Edhe Nëse Je i Ndrojtur
Mirëbesojini Perëndisë, dhe Ai do t’ju bekojë në përpjekjet tuaja për ta ndarë ungjillin.
Kur isha president i ri misioni në Brazil, po intervistoja disa pleq. I kërkova njërit të më tregonte rreth vetes.
“Jam shumë i ndrojtur”, tha ai. Ai u shqetësua se ndrojtja e tij po e pengonte atë që të ishte i aftë për të shërbyer.
Unë e pyeta: “A mendon se Zoti mund të të ndihmojë gjithsesi që të jesh një misionar i mirë?”
“Unë besoj se Zoti mund të bëjë çdo gjë.”
“Atëherë lëre Atë të të ndihmojë. A mendon se mund ta bësh këtë?”
“Unë mundem”, tha ai.
Më duhet të rrëfej që, ndërsa ai u largua, unë mendova: “Epo, shpresoj të funksionojë”.
Javët kaluan dhe shpejt të njëjtët misionarë erdhën për intervista përsëri. Kësaj here shoku i plakut të ndrojtur tha: “President, unë nuk e di çfarë i thatë atij, por me siguri bëri një ndryshim. Ai është bërë shumë i zoti për të folur me njerëzit”. Dhe kështu unë po prisja me padurim të takohesha me të përsëri.
Kur erdhi në zyrën time, ai uli kokën.
“Kam disa lajme të mira”, tha ai. “Jam ende i ndrojtur, por i kërkova Zotit të më ndihmonte. Pastaj hapa gojën dhe fillova të flas. Dhe a e dini çfarë? E bëj gjatë gjithë kohës tani. Madje nuk mbaj mend se çfarë them. Gjëja e pabesueshme është se njerëzve u pëlqen. Ata e ndiejnë Shpirtin. Ata janë dakord me mua dhe me atë çfarë kam për t’ju treguar.”
U mahnita kur pashë se si ky misionar ishte shndërruar kur vendosi mirëbesimin e tij te Zoti. Ai u bë një mjet i madh në sjelljen e lumturisë te shumë njerëz.
Mposhtja e Frikës
Kur e ndajmë ungjillin, nganjëherë ndihemi në siklet. Por ashtu si ky misionar i ndrojtur e tregoi në praktikë, Zoti do të na udhërrëfejë nëse ne i mirëbesojmë Atij. Fryma e Shenjtë do të na ndihmojë të dimë se çfarë të themi (shih 2 Nefi 32:2–3) dhe, kur njerëzit e ndiejnë Shpirtin, ata shpesh përgjigjen në një mënyrë pozitive. Shumë njerëzve u ngjallet kureshtja nga ajo që ne besojmë, dhe dëshirojnë të dinë më shumë.
Gëzim i Madh
Kam një dëshmi se Ati Qiellor do të na udhërrëfejë në përpjekjet tona për ta ndarë ungjillin dhe, në atë proces, ne do të ndiejmë gëzim të madh. Në fakt, ai gëzim do të jetë me ne jo vetëm tani por gjithashtu në botën që do të vijë. (Shih DeB 18:16.) Kjo është një arsye e mirë për të dalë nga zona juaj e rehatisë dhe për të bërë diçka, edhe nëse jeni i ndrojtur.