Historia e Kishës: Një Burim Force dhe Frymëzimi
Teksa mësojmë më shumë rreth shenjtorëve të së shkuarës, ne do të forcohemi për ta përmbushur vetë misionin tonë si bijë ose bir i Perëndisë.
Plaku Kuk: Historia e Kishës mund të jetë një burim domethënës i besimit, por nga disa njerëz është keqkuptuar ose lënë pas dore. Disa njerëz madje qëllimisht i kanë keqinterpretuar historitë e së shkuarës që të mbjellin dyshim.
Duke e mësuar historinë e besueshme të Kishës, do t’i lidhim zemrat bashkë me shenjtorët e së djeshmes dhe të sotmes. Ne do të gjejmë shembuj të njerëzve të papërsosur si ju dhe unë që ecën përpara me besim dhe e lejuan Perëndinë të vepronte nëpërmjet tyre për të përmbushur veprën e Tij. Ju premtoj se studimi i historisë së Kishës mund ta thellojë besimin dhe dëshirën tuaj për ta jetuar ungjillin më plotësisht.
Miqtë e mi të dashur, historia e Rivendosjes është një histori sakrifice, vendosmërie dhe besimi. Ne të gjithë jemi pjesë e Rivendosjes dhe e historisë së Kishës. Secili prej nesh ka një mision për ta përmbushur në këtë jetë që do ta ndihmojë për ta mbushur tokën me ungjillin. Teksa mësojmë më shumë rreth shenjtorëve të së shkuarës, ne do të forcohemi për ta përmbushur vetë misionin tonë si bijë ose bir i Perëndisë.
Gjatë më shumë se 24 vjetëve që kam qenë Autoritet i Përgjithshëm, dëshira e Vëllezërve ka qenë që të jenë sa më të hapur që është e mundur, si për sa i përket historisë ashtu edhe në doktrinën e Kishës. Mendojmë se përpjekja për t’i vënë në dispozicion këto burime të reja – veçanërisht The Joseph Smith Papers, Esetë e Temave të Ungjillit dhe tani librin me shumë vëllime Shenjtorët1 – është një mënyrë e mrekullueshme për t’i bërë njerëzit të studiojnë gjëra brenda kontekstit të cilat janë të vërteta dhe që do t’i ndihmojnë ta kuptojnë ungjillin e Jezu Krishtit në një mënyrë të besueshme.
Një nga tregimet e mia të parapëlqyera te Shenjtorët është historia e Edison Pratit që shkoi në Paqësorin Jugor. Ai bëri rreth 60 pagëzime. Bashkëshortja ime, Meri, dhe unë patëm mundësinë t’i vizitonim Ishujt Australe në Polinezinë Franceze ku dha mësim Edison Prati.
Një nga përvojat më mbresëlënëse që kam pasur ndonjëherë, ishte të dëgjoja një të re të thoshte: “Unë jam anëtare e Kishës prej shtatë brezash”. Edison Prati kishte pagëzuar paraardhësin e saj të largët përpara se shenjtorët të shkonin në Jutë.
Kudo ku jeni në këtë botë, pavarësisht nga linja e prejardhjes nga vini, ju jeni të rëndësishëm, ju jeni pjesë e historisë së Kishës. Ne kemi shumë nevojë për ju dhe ju duam. Ju do t’jua bekoni jetën njerëzve.
Përse Kisha nuk është më e hapur rreth disa prej gjërave më të diskutueshme në historinë e saj?
Nga Kejt Hollbruku
Kur isha katër vjeçe, nëna dhe gjyshja ime punonin në Shtëpinë e Bletëve, në shtëpinë e vjetër të Brigam Jangut në Solt-lejk-Siti të Jutës. Ato më mësuan gjithçka rreth Brigam Jangut dhe faktit që ai kishte shumë bashkëshorte. Rreth 10 vjet më vonë, mësova se Jozef Smithi pati shumë bashkëshorte. Nuk mësova rreth gurëve shikues, të cilët Jozef Smithi i përdori që ta ndihmonin të përkthente Librin e Mormonit, derisa isha e rritur në moshë. Kisha nuk ma fshehu informacionin, por informacioni historik nuk theksohej dhe aq shumë kur isha e re.
