2020
Të Ndryshëm por së Bashku
Korrik 2020


Të Ndryshëm por së Bashku

Autorja jeton në Xhorxhia, SHBA.

“Ata duhet të adhurojnë si, ku dhe çfarë të zgjedhin” (Nenet e Besimit 1:11).

Different but Together

Elli dhe familja e saj po shkonin për të vizituar kushërinjtë e tyre të cilët jetonin shumë larg. Sa e emocionuar ishte Elli! Nuk i kishte parë kushërinjtë e saj për një kohë të gjatë.

Përpara udhëtimit, prindërit e Ellit thanë se donin të flisnin për diçka.

“Kur mblidhemi së bashku me familjen, ne gjithmonë themi lutje në kohën e vaktit të ushqimit. Dhe nganjëherë flasim për kishën, vërtet?” pyeti babi.

“Vërtet!” tha Elli.

“Pra, gjërat do të jenë paksa ndryshe në këtë udhëtim”, tha mami. “Tetoja dhe daja juaj nuk shkojnë më në kishë. Dhe atyre nuk u pëlqen kur njerëzit u flasin për këtë.”

Elli mblodhi vetullat. “Përse jo?”

“Nuk i dimë të gjitha arsyet”, tha babi. “Por ata na duan shumë. Mendoj se ata nuk duan të bëjnë debat me ne ose të na i lëndojnë ndjenjat. Prandaj na kanë kërkuar që të mos flasim për gjëra të kishës me ta.”

Elli tundi kokën.

“Ne prapëseprapë mund t’i lexojmë shkrimet e shenjta dhe të lutemi kur jemi atje. Por do ta bëjmë më vete”, tha mami.

“Po kur të hamë?” pyeti motra e Ellit.

“Le të presim e të shohim”, tha mami. “Nëse ata nuk luten para se të hanë, ne secili mund të themi një lutje në zemrën tonë.”

“Në rregull”, tha Elli. “Mund ta bëj këtë!”

Të nesërmen familja e Ellit u mblodh në makinë. Udhëtuan me makinë deri natën vonë. Kur më së fundi mbërritën te shtëpia e kushërinjve të vet, tetoja dhe daja i Ellit i ndihmuan të nxirrnin valixhet nga makina. Më pas të gjithë shkuan të flinin.

Të nesërmen në mëngjes, Elli tha një lutje përpara se të shkonte në kuzhinë për të ngrënë. U ndje disi e shqetësuar që do shihte familjen e saj. Por atëherë tetoja e vet u ul pranë saj me një buzëqeshje të ngrohtë në fytyrë.

“Disa nga ne sot më vonë do të shkojnë te floktorja e kushërirës sate. A do që të vish?” e pyeti ajo Ellin.

“Një floktore?” pyeti Elli.

“Po! Ti dhe motra jote mund të rregulloni flokët nëse doni.”

Elli buzëqeshi dhe pohoi me kokë. Kjo dukej zbavitëse!

Pas mëngjesit, morën autobusin për të shkuar drejt floktores. Ellit i pëlqeu shumë të shihte kushërirën e saj duke punuar. Gishtat e saj fluturonin para mbrapa teksa krihte flokët dhe bënte gërshetat. Pasi u rregulluan flokët e të gjithave, ato bënë sikur po bënin një paraqitje mode përpara pasqyrës së floktores dhe qeshën me modelet e tyre të reja.

Të nesërmen po binte shumë shi. Prandaj të gjithë vendosën të qëndronin në shtëpi dhe të luanin lojëra tavoline. Elli dhe njëra prej kushërirave të saj ishin në një skuadër kundër dy prej djemve më të mëdhenj. E ngacmonin njëri‑tjetrin teksa bënin garë me gurët e tyre të lojës nëpër fushën e lojës.

“Fituam!” bërtiti Elli teksa e lëvizi gurin e saj drejt fundit të fushës së lojës. Bënë qepalla me njëra‑tjetrën – madje edhe me kushërinjtë më të mëdhenj që shtireshin sikur ishin të mërzitur nga humbja.

Vetëm pas pak ditësh, ishte koha për t’u kthyer në shtëpi. Kur Elli hipi mbrapa në makinën e familjes së saj, ajo dëgjoi familjen duke thënë lamtumirë.

“Do të na marrë malli për ju!”

“Kthehuni së shpejti!”

“Ju duam fort!”

Elli buzëqeshi dhe përshëndeti me dorë teksa makina largohej. Ishte zbavitur shumë. Edhe pse besonin në gjëra të ndryshme, prapëseprapë mund të ishin një familje e lumtur.