2020
Përdorimi i Kohës Suaj në Mënyrën e Duhur
Korrik 2020


Mësim me Sende për Mbrëmjet e Shtëpisë

Përdorimi i Kohës Suaj në Mënyrën e Duhur

Kur e vendosni Zotin të parin, ka vend për gjërat e tjera.

Making Good Use of Your Time

Ilustrimet nga David Habben

Sa veprimtari të ndryshme kërkojnë çdo ditë vëmendjen tuaj? Të gjithë ne kemi 24 orë për të shpenzuar, por mënyra se si zgjedhim ta përdorim atë kohë, sjell një ndryshim të madh!

Presidenti Dallin H. Ouks, Këshilltar i Parë në Presidencën e Parë, ka thënë: “Numri i gjërave të mira që mund të bëjmë, e tejkalon shumë kohën në dispozicion për t’i kryer ato. Disa gjëra janë më të mira se vetëm mirë dhe këto janë gjërat që duhet të marrin vëmendje me përparësi në jetën tonë. … Duhet të heqim dorë nga disa gjëra të mira, që të mund të zgjedhim të tjera që janë më të mira ose më të mirat.”1

Me këtë veprimtari, ju do të tregoni se çfarë ndodh kur e bëjmë punën e Zotit përparësinë tonë të parë.

1. Mbushja e Kohës

Kohën tonë mund ta përdorim për plot veprimtari të mira. Kërkojuni familjarëve të tregojnë disa nga gjërat për të cilat e shpenzojnë kohën e tyre çdo ditë.

Shpjegoni se kavanozi përfaqëson kohën. Gurët dhe rëra përfaqësojnë gjërat e ndryshme që mund të bëjmë me kohën tonë: gurët më të mëdhenj janë në vend të gjërave që Zoti na ka kërkuar t’i vëmë si përparësi, si studimi i shkrimeve të shenjta, shërbimi, tempulli e puna për historinë familjare dhe pjesëmarrja në kishë, ndërkohë që rëra simbolizon veprimtari të tjera të mira, si bërja e detyrave të shtëpisë dhe koha që kalojmë me miqtë.

2. Vendosja e Përparësive Jo në Radhën e Duhur

Hidheni së pari të gjithë rërën në kavanoz, pastaj shtojini sipër gurët më të mëdhenj. Kur shtoni së pari rërën, nuk ka mjaftueshëm hapësirë për të gjithë gurët më të mëdhenj – njësoj siç ndodh kur u japim përparësi veprimtarive të tjera në vend të gjërave që Ati Qiellor na ka urdhëruar të bëjmë, ne mund të na mbarojë koha për gjërat që janë më të rëndësishme.

3. Çdo Gjë në Vendin e Vet

Jezu Krishti urdhëroi: “Si rrjedhim, mos kërkoni gjërat e kësaj bote, por para së gjithash kërkoni të ndërtoni mbretërinë e Perëndisë dhe të vendosni drejtësinë e tij” (Përkthimi prej Joseph Smith-it, Mateu 6:38). Diskutoni se si mund të vendosni përparësi në kohën tuaj duke kërkuar së pari mbretërinë e Perëndisë.

Zbrazeni kavanozin dhe fillojeni nga e para me të njëjtët artikuj. Motrat e vëllezërit më të vegjël mund të duan të ndihmojnë. Bëjini të vendosin të parët gurët më të mëdhenj në kavanoz. Pasi të shtoni rërën pastaj, shikoni se si mbushen hapësirat e tjera përreth gurëve më të mëdhenj derisa e gjithë rëra zë vend.

Pyetini familjarët se çfarë mendojnë se do të thotë ky premtim nga Presidenti Rasëll M. Nelson: “Teksa i jepni vazhdimisht Zotit një pjesë bujare të kohës suaj, Ai do ta shumëfishojë pjesën e mbetur të saj”2.

Të Vendosësh Zotin të Parin

Kur kërkojmë të bëjmë vullnetin e Perëndisë së pari, Ai na ndihmon të kemi mjaftueshëm kohë për gjëra të tjera të nevojshme dhe lartësuese. Kështu që, nëse hasni vështirësi për të gjetur kohë mjaftueshëm që t’i përfundoni detyrat e shtëpisë, t’i zhvilloni talentet tuaja, ose të flini aq sa keni nevojë, pyeteni Zotin se çfarë mund të bëni për të vënë përparësi në kohën tuaj sipas planit të Tij. Vendosni synime bashkë si familje për ta vendosur punën e Zotit – dhe marrëdhënien tuaj me Të – së pari, çdo ditë.

Shënime

  1. Dallin H. Ouks, “Mirë, Më Mirë, Më e Mira”, Liahona, nëntor 2007, f. 104, 107.

  2. Rasëll M. Nelson, “Qëndroni si Mijëvjeçaristë të Vërtetë”, Liahona, tetor 2016, f. 51.