Ajo që mësova vërtet në mbledhjet e të dielave dhe në orët e mia mësimore të seminarit, ishte se cila është puna kryesore e Kishës. Mësova të pendohem. Mësova ta vë jetën time në harmoni me ungjillin e Jezu Krishtit. Mësova se si të krijoj një marrëdhënie me Atin tim në Qiell. Këto janë gjërat në jetën time që i mbaj si më të çmuarat. E di se për disa njerëz mund të jetë vërtet e dhembshme të mësojnë rreth diçkaje që menduan se duhej ta kishin ditur, por që nuk e dinin. Kjo është arsyeja përse unë dhe Meti bëjmë punën që bëjmë. Shpresoj që ajo përvojë për njerëzit tani do të bëhet një pjesë e së kaluarës ngaqë ne kemi librin Shenjtorët, i cili paraqet një histori të plotë për njerëzit.
Nga ta dimë a është i besueshëm një burim rreth historisë së Kishës?
Nga Met Grou
Kam punuar për Kishën për nëntë vitet e fundit duke shkruar rreth historisë. E kam parë qëndrimin e Autoriteteve tona të Përgjithshme në lidhje me historinë tonë. Bisedat nuk janë rreth temës “Si ta fshehim apo censurojmë historinë”? Përkundrazi, bisedat janë rreth temës “Si ta bëjmë historinë të arritshme, në dispozicion dhe të kuptueshme?”
Të gjithë e dimë se sfida në epokën e informacionit nuk është të gjejmë përgjigje – jemi të rrethuar nga përgjigje – por është të bëjmë dallimin midis përgjigjeve të mira dhe përgjigjeve të këqija, informacionit të mirë dhe informacionit të keq. Ka kaq shumë diskutime historike në internet rreth historisë sonë dhe shumica e këtyre diskutimeve prodhojnë më shumë nxehje sesa dritë.
Bëni kujdes me burimet e informacionit që thjesht kërkojnë t’i ulin njerëzit moralisht. Në vend të tyre kërkoni burime informacioni që bazohen tek analet e lëna nga vetë njerëzit dhe që përpiqen të jenë të paanshëm ndaj tyre. Është vërtet e lehtë të luajmë “të kapa” me të shkuarën, ta nxjerrim një citim apo një episod nga konteksti i tij dhe ta bëjmë të duket alarmues.
Si historian, unë përpiqem të ndjek këshillën e një novelisti britanik. Ai tha: “E shkuara është një vend i huaj, atje gjërat bëhen ndryshe” (L. P. Hartley, The Go-Between [1953], prologu). Kjo do të thotë që kur e vizitojmë të shkuarën, ne nuk duam të jemi një “turist i pakëndshëm”. Ne duam të përpiqemi që t’i kuptojmë njerëzit brenda vetë kontekstit të tyre dhe vetë kulturës së tyre. Duam të jemi të duruar me ato që i perceptojmë si faje të tyre. Duam të jemi të përulur rreth limiteve të njohurisë sonë vetjake. Dhe duam të kemi një frymë dashurie hyjnore për të shkuarën.
Jozef Smithi dhe Libri i Mormonit
Kur isha në vitet e mia të adoleshencës, ne menduam se vëllai im më i madh nuk do të shërbente një mision, sepse lagjes nuk i lejohej të dërgonte më shumë se një të ri në mision në të njëjtën kohë. Gjithë të tjerët duhej të ishin në dispozicion si rezervistë për shërbimin ushtarak. Por peshkopi dhe presidenti ynë i kunjit zbuluan se mund të dërgonin edhe një tjetër. Ndaj, ata biseduan me vëllanë tim për këtë dhe ai erdhi në shtëpi dhe u tregoi prindërve të mi.
Im atë ishte një burrë i mrekullueshëm, por nuk ishte aktiv në Kishë. Përgjigjja e tij ishte negative – por për një arsye të pazakontë. Ai nuk ishte kritikues ndaj Kishës dhe as misionit, por vëllai im po përgatitej për shkollën e mjekësisë. Babai im tha: “Ti je përgatitur që të shkosh në shkollë për mjekësi. Ke ndjekur lëndët. Mund të bësh më tepër të mira nëse shkon në shkollën e mjekësisë sesa nëse shkon në një mision.”
