Qëndrueshmëria Shpirtërore: Ndërtimi i një Anijeje që nuk Fundoset
Nga një takim shpirtëror në Universitetin “Brigam Jang”, 16 shtator 2014. Për tekstin e plotë në anglisht, vizitoni speeches.byu.edu.
Ne kemi nevojë për qëndrueshmëri të mjaftueshme shpirtërore që të lundrojmë me sukses në jetën tonë në vdekshmëri dhe të kthehemi të sigurt në shtëpinë tonë qiellore.
Në fillim të shekullit të 17-të, mbreti suedez, Gustav Adolfi II, porositi një anije lufte, të cilës do t’i vihej emri Vasa. Anija përfaqësonte një shpenzim të konsiderueshëm burimesh, veçanërisht të lisit nga i cili do të ndërtohej anija. Gustav Adolfi mbikqyri nga afër procesin e ndërtimit, duke u përpjekur të siguronte se Vasa do t’i realizonte plotësisht pritshmëritë e tij.
Pasi filloi ndërtimi, Gustav Adolfi urdhëroi që Vasa të bëhej më e gjatë. Për shkak se mbështetëset e gjerësisë ishte ndërtuar tashmë nga një lis i çmuar, mbreti i urdhëroi ndërtuesit që ta shtonin gjatësinë e anijes pa e shtuar gjerësinë e saj. Megjithëse ndërtuesit e anijes e dinin se, duke e bërë këtë, do ta prishnin qëndrueshmërinë në det të Vasës, ata ngurruan t’i tregonin mbretit diçka që ata e dinin se ai nuk donte ta dëgjonte. Ata ranë dakord. Gustav Adolfi gjithashtu këmbënguli që kjo anije të mos kishte thjesht vetëm një kuvertë të zakonshme për pushkët, por të kishte topa në tre kuverta, [duke i vendosur] topat më të rëndë në kuvertën e sipërme. Sërish, në kundërshtim me gjykimin e tyre më të mirë, ndërtuesit e anijes ranë dakord.
Më 10 gusht 1628, Vasa filloi udhëtimin e saj të parë. Pasi Vasa u largua nga limani, një erë e fortë i shtyu velat e saj dhe anija filloi të lëkundej. Fill pas kësaj, “ajo u anua dhe uji vërshoi përmes dritareve të topave, derisa ajo me ngadalë shkoi në fund, me gjithë velat, flamurin dhe gjithçka tjetër”1. Udhëtimi i parë i Vasës ishte rreth 1.280 m.
Dëshira e Gustav Adolfit për një simbol të tepërt të fuqisë e shkatërroi qëllimin e asaj që do të kishte qenë një anije lundrimi madhështore, anija më e madhe e luftës e asaj kohe. Ngurrimi i ndërtuesve të anijes për të folur – frika e tyre nga pakënaqësia e mbretit – i hoqi mbretit njohurinë dhe këndvështrimin e tyre. Të gjithë ata që u përfshinë, i lanë në harresë synimet e sipërmarrjes: të mbronin Suedinë dhe të nxitnin interesat e saj jashtë vendit. Një anije që përpiqet të sfidojë ligjet e fizikës, është thjesht një barkë që nuk do të pluskojë.
Që të lundrojmë me sukses në jetën tonë në vdekshmëri, ne kemi nevojë për qëndrueshmëri të mjaftueshme shpirtërore që t’u bëjmë ballë erërave të kundërta dhe kundërrymave, të bëjmë kthesat e nevojshme dhe të kthehemi të sigurt në shtëpinë tonë qiellore. Ka disa gjëra që ne mund të bëjmë për ta rritur qëndrueshmërinë tonë shpirtërore. Unë do të trajtoj katër prej tyre.
Bindja ndaj Urdhërimeve të Perëndisë
E para, është bindja ndaj urdhërimeve të Perëndisë. Ashtu si Vasa iu nënshtrua ligjeve fizike, ne të gjithë u nënshtrohemi ligjeve shpirtërore. Askush nuk përjashtohet. Ne kemi nevojë t’u bindemi këtyre ligjeve shpirtërore, të cilave ne u referohemi si urdhërime të Perëndisë.
Të punuarit me ligjet fizike për ndërtimin e anijes mund të jetë dukur kufizuese për Gustav Adolfin, por Vasa nuk do të ishte fundosur përpara se misioni i saj të fillonte, nëse do të ishte në përputhje me këto ligje. Përkundrazi, ajo do të kishte pasur lirinë dhe përshtatshmërinë për të përmbushur atë që kishte për qëllim të bënte.
Prandaj, edhe bindja ndaj ligjeve të Perëndisë e ruan lirinë, përshtatshmërinë dhe aftësinë tonë për të përmbushur potencialin tonë. Urdhërimet nuk kanë për qëllim që të na kufizojnë. Përkundrazi, bindja çon në qëndrueshmëri të shtuar shpirtërore dhe lumturi afatgjatë.
Bindja është zgjedhja jonë. Jezusi udhëzoi: “Vini re, unë jua kam dhënë urdhërimet; prandaj zbatoni urdhërimet e mia” (3 Nefi 15:10). Është kaq e thjeshtë. Merrni një vendim. Vendosni tani që të bindeni me saktësi. Asgjë tjetër nuk do ta rritë më shumë qëndrueshmërinë shpirtërore. Asgjë tjetër nuk do të na japë liri më të madhe për të përmbushur misionin tonë në jetë.
