2020
Përfytyrimi për Pionierët në Indi
Korrik 2020


Përfytyrimi për Pionierët në Indi

Takimi me anëtarët pionierë të Kishës në Indi e ka ndryshuar mënyrën se si i përfytyroj pionierët.

Suvarna and Sarala Katuka

Suvarna dhe Sarala Katuka, vëlla e motër, u bashkuan me Kishën në vitin 1984 dhe më vonë shërbyen në misione.

“Sa herë që mendoj për pionierët”, siç thotë kënga e Fillores, “mendoj për gra e burra trima”1. Historitë e pionierëve shenjtorë të ditëve të mëvonshme, të cilët i ndriçuan shtigjet e besimit, më kanë frymëzuar gjithnjë. Kur sapo isha bërë nënë, historitë e grave pioniere më kujtonin bekimet e mia të ditëve të mëvonshme. Unë munda të lind fëmijë në spital e jo në një karrocë dore!

Përkufizimi i pionierit si “dikush që shkon përpara për të përgatitur ose hapur udhën që do të ndjekin të tjerët”2, i përshkruan pionierët shenjtorë të ditëve të mëvonshme në shtigje me karro dhe karroca dore duke u mbledhur në Sion. Por ajo gjithashtu përshkruan pionierë të kohës sonë dhe shtigjet e besimit që ata i çajnë anembanë botës.

Kur të pestë fëmijët e mi u regjistruan në shkollë, fillova studimet pasuniversitare për historinë e besimeve fetare. Zgjodha të bëja kërkime për Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme në Indi si temën e tezës së doktoratës sime. Kërkimi im në Indi e ka ndryshuar mënyrën se si i përfytyroj pionierët.

Shtyllat e Kishës

Vite më parë, kur isha studente kolegji në vitin 1986, kisha udhëtuar për në Azinë Jugore me Ambasadorët e Rinj të Universitetit “Brigam Jang”. Ishte një përvojë që ma ndryshoi jetën, e cila përfshinte kalimin e një dite në Kalkutë (që tani quhet Kolkata) me Nënë Terezën. Ishte po aq emocionuese të takoja shenjtorët e ditëve të mëvonshme që ishin pionierë të kohës sonë në Indi dhe Sri-Lankë.

Njëri nga këta anëtarë ishte Raxh Kumari, i cili e gjeti Kishën kur shkoi në një shfaqje të Ambasadorëve të Rinj të UBJ-së në vitin 1982. Kur e takuam, ai sapo ishte kthyer nga misioni që kishte bërë në Frezno, Kaliforni, SHBA. E mbante ende etiketën e emrit si misionar dhe vazhdonte t’i jepte mësim kujtdo që e dëgjonte në Delhi. Raxhi ishte një prej pothuajse 600 anëtarëve në Indi në atë kohë, por mua m’u duk si një shenjtor i vetëm i ditëve të mëvonshme në një det me qindra milionë njerëz.

Taunalyn and Raj

Në vitin 1986 takova Raxh Kumarin pas misionit të tij. Ende duke e mbajtur etiketën e emrit si misionar, ai e përhapi ungjillin te kushdo që e dëgjonte.

U frymëzova nga shembulli i Raxh Kumarit kur zgjodha të shërbeja në një mision. Raxhi ndriçoi një shteg besimi edhe që disa nga misionarët e parë, të cilët ishin indianë vendës, të shërbenin në vend. Suvarna Katuka dhe shokët e tij misionarë kishin marrë njëfarë trajnimi misionar në Çenai. Presidenti i tyre i misionit, i vendosur në Singapor, e caktoi Raxhin që t’u jepte atyre trajnim shtesë në Delhi.

Suvarna Katuka kujton se si ndryshoi puna e tyre misionare për shkak të shembullit dhe trajnimit të Raxh Kumarit. Ata qenë në gjendje t’i zëvendësonin ndjenjat e frikës me besim e guxim më të madh. Suvarna shpjegoi: “Ajo ishte koha kur mendoj se filloi kthimi im i vërtetë në besim. E ndjeva Frymën e Shenjtë dhe ajo ishte koha kur vendosa të ndihmoja që të ndërtohet mbretëria këtu në Indi.”3

Suvarna ishte bashkuar me Kishën në Raxhamundri. Ai, së bashku me pesë vëllezër e një motër, u pagëzua në vitin 1984. Ditën e pagëzimit, Suvarna u shugurua prift dhe u veçua si këshilltar i dytë në presidencën e degës. Atij gjithashtu iu premtua në një bekim se, po të qëndronte besnik, do të ishte një “shtyllë e Kishës në Indi”.

Motra e Suvarnës, Sarala shërbeu në një mision gjithashtu. Përpara se të largohej, ajo e njohu shoqen e saj Suarupën me ungjillin. Kur Suvarna u kthye nga misioni, ai u bekua nga puna misionare e së motrës dhe u martua me Suarupën. Ajo degë e vogël në Raxhamundri tani është bërë kunj. Shumë misionarë të kthyer nga Raxhamundria janë bërë udhëheqës brenda Kishës në të gjithë Indinë.

