Mesazh i Udhëheqjes Zonale
“Bota Ka Nevojë për Dritën Tuaj”
Gjatë kohëve të errësirës, trazirave dhe pasigurisë – e gjejmë veten duke u drejtuar te i vetmi burim i dritës, shpresës dhe paqes. Ai dha shembullin e dashurisë dhe shërbimit ndaj të tjerëve dhe na ngarkoi detyrën për të bërë të njëjtën gjë. Teksa e ndjekim Atë, ne besëlidhim për t’i ndihmuar ata që janë në nevojë, dhe për të dëshmuar për Krishtin gjatë gjithë jetës sonë.1
Pak përpara shpërthimit të Luftës II Botërore, Galeria Kombëtare në Londër hoqi mijëra piktura të rëndësishme duke i çuar në Uells për t’i mbajtur të sigurta.2 Megjithatë, publiku i përgjithshëm ushtroi trysni mbi qeverinë që ta rikthente një pjesë të veprave të artit dhe u mor një vendim që publikut t’i shfaqej një pikturë në muaj në mënyrë që t’u ngrinte moralin. Një letër e botuar te gazeta ‘The Times’ në janar 1942 shpjegoi: “Për shkak se fytyra e Londrës është me shenja dhe e mavijosur këto ditë, na nevojitet më shumë se kurrë të shohim gjëra të bukura”.
‘Piktura e muajit’ që u zgjodh e para nga njerëzit ishte Noli me Tangere (“Mos më Prek”) nga artisti italian Ticiano.3 Piktura portretizon Krishtin e ringjallur tek i shfaqet Maria Magdalenës. Pasi e gjen varrin të zbrazët pas vdekjes së Tij, ajo e ngatërron Atë me kopshtarin dhe i përgjërohet që t’i tregojë se ku e ka çuar trupin e Krishtit. Teksa Ai e thërret, ajo ia njeh zërin dhe, ndërsa e bën këtë, kupton identitetin e Tij të vërtetë: Shpëtimtari dhe “Mësuesi” i saj.4
Ne kemi dëshmuar trazira të mëdha këtë vit. Si Maria e Ticianos, mund ta gjejmë veten duke kërkuar Shpëtimtarin. Presidenti Nelson na kujton se Jezusi është “drita që shndrit në errësirë”.5 Shpëtimtari u mësoi ndjekësve të Tij: “Unë jam drita e botës; kush më ndjek nuk do të ecë në errësirë, por do të ketë dritën e jetës”.6
Një mënyrë në të cilën mund ta ndjekim Shpëtimtarin është duke mbajtur besëlidhjen tonë për t’i ndihmuar ata që janë në nevojë. Kur profeti Alma dha mësim rreth besëlidhjes së pagëzimit, ai tha se ne duhet të jemi “të gatshëm të mba[jmë] barrat e njëri-tjetrit, që ato të mund të jenë të lehta” dhe “të gatshëm të vajto[jmë] me ata që vajtojnë” dhe “të ngushëllo[jmë] ata që kanë nevojë të ngushëllohen”.7
Shpëtimtari është shembulli ynë më i madh i shërbimit. Pavarësisht nga sfidat, kërcënimet dhe përndjekja me të cilat u përball, Ai “e përshkoi vendin duke bërë mirë”. Ai e kaloi shërbesën e Tij në tokë duke i bekuar, duke u shërbyer e duke u shkuar në ndihmë të tjerëve. Shlyerja e Jezu Krishtit ishte në vetvete një shprehje hyjnore e dashurisë, sakrificës dhe shërbimit ndaj njerëzimit. “Askush s’ka dashuri më të madhe nga kjo: të japë jetën e vet për miqtë e tij.”8
Mjerisht, kjo nuk është ajo që na mëson bota. Ajo na thotë se duhet të kujdesemi për veten, se lumturia gjendet te blerjet, konsumi dhe titujt e meritat e dhëna nga njerëzit e rrethit tonë.9 Shpëtimtari sugjeroi një shteg shumë të ndryshëm për dishepujt e Tij. Ishte një shteg me më pak shqetësim për “të pasur [gjëra]” dhe më i përqendruar tek “të qenit”. Në veçanti, na udhëzoi të jemi të dashur, dashamirës, falës, të mëshirshëm, të duruar, të butë, të dhembshur, rezistues ndaj vuajtjeve e të përulur. Drejtimi i tij ishte më pak i interesuar për “t’ju shpëtuar jetën”. Në vend të kësaj, ai na ftoi ta “humbas[im]” veten në përkujdesje e dashuri ndaj të tjerëve.
Jezu Krishti e kaloi kohën e Tij duke u shërbyer e duke i ndihmuar të gjithë dhe si dishepujt e Tij, na fton të bëjmë të njëjtën gjë. Shpëtimtari tha: “Prej kësaj do t’ju njohin të gjithë që jeni dishepujt e mi, nëse keni dashuri për njëri tjetrin”.10
Mundësitë për t’u shërbyer të tjerëve janë të pakufishme. Mund të jetë diçka aq e thjeshtë sa një buzëqeshje ose një fjalë dashamirëse. Një kohë e shpenzuar duke e dëgjuar dikë. Një gjest përkujdesjeje, veçanërisht për ata që mund të jenë lënë pas dore, të harruar, të izoluar nga shoqëria ose të përjashtuar në komunitetin tuaj.
Shërbimi i bekon të tjerët, por na bekon edhe ne në mënyra domethënëse e kuptimplota. Ai mund të na ndihmojë ta ndiejmë dashurinë e Perëndisë për ne, si dhe të na largojë nga shqetësimet, frika, ankthet dhe dyshimet tona.11 Veprimet e thjeshta e të rregullta të shërbimit janë shpërfaqje të dashurisë sonë për Perëndinë e të tjerët. Plaku Uhtdorf tha: “Kur e kuptojmë vërtet se çfarë do të thotë të duash ashtu si na do Jezu Krishti, pështjellimi qartësohet dhe përparësitë tona renditen sipas vullnetit të Perëndisë. Jeta jonë si dishepuj të Krishtit bëhet më e gëzueshme. Jeta jonë merr kuptim të ri. Marrëdhënia jonë me Atin tonë Qiellor bëhet më e thellë.”12
Më lejoni të sugjeroj tri gjëra që mund t’i marrim parasysh të gjithë.
-
Jini të qetë. Jezu Krishti është drita që shndrit në errësirë.
-
Jini një dritë. Mund të jeni një dritë në shtëpinë, familjen dhe komunitetin tuaj teksa i ndihmoni ata që janë në nevojë dhe dëshmoni për Krishtin gjatë gjithë jetës suaj.
-
Bëni mirë. Veprimet e thjeshta të shërbimit do t’u sjellin gëzim, shpresë e paqe shumë njerëzve.
Jezu Krishti është drita që kërkojmë në kohë errësire, trazirash e pasigurie. Ai e ka ftuar secilin prej nesh që të jetë një “dritë” për botën. Ekziston dikush që e njohim, i cili është në nevojë; dikush që mund ta ngremë shpirtërisht e ta forcojmë. Kjo është puna që jemi thirrur të bëjmë. Është puna e Tij. Duke e bërë këtë, do të zbulojmë identitetin tonë të vërtetë si fëmijë të një Ati të dashur në Qiell.