Vënia Vesh e Këshillave dhe të Bërit Nxënës për Tërë Jetën
Së dyti, ne kemi nevojë që t’i kushtojmë vëmendje dhe t’ua vëmë veshin këshillave prej burimeve të besuara, dhe ta zotojmë veten tonë që të bëhemi nxënës për tërë jetën.
Një nga grackat kur fitojmë njohuri, është kryelartësia që mund të vijë kur ne mendojmë se dimë kaq shumë, sa nuk ka ngelur gjë për të mësuar. Të gjithë ne e kemi parë këtë tek individët që janë shumë të sigurt për vetë gjenialitetin e tyre. Është me të vërtetë e vështirë t’i japësh mësim dikujt që mendon se di gjithçka.
Duke qenë i ndërgjegjshëm për këtë dhe duke pasur dëshirën për të qenë një nxënës për tërë jetën, Presidenti Henri B. Ajring, Këshilltar i Parë në Presidencën e Parë, ka thënë: “Jam ende një fëmijë që ka shumë për të mësuar. Shumica e njerëzve mund të më mësojnë diçka.”2 Kur Presidenti Ajring më dha thirrjen për të qenë një Autoritet i Përgjithshëm, ai më dha një mësim të rëndësishëm. Ai tha se, kur e dëgjon dikë që tregon një histori, të cilën ai e ka dëgjuar më parë, apo të përdorë një shkrim të shenjtë të cilin ai e njeh shumë mirë, ai e pyet veten: “Përse Zoti po e thekson këtë për mua?” dhe “Çfarë kam ende për të mësuar nga ajo histori apo nga ai shkrim i shenjtë?” Nëse duam që ta rritim qëndrueshmërinë tonë shpirtërore, ne do të jemi të gatshëm që të mësojmë dhe do të jemi mjaftueshëm të përulur për ta pranuar udhërrëfimin, pavarësisht nga mosha dhe përvoja jonë.
Është me të vërtetë zgjedhja jonë. Ne mund t’i dëgjojmë dhe t’ua vëmë veshin këshillave të dhëna për ne nga udhëheqësit e Kishës, veçanërisht nga ata që ne i mbështetim si profetë, shikues dhe zbulues; nga prindërit dhe nga miqtë e besuar – ose jo. Ne mund të kërkojmë të jemi nxënës për tërë jetën – ose jo. Ne mund ta rritim qëndrueshmërinë tonë shpirtërore – ose jo. Nëse ne dështojmë që ta rritim qëndrueshmërinë tonë shpirtërore, ne do të bëhemi si Vasa – një barkë që nuk do të pluskojë.
Shërbimi ndaj të Tjerëve
Së treti, të qenit të drejtuar ndaj nevojave të të tjerëve, përkujdesja ndaj të tjerëve dhe shërbimi ndaj të tjerëve e rritin qëndrueshmërinë tonë shpirtërore.
Përjetësia mbahet si një synim më i qartë kur ne përqendrohemi tek të tjerët, ndërsa kërkojmë të ndihmojmë fëmijët e Atit Qiellor. Kam zbuluar se është shumë më e lehtë të marr frymëzim kur jam duke u lutur për të gjetur se si mund ta ndihmoj dikë tjetër, sesa kur jam duke u lutur thjesht për veten time.
Ne mund të besojmë se diku në të ardhmen, ne do të jemi në një gjendje më të mirë për të ndihmuar. Në të vërtetë, koha është tani. E kemi gabim nëse mendojmë se ajo do të jetë më e përshtatshme kur të kemi më shumë kohë, më shumë para ose më shumë gjëra të tjera për t’u shërbyer të tjerëve. Pavarësisht nga rrethanat, ne e kemi një zgjedhje. Do t’i ndihmojmë apo jo të tjerët? Ne ngelim në një provim të rëndësishëm të vdekshmërisë nëse nuk zgjedhim t’i ndihmojmë ata që janë në nevojë. Dhe, nëse vërtet e japim ndihmën, ne po rritim vetë qëndrueshmërinë tonë shpirtërore.
Të Bërit e Jezu Krishtit Themeli Ynë
Së katërti, përfundimisht, dhe më e rëndësishmja, qëndrueshmëria jonë shpirtërore rritet në përpjesëtim me shkallën në të cilën ne e kemi vendosur Jezu Krishtin si themelin tonë.
Pa Krishtin, ne shtyhemi si anija që hidhet andej-këndej mbi dallgë. Ne nuk kemi fuqi sepse nuk kemi vela. Ne nuk kemi qëndrueshmëri, veçanërisht në kohë stuhie, sepse nuk kemi spirancë. Ne nuk kemi drejtim ose synim sepse nuk kemi asgjë me të cilën të orientohemi. Ne duhet ta bëjmë Krishtin themelin tonë.
Me qëllim që t’i përballojmë, mposhtim dhe të jemi të përgatitur për erërat e kundërta dhe kundërrymat e jetës, ne duhet t’u bindemi urdhërimeve të Perëndisë; të bëhemi të përulur, të gatshëm dhe të vendosur për të qenë nxënës për tërë jetën; t’u shërbejmë të tjerëve dhe ta vendosim Jezu Krishtin si themelin e jetës sonë. Kur e bëjmë këtë, ne e rritim qëndrueshmërinë tonë shpirtërore. Ndryshe nga Vasa, ne do të jemi në gjendje të kthehemi të sigurt në liman, duke e përmbushur fatin tonë.