I takova fëmijët e Suvarna dhe Suarupa Katukës teksa jepja mësim në UBJ në vitin 2014. Xhosh Katuka e kishte përfunduar kohët e fundit shërbimin në një mision në Bangalorë, Indi, dhe motra e tij Timna sapo kishte marrë thirrjen në të njëjtin mision. Kur e pyeta Timnën dhe Xhoshin a e njihnin Raxh Kumarin, ata thanë: “Po, ai është ungji ynë!” Raxh Kumari qe martuar me Saralën.

I jam mirënjohëse familjes Katuka që më njohu me disa pionierë të tjerë teksa më ndihmonin të udhëtoja nëpër Indi. Shumë prej tyre e gjurmojnë shtegun e tyre prapa në kohë te dashuria dhe shembulli i familjes Katuka. Në njëfarë pike, Suvarna dhe Suarupa patën mundësinë të emigronin drejt Kanadasë. Por ata e refuzuan sepse ndien se Zoti kishte nevoje që ata të qëndronin në Indi dhe ta ndërtonin mbretërinë e Perëndisë atje. Shërbimi i tyre i përkushtuar i ka bërë ata vërtet shtylla të Kishës.

The Ponds with Michael Anthoney

Deluin Pondi (në qendër) e njohu Majkëll Enthënin me Kishën në vitin 1981.

Anëtarët Pionierë në Bengaluru dhe Hajderabad

Gjatë gjysmës së fundit të shekullit të 20-të, Kisha është vendosur në qytete të ndryshme në Indi nëpërmjet anëtarëve pionierë.4 Çdo histori, dëshmon se Zoti i ka udhëhequr njerëzit për tek ungjilli i rivendosur.

Majkëll Enthëni, një anëtar pionier në Bangalorë (tani Bengaluru), u lidh mrekullisht me një anëtar të Kishës në vitin 1970. Kur Deluin Pondi, një peshkop në Jutë, shkoi te një fizioterapist për dhembje shpine, ai pa një artikull reviste në zyrën e fizioterapistit për një organizatë jofitimprurëse që financonte studentë në Indi. Ai ndjeu një dëshirë të fuqishme për të përkrahur ekonomikisht një nga këta studentë. Kjo çoi në një letërkëmbim anonim 10-vjeçar që kulmoi kur familja Pond u lidh me Majkëllin dhe i tregoi atij për ungjillin. Majkëlli u pagëzua në vitin 1981 dhe shërbeu në një mision në Solt-Lejk-Siti në vitin 1982. Ai u kthye në shtëpi më herët për shkak se nëna e tij u sëmur rëndë, kështu që i shërbeu tre muajt e fundit të misionit të tij në Bangalorë, ku ai u dha mësim disa prej shokëve të tij dhe të tjerëve që u bënë anëtarë të degës së parë atje.5 Tani planet janë në udhë e sipër për ta ndërtuar një tempull në Bengaluru.

Elsi dhe Eduin Dharmaraxhu u bashkuan me Kishën në Samoa dhe u thirrën nga Presidenti Spenser W. Kimball që të ktheheshin në shtëpinë e tyre në Hajderabad si misionarë në familjen e tyre. Në vitin 1978, u pagëzuan 22 pjesëtarë të familjes së Elsit dhe Eduinit dhe nga ky fillim u organizua kunji i parë në vend në Hajderabad në vitin 2012.6

Anëtarët e Kunjit të Hajderabadit sot e përfytyrojnë veten si pionierë të ditëve të mëvonshme. Kremtimet e Ditës së Pionierëve në kunjin e tyre kanë përkujtuar shtegtimin e pionierëve të hershëm si dhe udhëtimet e pionierëve të kohës sonë. Kremtimet e tyre kanë përfshirë vallëzime në shesh, ngjitje përkujtuese në mal e madje edhe udhëtime me karroca dore.

members pulling a handcart

Anëtarët e kunjit të Hajderabadit përkujtojnë Ditën e Pionierëve nëpërmjet këngës, vallëzimit e madje udhëtimeve me karroca dore.

Në kremtimin e tyre të vitit 2014 të Ditës së Pionierëve, ata vendosën blloqe akulli në një rresht pas kishës dhe i ftuan anëtarët që t’i hiqnin këpucët e të ecnin nëpër akull, duke menduar se si i kaluan lumenjtë e ngrirë pionierët e hershëm. Në përfundim të kremtimit të tyre, anëtarët e kunjit të Hajderabadit u nxitën që ta kujtonin frymën e pionierëve të hershëm dhe se “të gjithë ata janë pionierë për familjet e tyre”7.

Ata gjithashtu dëgjuan Xhon Santosh Muralën, që në atë kohë shërbente në presidencën e misionit, të fliste rreth mënyrës se si tetoja e tij Elsi dhe ungji Eduin Dharmaraxhu erdhën në Hajderabad për t’ia mësuar familjes së tyre ungjillin. Xhoni ishte më i riu në moshë nga 22 anëtarët pionierë që u pagëzuan në vitin 1978.