Atë mbrëmje, ky vëllai im besnik, i mrekullueshëm, u ul me mua dhe biseduam të dy. Arritëm në përfundimin se kishte në të vërtetë tri pyetje që do ta përcaktonin përgjigjen e tij ndaj babait tonë. E para ishte: “A ishte Jezu Krishti Shpëtimtari i botës?” E dyta ishte: “A ishte Libri i Mormonit fjala e Perëndisë?” Dhe e treta ishte: “A ishte Jozef Smithi profet?” E kuptova se përgjigjet për ato tri pyetje do të ndikonin pothuajse në çdo vendim që do të merrja gjatë gjithë pjesës tjetër të jetës sime.
E kisha dashur gjithnjë Shpëtimtarin dhe e kisha lexuar Librin e Mormonit, por duke e kuptuar se sa domethënëse ishin ato përgjigje, u luta atë natë dhe mora nëpërmjet Frymës së Shenjtë një përgjigje të thellë e të favorshme për ato pyetje. Jezu Krishti është Shpëtimtari. Libri i Mormonit është fjala e Perëndisë dhe Jozef Smithi ishte profet. Unë dëshmoj se këto gjëra janë të vërteta.
Pse rrëfimet e Vegimit të Parë të Jozef Smithit janë paksa të ndryshme?
Nga Met Grou
Jozef Smithi shkroi ose u kërkoi shkruesve të tij të shkruanin katër rrëfime të ndryshme për Vegimin e Parë. Rrëfimet vetë tregojnë një histori të përputhshme, por sikurse e përmenda, ka disa ndryshime. Kjo nuk duhet të na befasojë. Nëse do të kishte njëtrajtshmëri të plotë midis rrëfimeve, ai është rasti kur unë, si historian, do të bëhesha dyshues ngaqë kujtesa nuk funksionon në atë mënyrë. E shohim të njëjtin model në rrëfime të tjera në histori ose në shkrimet e shenjta (shih Veprat e Apostujve 9:7; 22:9).
Mbani në mendje gjithashtu se sa e vështirë është të përshkruhet një përvojë e shenjtë me fjalët e një gjuhe. Jozefi e quajti gjuhën “një burg të vogël e të ngushtë” (në History of the Church, 1:299). Mendoni rreth vetë përvojave tuaja më të shenjta. Sa e lehtë është t’i shprehni ato me fjalë? Ne duhet ta kremtojmë faktin që kemi rrëfimet e shumta ngaqë ato na japin ide të reja dhe perspektivë të re. Shkoni lexojini katër rrëfimet për Vegimin e Parë tek esetë mbi Temat e Ungjillit. Bërja e kësaj, do ta thellojë vlerësimin tuaj për ato që ndodhën atë ditë.
Çfarë roli luajtën Urimi dhe Thumimi në përkthimin e Librit të Mormonit?
Nga Kejt Hollbruku
Jozef Smithi e përktheu Librin e Mormonit me anë të dhuratës dhe fuqisë së Perëndisë. Urimi dhe Thumimi, të përmendur në Librin e Mormonit, ishin groposur me fletët. Kur Moroni ia dha Jozef Smithit fletët e arta, ai gjithashtu i dha atij Urimin dhe Thumimin. Guri shikues, të cilin Jozefi e përdori gjithashtu për të përkthyer, nuk u gropos me fletët. Ishte diçka që Jozefi e kishte gjetur vetë vite më parë, i cili e ndihmonte të ndihej në harmoni me zbulesën shpirtërore. Prandaj, ai i përdori të dy mjetet.
Ema Smithi, e cila ishte një nga shkrueset e tij, më vonë kujtoi se sa herë Jozefi ulej ta fillonte përkthimin sërish, ai nuk pyeste: “Pra, ku isha? Ku e lamë?” Ai thjesht e fillonte pikërisht aty ku e kishte lënë. Nëse shihni një faqe nga ditari vetjak i Jozef Smithit që ai e shkroi tre vjet pas përkthimit të Librit të Mormonit, ai është plot me fjalë të fshira, mendime të paplota dhe fjali të lëna përgjysmë. Kur shihni një fletë të diktuar nga Libri i Mormonit, nuk ka asgjë të tillë. Është një prozë e plotë, e bukur – fjali të plota, asgjë e fshirë.
