2020
Thirrja e Papritur për në Mision
Korrik 2020


Shembuj të Guximshëm

Thirrja e Papritur për në Mision

The Surprise Mission Call

Eduin Darmaraxhu buzëqeshi teksa doli nga aeroporti dhe eci në dritën e diellit. Mund të shihte pemë palmash në anë të rrugëve dhe të nuhaste aromën e erëzave në tregun aty pranë. Ai dhe bashkëshortja e tij, Elsi, ishin kthyer në Indi! Kishin jetuar në Samoa, por tani ishin kthyer përsëri në shtëpi.

Sidoqoftë, Eduini dhe Elsi nuk ishin këtu thjesht për vizitë. Ata ishin thirrur të shërbenin si misionarë për Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Eduini u ndje pak i shqetësuar. Por e dinte se Ati Qiellor do t’i ndihmonte. Ati Qiellor i kishte ndihmuar tashmë kaq shumë.

Eduini dhe Elsi ishin lindur në Indi. Por Eduini për herë të parë dëgjoi për Kishën ndërsa shkonte në shkollë në Shtetet e Bashkuara. Atje shkoi në kishë një herë. Madje e lexoi Librin e Mormonit. Por kur u kthye në Indi, e harroi Kishën.

Disa vjet më vonë, Eduini dhe Elsi ndien se duhej të shpërnguleshin në Samoa. Eduini ishte një studiues insektesh dhe mori një punë që të bënte kërkim shkencor në ishull. Pikërisht atje Eduini dhe Elsi u takuan me misionarët. Kur Eduini e lexoi Librin e Mormonit përsëri, ndjeu diçka të veçantë. Edhe Elsi e lexoi Librin e Mormonit. Ata zgjodhën të pagëzoheshin së bashku me bijtë dhe bijat e tyre.

Pasi u bashkuan me Kishën, gjëja që Eduini donte më shumë, ishte që familja e tij në Indi të mësonte rreth ungjillit. Problemi ishte që nuk kishte misionarë në Indi për t’i mësuar ata. Eduini dhe Elsi dërguan letër te zyrat qendrore të Kishës që t’u kërkonin të dërgonin misionarë në Indi.

Çfarë ndodhi më pas ishte një e papritur e madhe. Presidenti Spenser W. Kimball i thirri ata që të shërbenin si misionarë në Indi!

Dhe tani, ja ku ishin.

Ndalesa e tyre e parë në Indi ishte shtëpia e vëllait të Eduinit. Prindërit, motrat dhe vëllezërit e Eduinit ishin atje gjithashtu. Menjëherë Eduini dhe Elsi filluan t’u jepnin mësim. Familja e tyre ishte e lumtur që të mësonte për ungjillin.

Pak javë më pas, Eduini dhe familja e tij u mblodhën në një pishinë në oborrin e vëllait të tij. Pishina ishte pastruar, lyer dhe mbushur me ujë të freskët. Të gjithë ishin të veshur me rroba të bardha. Gratë kishin veshur sari të lirshme që u vareshin nga supet. Burrat kishin veshur pantallona dhe xhaketa të çlirëta të stilit indian.

Eduini qëndroi brenda në pishinë me të atin. “Samuel Dejvid”, tha Eduini, “duke qenë i autorizuar nga Jezu Krishti, unë të pagëzoj në emër të Atit dhe të Birit dhe të Frymës së Shenjtë.”

Eduini u ndje i lumtur kur pagëzoi të atin. Ai u ndje edhe më i lumtur kur më pas pagëzoi nënën e vet. Deri në fund të ditës, Eduini kishte pagëzuar 18 njerëz!

Të nesërmen, Eduini dhe Elsi udhëtuan me tren për gjashtë orë. Vizituan pjesëtarë të tjerë të familjes dhe u mësuan atyre për ungjillin. Eduini pagëzoi katër të afërm të tjerë në një lumë aty pranë.

Më së fundi, Eduini dhe Elsi bënë një udhëtim me tren për 16 orë që të vizitonin prindërit e Elsit. Babai i Elsit ishte udhëheqës në një kishë tjetër. Ai nuk u pagëzua, por mendoi se Libri i Mormonit ishte një libër i mirë. Ai ndihmoi që të përkthehej Libri i Mormonit në teluguisht, një nga gjuhët e folura në Indi.

Kur Eduini dhe Elsi e mbaruan misionin e tyre, kishte mjaft anëtarë të rinj sa të fillohej një nga degët e para të Kishës në Indi! Eduini dhe Elsi ishin të lumtur kur u kthyen në Samoa. Ishin mirënjohës që Ati Qiellor i kishte dërguar në mision.