Kur e vizitova Hajderabadin në vitin 2014, Xhon Murala më tregoi historinë e tij dhe një pjesë të madhe të historisë së Kishës që e kishte mbledhur me zell. Ai gjithashtu më njohu me bashkëshorten e tij, Anapurnën, e cila më tregoi një nga historitë më të fuqishme të pionierëve të ditëve të mëvonshme që kam dëgjuar ndonjëherë.

Anapurna ishte 12 vjeçe në vitin 1991, kur vëllai i saj Mërthi e mësoi ungjillin nga dy misionarë në Hajderabad. Prindërit e Anapurnës nuk ia lejuan asaj t’i dëgjonte misionarët ose të shkonte në kishë. Megjithatë, Mërthi i dha asaj të lexonte një Libër Mormoni dhe një varg të vazhdueshëm leximesh të Kishës. Për shtatë vjet, Anapurna e studioi ungjillin vetë dhe fitoi një dëshmi të fortë për vërtetësinë e tij. Ajo ëndërronte të pagëzohej, të shërbente në një mision dhe të martohej në tempull, por nuk kishte leje nga prindërit.

Annapurna u përball me një vendim të vështirë në jetën e saj kur u njoh me Xhon Muralën. Xhoni kishte qëndruar i fortë në dëshmi që nga pagëzimi i tij në vitin 1978, dhe po kërkonte një anëtare të Kishës me të cilën të martohej. Pas një takimi shumë të shkurtër ku Anapurna dha dëshminë e saj për ungjillin, Xhoni u bind se kishte takuar bashkëshorten e tij të ardhshme. Anapurna e dinte se, po të martohej me Xhonin, do të kishte mundësi të pagëzohej dhe të vulosej në tempull një ditë. Megjithatë, pothuajse në të njëjtën kohë, prindërit e Anapurnës po planifikonin ta martonin atë me shkuesi.

Anapurna mori vendimin e vështirë që të largohej nga shtëpia dhe të martohej me Xhonin. Ajo ndjeu se kjo ishte mënyra e vetme që të mund të bashkohej me Kishën. Ajo tha se qe “plotësisht zemërthyer” që i la prindërit. Por edhe sot ajo pohon: “Për shpëtimin e të gjithëve,… për pasardhësit e mi dhe për prindërit e mi e paraardhësit e tyre, për të bërë punën e tyre në tempull, m’u desh ta hidhja atë hap”8.

Artist rendering of the Bengaluru India Temple

Xhoni dhe Anapurna janë mirënjohës që tani prindërit e saj e kanë pranuar martesën e tyre. Shumë anëtarë në Indi kanë bërë sakrifica, njësoj si pionierët e hershëm, që të bëheshin anëtarë të Kishës. Prapëseprapë këta shenjtorë kanë shkuar përpara me besim sepse e përfytyrojnë veten si pionierë dhe hallka lidhëse bashkuese për familjet e tyre në të dyja anët e velit. I çmoj fort historitë e shumta të besimit, sakrificës dhe guximit që kam dëgjuar nga anëtarët që ndriçojnë shtigje në zona të reja ku shkon ungjilli. Mendoj ende për pionierët që tërheqin karroca dore dhe kalojnë lumenj të akullt, por tani mundem t’i përfytyroj pionierët e kohës sonë në Indi dhe në të gjithë botën.

Në fund të fundit, të gjitha shtigjet e pionierëve janë ndriçuar nga individët që kanë ndjekur gjurmët e hapave të Shpëtimtarit Jezu Krisht. Në Dhiatën e Re, Krishti quhet “realizuesi i shpëtimit [tonë]” (shih Hebrenjve 2:10, te Bibla në anglisht është pionieri). Jezu Krishti e ka përgatitur udhën që ne të kthehemi te shtëpia jonë qiellore. Pionierët e vërtetë e ndjekin Krishtin dhe na drejtojnë tek Ai, i cili po e udhëheq këtë mrekulli dhe çudi në ditët e mëvonshme.

Shënime

  1. “Whenever I Think about Pioneers”, Children’s Songbook, f. 222–223.

  2. Oxford English Dictionary (1971), “Pioneer”. Shih edhe Thomas S. Monson, “Led by Spiritual Pioneers”, Liahona, gusht 2006, f. 3.

  3. Suvarna Katuka, histori gojore e treguar në intervistë me Taunalyn Rutherford, maj 2014, Delhi, Indi.

  4. Shumë nga historitë e pionierëve nga India mund të gjenden te pjesa Church History [Historia e Kishës] e programit Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit] nën emërtimin “Global Histories”.

  5. Shih “A History of the Church in India,” përm. Jerry C. Garlock (e pabotuar, 1995), f. 49–50.

  6. Shih “I Will Establish a Church by Your Hand”, history.ChurchofJesusChrist.org.

  7. Shih “Hyderabad Stake Pioneer Day Activity”, lds.org.in/hyderabad-stake-pioneer-day-activity.

  8. Anapurna Guru Murala, histori gojore e treguar në intervistë me Taunalyn Rutherford, Hajderabad, Indi, 7 maj 2014. Shih edhe Rochelle Welty dhe Jan Pinborough, “God Had His Own Plans for Me”, Liahona, prill 2003, f. 30–32.