Tani, kjo është e gjitha shumë interesante ta mendosh, por ajo që ka rëndësi për mua, është përmbajtja e Librit të Mormonit. Libri i Mormonit është vendi ku Mbreti Beniamin më mësoi t’i jap përparësi bujarisë dhe jo gjykimit, vendi ku Alma më mësoi se çfarë do të thotë të pagëzohem, se çfarë po premtoj të bëj për bashkëshenjtorët e mi dhe me ta. Libri i Mormonit është vendi ku Mormoni dhe Moroni më mësuan se sa e rëndësishme është dashuria hyjnore dhe çfarë duhet të bëj për ta pasur atë. Libri i Mormonit i ka dhënë formë njeriut që jam, mënyrës se si e shoh botën.
Martesa me Shumë Gra
Dua thjesht të nënvizoj tri çështje rreth martesës me shumë gra. Së pari, është e qartë se pati shumë sakrifica në martesat me shumë gra. Pati shumë dashuri dhe unitet, por pati gjithashtu sakrificë dhe prindërit në ato martesa u mësuan fëmijëve të tyre të sakrifikonin. Shumë nga fëmijët në ato martesa me shumë gra e çuan ungjillin e Jezu Krishtit nëpër botë dhe bekuan jetën e shumë njerëzve.
Së dyti, pati disa njerëz, si Vajlet Kimballi, të cilët e morën zbulesën e tyre vetjake – madje përpara se ta dinin plotësisht se çfarë po vinte – që kjo doktrinë vinte nga Perëndia.2
Dhe së treti, në këshillat drejtues të Kishës, ka një ndjesi se martesa me shumë gra, në kohën që u praktikua, i shërbeu qëllimit të saj. Ne duhet t’i nderojmë ata shenjtorë, por ai qëllim është përmbushur.
Tani, ka pyetje që nuk kanë marrë përgjigje. Por dua që ju të dini që kemi një Atë të dashur Qiellor i cili ka një plan të përsosur, që plani i Tij është një plan lumturie dhe që ne kemi një Shpëtimtar i cili bëri gjithçka për ne. Ne mund t’u mirëbesojmë Atyre.
Përse u praktikua martesa me shumë gra në fillimet e Kishës?
Nga Kejt Hollbruku
Udhëzimi i Librit të Mormonit rreth martesës me shumë gra thotë se monogamia është dëshira e Zotit për popullin e Tij, por ka përjashtime të rralla kur Ai e urdhëron praktikën e martesës me shumë gra për ta shtuar një popull të drejtë (shih Jakobi [LiM] 2:30). Ky është përjashtimi i rrallë që Jozef Smithi u urdhërua ta bënte të ndodhte. Jozefi e zvarriti zbatimin e kësaj praktike, por së fundi ai e vuri në zbatim martesën me shumë gra ngaqë donte të ishte i bindur ndaj urdhërimit që Perëndia i dha atij. Ai u përpoq ta ushtronte martesën me shumë gra në mes të viteve 1830, por në të vërtetë, qe në vitin 1841 kur ai me ngadalë, më zyrtarisht, filloi t’ua paraqiste këtë praktikë bashkëpunëtorëve të tij të besuar. Ata u tronditën. Ata iu përgjëruan në lutje Atit të tyre në Qiell që ta kuptonin këtë parim, dhe morën dëshmi vetjake shpirtërore se ishte i drejtë për ta në atë kohë.
