2016
Priftëria: Një Spirancë e Sigurt
Prill 2016


Klasikët e Ungjillit

Priftëria: Një Spirancë e Sigurt

Ky artikull u përgatit nga Plaku L. Tom Peri më 28 maj 2015, dy ditë përpara se ai të ndërronte jetë, për t’u ndarë me mbajtësit e rinj të priftërisë.

Aaronic Priesthood members passing the sacrament

Forca më e madhe në jetën time ka qenë priftëria e Perëndisë. Besoj se ajo do të jetë një spirancë e sigurt edhe për ju të rinjtë. Por që ajo të ketë fuqi në jetën tuaj, ju keni nevojë ta kuptoni dhe ta përdorni atë.

Përvojat e Hershme me Priftërinë

Unë u rrita në një mjedis të rehatshëm në Logan të Jutës. Nuk kisha shqetësime në fëmijëri rreth ushqimit, strehimit apo arsimimit. Por ndoshta ngaqë jeta ishte e kollajshme, unë kisha nevojë për diçka ku të mbështetesha, e cila do të më shërbente si spirancë.

Për mua ajo spirancë ishte priftëria e Perëndisë. Isha në një gjendje të pazakontë kur po rritesha. Babai im u thirr të ishte peshkopi kur unë isha një vjeç dhe ai ishte peshkopi im për 19 vjet. Udhëzimi i tij atëror dhe shpirtëror ishin një ndihmë e jashtëzakonshme për mua.

Mendoj se kjo ishte kryesisht arsyeja përse mezi prisja të merrja Priftërinë Aarone në ditëlindjen time të 12-të. Më kujtohet dita e veçantë kur i ndjeva duart e babait tim mbi kokë teksa më shuguronte. Pas kësaj, unë përparova në detyrat e Priftërisë Aarone dhe mora thirrje që më pëlqyen shumë.

Shpërndarja e sakramentit ishte tepër e veçantë për mua. Mund t’i shihja njerëzit të zotoheshin për t’iu bindur Zotit dhe për t’i zbatuar urdhërimet e Tij, ndërkohë që merrnin emblemat e trupit dhe të gjakut të Tij.

Rritja në Kuptueshmërinë e Priftërisë

Ndërsa koha kalonte, unë u diplomova nga shkolla e mesme dhe më vonë, pas një viti në kolegj, u thirra në një mision. Më pëlqeu çdo minutë e tij dhe i doja shokët e mi. Njëri në mënyrë të veçantë ishte forcë për mua. Mësova shumë prej tij ndërsa i përmbushnim përgjegjësitë tona.

Ngaqë atdheu ishte në luftë, kur u ktheva nga misioni u bashkova me Korpusin e Marinsave të Shteteve të Bashkuara. Kur lufta mbaroi, u ktheva në kolegj, u martova dhe krijova një familje. Lëvizjet e suksesshme profesionale më çuan në shumë vende anembanë Shteteve të Bashkuara, ku mësova shumë teksa shërbeja në thirrje të shumta të priftërisë. Më së fundi u vendosa në Boston të Masaçusetsit, ku shërbeva si president kunji. Nga atje u thirra të isha një ndihmës i Të Dymbëdhjetëve dhe më vonë, pas 17 muajsh, në Kuorumin e Dymbëdhjetë Apostujve.

Mësime të Mësuara si Apostull

Çfarë kam mësuar si anëtar i Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve?

Kam mësuar se gjendet një udhërrëfyes, një spirancë dhe një mbrojtje te priftëria.

Priftëria ka ekzistuar gjithmonë. Përpara se Adami të vinte në tokë, ai e kishte priftërinë. Ndërkohë që pasardhësit e Adamit u shpërndanë me priftërinë, u bë e nevojshme të organizohej se si do të administrohej priftëria. Zoti e bëri atë duke thirrur Abrahamin që të kryesonte mbi familjen e tij të mbajtësve të priftërisë. Ky organizim vazhdoi nën drejtimin e Isakut dhe Jakobit, emri i të cilit më vonë u ndryshua në Izrael.

Shekuj më vonë, fëmijët e Izraelit e gjetën veten në robëri. Zoti dërgoi Moisiun për t’i çliruar ata, por, kur ai e bëri këtë, ata e provuan vetveten që, si popull, nuk ishin gati për Priftërinë Melkizedeke. Prandaj u lanë me Priftërinë Aarone deri në kohën e Shpëtimtarit.

Më duket shumë interesante ajo që Shpëtimtari bëri fillimisht kur Ai e filloi shërbesën e Tij. Ai organizoi Priftërinë Melkizedeke. Ai thirri dymbëdhjetë Apostuj dhe u mësoi atyre ligjet dhe urdhrin e priftërisë. Ai thirri Pjetrin që të ishte Apostulli kryesues, duke themeluar linjën e autoritetit në Kishën e Tij. Në atë kohë dhe në këtë kohë, është Jezu Krishti i cili e zgjedh Apostullin e Tij kryesues për të kryesuar mbi Kishën dhe është Shpëtimtari i cili e drejton atë në detyrat e tij të priftërisë.

Prandaj priftëria ka një linjë të drejtpërdrejtë nga Zoti dhe Shpëtimtari ynë nëpërmjet Apostullit kryesues tek Apostujt e tjerë dhe te mbajtësit e tjerë të priftërisë në Kishë. Çelësat e autoritetit u jepen Apostujve dhe, për aq kohë sa ato çelësa janë mbi tokë, ne vërtet do të udhëhiqemi nga Zoti Vetë. Ky drejtim hyjnor na mbron dhe na siguron që Kisha nuk do të largohet nga e vërteta. Ai do të mbetet i palëkundshëm ngaqë nuk drejtohet nga ndonjë qenie tokësore. Ai drejtohet nga Zoti.

Mësojini Doktrinat e Priftërisë

Këshilla më e madhe që kam për ju të rinj, është t’i studioni doktrinat e priftërisë, ta kuptoni fuqinë që keni në ushtrimin e priftërisë suaj dhe të mësoni se si ajo mund ta bekojë jetën tuaj dhe jetën e njerëzve të tjerë.

Ju premtoj që, nëse do t’i mësoni doktrinat e priftërisë dhe do t’i përmbushni detyrat tuaja të priftërisë, priftëria do të jetë një spirancë e sigurt që do t’ju mbajë të sigurt shpirtërisht dhe do t’ju sjellë gëzim të madh. Jini një kuorum i vërtetë i priftërisë. Ndihmojini shokët tuaj dhe sillini në kuorumin tuaj. Krijoni një vëllazëri në kuorumin tuaj që do të jetë një themel i përhershëm për jetën tuaj.