2020
Piloti i Guximshëm Ushtarak
Korrik 2020


Piloti i Guximshëm Ushtarak

Asnjë njeri nuk guxonte t’i përgjigjej instruktorit të stërvitjes, por çuditërisht, një i ri ngriti dorën.

airman raising his hand

Ilustrimi nga David Malan

Shumë vjet më parë, unë u bashkova me Forcat Ajrore të Shteteve të Bashkuara për t’i shërbyer vendit tim. Shpejt u gjenda në kampin e trajnimit në Teksas, SHBA. Javët kalonin ngadalë teksa unë duroja të gjitha gjërat që zakonisht një njeri përjeton në kampin e trajnimit.

Një ditë, mora pjesë në një mbledhje të madhe me mbi 200 pilotë ushtarakë, të gjithë në trajnim ashtu si unë. Mbledhja filloi me një nga instruktorët tanë të stërvitjes – i cili rregullisht bërtiste duke thënë gjëra të zhurmshme dhe vulgare – duke ulëritur: “A ka ndonjë njeri që e kundërshton mënyrën se si po i drejtoj gjërat këtu?”

Sigurisht, asnjë njeri nuk guxonte të përgjigjej, por çuditërisht, një i ri ngriti dorën.

“Pilot ushtarak, ngrihu në këmbë!” - bërtiti instruktori. “Për çfarë kundërshton?”

Ne të gjithë dëgjuam me vëmendje ndërsa i riu me zë të lartë, shpalli: “Unë e kundërshtoj faktin që ju e përdorni më kot emrin e Shpëtimtarit tim. Kjo më lëndon shpirtin. Do t’ju kërkoja që të mos ta bëni më këtë.”

Dhoma ra në heshtje të plotë. Instruktori ia nguli sytë atij dhe më pas e pyeti se cilës fe i përkiste. Piloti ushtarak i guximshëm me krenari tha: “Unë jam anëtar i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme”.

Instruktori e falënderoi pilotin ushtarak për guximin e tij për të folur hapur dhe mbledhja vazhdoi. Ky veprim pati një efekt të pamasë tek unë. Shpesh mendova se do të doja të kisha atë lloj guximi që pati piloti ushtarak.

Pas kampit të trajnimit dhe trajnimit mjekësor, u caktova në një bazë të forcave ajrore në Kolorado, SHBA. Një ditë, mora një letër nga vëllai im më i madh, i cili ishte vendosur në Filipine. Ai ishte bashkuar me forcat ajrore rreth një vit përpara meje. Ai më tha që ishte bërë një anëtar i Kishës dhe se donte që unë të takohesha me misionarët. Menjëherë m’u kujtua përvoja në kampin e trajnimit me pilotin e guximshëm ushtarak. Bashkëshortja ime dhe unë u takuam me misionarët dhe shpejt u pagëzuam.

Pak muaj më vonë, bëra që misionarët të vizitonin vëllanë tim më të vogël. Ai dhe bashkëshortja e tij u pagëzuan gjithashtu. Vëllezërit e mi dhe unë tani kemi familje të mëdha me nipër dhe mbesa. Ne të gjithë e duam Zotin dhe Kishën e Tij.

Unë nuk ia di emrin pilotit të guximshëm ushtarak. Unë kurrë nuk e pashë atë përsëri, por do të jem përjetësisht mirënjohës për guximin e tij për të qëndruar për atë çka besonte.