Martesa me shumë gra që u praktikua zyrtarisht për gati 50 vjet, ishte gjithmonë diçka që njerëzit mund të zgjidhnin ta bënin ose jo. Studiuesit ende po përpiqen të përcaktojnë se sa shenjtorë të ditëve të mëvonshme në moshë të rritur u përfshinë njëmend në martesa me shumë gra, por ne e dimë se përgjithësisht, ishte një pakicë e shenjtorëve. Dhe e dimë se shumë prej tyre ishin anëtarët më të përkushtuar, më të vendosur të Kishës sonë. Në vitin 1890, Presidenti Uillford Udraf (1807–1898) nxori një manifest që i jepte fund praktikës së martesës me shumë gra. Dhe kur disa njerëz dëgjuan për këtë manifest, u lehtësuan. Martesa me shumë gra kishte qenë e rëndë për ta. Kur njerëz të tjerë dëgjuan për këtë manifest, u dërrmuan. Ata kishin sakrifikuar kaq shumë dhe kishin dëshmi për këtë parim.
Disa anëtarë të Kishës pyetin veten se çfarë do të thotë praktika e martesës me shumë gra e së shkuarës për jetën tjetër. Udhëheqësit e Kishës na kanë mësuar se martesa me shumë gra nuk është e nevojshme për ekzaltim ose për lavdinë e përjetshme. Ndonëse unë vetë jam mirënjohëse që monogamia është rregulli dhe që martesa me shumë gra është përjashtimi, unë nuk i nëpërkëmb dëshmitë dhe bindjen e nderuar të paraardhësve tanë shpirtërorë që e ushtruan këtë parim. Ata po tregoheshin të bindur dhe kishin dëshmi që ajo ishte e drejtë.
Tempulli dhe Besëlidhjet
Në Kirtland, Ohajo, një nga ngjarjet e pabesueshme që ndodhën, ishte ndërtimi dhe përkushtimi i Tempullit të Kirtlandit. Lutja përkushtuese, të cilën Jozefi e mori me anë të zbulesës, shfaqet te seksioni 109 te Doktrina e Besëlidhje. Në atë lutje, ai i kërkoi Zotit ta pranonte punën dhe sakrificën e shenjtorëve për ndërtimin e tempullit.
Një javë pas përkushtimit të tempullit, Jozef Smithi dhe Oliver Kaudëri patën një vegim tjetër. Kjo ndodhi për Pashkën e krishterë, e cila ishte gjithashtu edhe Pashka judease. Zoti erdhi në vegim dhe e pranoi shtëpinë. Ai u tha shenjtorëve se ata duhet të gëzoheshin që e kishin “ndërtuar këtë shtëpi për emrin tim” (Doktrina e Besëlidhje 110:6). Pasi u mbyll ai vegim, u shfaqën tre profetë të lashtë: Moisiu, i cili rivendosi çelësat për mbledhjen e Izraelit nga katër anët e tokës; Eliasi që dorëzoi periudhën e kujdestarisë së ungjillit të Abrahamit; dhe Elija, i cili rivendosi çelësat e fuqisë vulosëse (shih Doktrina e Besëlidhje 110:11–16).
Rivendosja e atyre çelësave ishte absolutisht thelbësore për t’i përmbushur qëllimet e Zotit. Neve nuk na nevojitet vetëm Libri i Mormonit, por edhe ata çelësa e ato ordinanca tempulli. Ata çelësa nuk kanë qenë kurrë më të rëndësishëm se sot.
Kam vënë re se kur njëri nga Dymbëdhjetë Apostujt thirret si profeti, zemra e tij kthehet drejt ordinancave të tempullit në një mënyrë shumë dramatike. Pata privilegjin të isha në përkushtimin e Tempullit të Navusë me Presidentin Gordon B. Hinkli (1910–2008). Më kujtohet se sa thellësisht i prekur ishte ai që ky tempull ishte ndërtuar dhe sa e rëndësishme ishte për të që t’u sillte tempuj shenjtorëve. Presidenti Tomas S. Monson (1927–2018) e vazhdoi atë përpjekje dhe mori të njëjtin frymëzim nga qielli që mori Presidenti Hinkli. Dhe e kemi parë atë frymëzim në një mënyrë dramatike te Presidenti Nelson. Manteli i profetit është hedhur mbi të dhe atij i është përforcuar ndjesia e çmuarjes së ordinancave të tempullit.
