më tepër se 50 himne. Nuk kishte asnjë mundësi që unë të hiqja dorë nga loja në piano. Isha bërë shumë më e sigurt te vetja në aftësitë e mia për të luajtur dhe e kisha ndier fuqinë e himneve në jetën time.
Himnet janë si shkrimet e shenjta; ato thonë të vërtetën. Kur i luaj himnet, ndihem sikur po zhytem në shkrimet e shenjta. Të mësuarit se si t’i luaja himnet ka qenë një shtysë për të filluar ndërtimin e dëshmisë sime dhe për të mësuar të vërtetën. E gjej veten duke i përsëritur fjalët e himneve të ndryshme për të më ndihmuar përgjatë ditës. Loja në piano e ka forcuar dëshminë time dhe i ka hapur dyert për mua kudo që shkoj.