Një nga mesazhet e tij të para si President i Kishës ishte që të nxiste njerëzit të shkonin në tempull, të merrnin ordinancat e tyre dhe të qëndronin në shtegun e besëlidhjeve. Menjëherë pas kësaj, ai tha se nëse për çfarëdolloj arsyeje dikush është larguar nga shtegu i besëlidhjeve, ai duhet të kthehet në atë shteg.3
Si i bekoi puna në tempull shenjtorët e hershëm të ditëve të mëvonshme?
Nga Met Grou
Kur vdiq Jozef Smithi, muret e Tempullit të Navusë ishin më pak se gjysmë të përfunduara dhe shpejt Presidentit Brigam Jang (1801–1877) iu bë e qartë se shenjtorët do të dëboheshin përsëri. Prandaj ai e pyeti Zotin: “A duhet të rrimë dhe ta përfundojmë tempullin duke e ditur se do të na duhet ta braktisim pothuajse menjëherë sapo të mbarohet, apo duhet të ikim tani?” Përgjigjja i erdhi qartësisht: “Qëndroni” (shih Brigham Young diary [ditarin e Brigam Jangut], 24 janar 1845, Church Archives; Ronald K. Esplin, “Fire in His Bones”, Ensign, mars 1993, f. 46). Ordinancat e dhurimit [indaumentit] dhe të vulosjes ishin kaq të rëndësishme, saqë shenjtorëve u nevojitej të qëndronin.
Dhe kështu gjatë vitit të ardhshëm ata dhanë gjithçka kishin për tempullin. Nga fundi, shtëpitë e tyre po digjeshin përreth Navusë dhe shenjtorët po përgatiteshin të shkonin drejt perëndimit ndërkohë që po e përfundonin tempullin. Në dhjetor të vitit 1845, tempulli kishte përfunduar aq sa shenjtorët të mund të përkushtonin një pjesë të tij, t’u jepnin dhurimet atyre që ishin të denjë dhe t’i vulosnin bashkëshortët dhe bashkëshortet me njëri-tjetrin.
Gjatë muajve vijues, ata punuan pa reshtur për ta përgatitur çdokënd shpirtërisht për atë udhëtim të madh drejt perëndimit. Për mua, është diçka e thellë dhe e shenjtë që jam vulosur nga po e njëjta fuqi me bashkëshorten, fëmijët, prindërit e mi dhe brezat që janë larguar përpara nesh, dhe brezat që nuk kanë lindur ende. Kjo është ajo që ka bërë të mundur Rivendosja.
A mund të tregoni një ngjarje nga Rivendosja që jua ka forcuar dëshminë?
Nga Kejt Hollbruku
Më kujtohet historia e përpjekjes së Ema Smithit për t’i shpëtuar përndjekjes në Misuri. Lumi Misisipi qe i ngrirë vetëm pjesërisht – jo mjaftueshëm sa të mund të udhëtonte mbi të një karrocë me njerëz dhe zotërimet e tyre. Është një lumë i gjerë dhe ishte i rrezikshëm për t’u kaluar. Ema kishte një fëmijë gjashtëvjeçar që po kapej te njëra anë e fundit të saj, një tetëvjeçar në anën tjetër, një fëmijë dyvjeçar në një krah dhe një foshnjë në krahun tjetër.
Kunata e njërit prej shkruesve të Jozefit kishte qepur disa trasta prej pambuku që kapeshin rreth belit. Brenda atyre trastave poshtë fundit, Ema mbartte kopjen e vetme të përkthimit të Biblës prej Jozef Smithit, për të cilin ai kishte punuar prej muajsh. Me dokumentet dhe fëmijët e vet ajo i hodhi hapat njëri pas tjetrit përmes atij lumi të ngrirë, duke shpresuar se nuk do të binte brenda.
Për mua, kjo është shenja e përkryer e guximit dhe besimit – që kur nevojitet të bësh diçka për atë që beson, thjesht ecën përpara duke i hedhur këmbët njëra pas tjetrës.
“Merrni Zemër”
Shumë prej jush kanë sprova dhe mundime. Një pjesë e tyre vjen ngaqë ka liri të zgjedhjes. Një pjesë e tyre vjen ngaqë ka një kundërshtar. Por ju nevojitet të dini se ne kemi një Atë të dashur në Qiell dhe se Shlyerja e Jezu Krishtit mund të na bekojë në mënyra që ndoshta nuk i kuptojmë tërësisht.
Disa historianë thonë se numri i shenjtorëve që u arratisën nga Misuri drejt Navusë gjatë dimrit të vitit 1838–1839, ishte te 8000 persona. Ishte dimër. Ku ishte Jozefi? Ishte në burgun e Libertisë, zemërthyer për atë që po përjetonin shenjtorët. Ai ndihej si i braktisur.
Në ato rrethana të pasigurta, ai mori disa nga shkrimet e shenjta më të bukura – seksionet 121, 122 dhe 123 te Doktrina e Besëlidhje. Ato janë domethënëse. Shpresoj që t’i lexoni. Libri Shenjtorët ka një rrëfim të shkurtër të kësaj ngjarjeje:
“Jozefi bëri thirrje në emër të shenjtorëve të pafajshëm. ‘O Zot’, u përgjërua ai, ‘për sa kohë do t’i vuajnë ata këto gabime dhe shtypje të paligjshme, përpara se zemra jote të zbutet ndaj tyre?’
‘Biri im, paqe i qoftë shpirtit tënd’, u përgjigj Zoti. ‘Fatkeqësia jote dhe mjerimet e tua do të jenë veçse një çast i shkurtër; Dhe atëherë, në qoftë se i duron mirë ato, Perëndia do të të lartësojë nga lart; ti do të triumfosh mbi gjithë armiqtë e tu.’
Zoti e siguroi Jozefin se Ai nuk e kishte harruar. ‘Në qoftë se edhe grykat e ferrit do ta shqyejnë gojën për ty’, i tha Zoti Jozefit, ‘dije, biri im, se gjithë këto gjëra do të të japin përvojë dhe do të jenë për të mirën tënde.’
Shpëtimtari ia kujtoi Jozefit se shenjtorët nuk mund të vuanin më shumë sesa kishte vuajtur Ai. Ai i donte dhe mund t’i jepte fund dhembjes së tyre, por përkundrazi, Ai zgjodhi ta vuante fatkeqësinë me ta, duke mbartur hidhërimin dhe pikëllimet e tyre si pjesë e flijimit të Tij shlyes. Kjo lloj vuajtjeje e mbushi Atë me mëshirë, duke i dhënë fuqi për t’i ndihmuar e rafinuar të gjithë ata që ktheheshin tek Ati në sprovat e tyre. Ai e nxiti Jozefin të mos dorëzohej dhe premtoi se nuk do ta braktiste kurrë.”
Plaku Hibër C. Kimball (1801–1868) kishte menduar se gjykatësit e Gjykatës së Lartë të Misurit do ta linin të lirë Jozefin, por ata vendosën të mos e lironin. Hibëri u kthye në burgun e Libertisë dhe, ngaqë nuk e lejuan të hynte në birucë, ia dha lajmin e keq Jozefit duke thirrur nga larg.
Jozefi ishte i dashur dhe miqësor me të. “Merr zemër”, i tha ai. Më pas e udhëzoi Hibërin që t’i “largonte të gjithë shenjtorët sa më shpejt të ishte e mundur”4.
Ka një mësim për ju nga ky rast: merrni zemër pavarësisht nga sfidat tuaja. Nëse disa gjëra të caktuara ju tundojnë, largohuni prej tyre. Mbështetuni te Fryma e Shenjtë. Shembulli i Jozefit në burgun e Libertisë dhe i shenjtorëve që po arratiseshin nga Misuri drejt Navusë, janë shembuj të mrekullueshëm të forcës dhe besimit te Zoti Jezu Krisht.
Si Apostull, unë jap dëshmi për Jezu Krishtin. Unë jam një dëshmitar i sigurt i natyrës së Tij hyjnore. Dua që ta dini se Ai e udhërrëfen dhe drejton Kishën në një mënyrë që do të na bekojë ne të gjithëve. Ju dëshmoj se Ai jeton.
Për ta parë të plotë takimin shpirtëror, shkoni te devotionals.ChurchofJesusChrist.org.