Karroca e Vogël me Bukë
Autorja jeton në Vermont, SHBA.
“Kur jeni në shërbimin e bashkëqenieve tuaja, ju jeni vetëm në shërbimin e Perëndisë tuaj” (Mosia 2:17).
Semi hapi sytë dhe gogësiu. Po nuhaste diçka të shijshme.
Mmmm, babi po bën bukë! mendoi Semi.
Babi bënte bukë për familjen çdo të shtunë. Semit i pëlqente ta shihte duke i nxjerrë nga furra çyrekët me kore bojëkafe. Babi gjithmonë i jepte Semit fetën e parë të bukës.
Por sot nuk është e shtunë, mendoi Semi. Pse po pjek babi bukë?
Semi u ngrit nga shtrati dhe shkoi në kuzhinë. E pyeti babin se çfarë po ndodhte.
“A e mban mend se çfarë na kërkoi të bënim peshkopi ynë?” tha babi.
Semi pohoi me kokë. “Na kërkoi t’i ndihmojmë njerëzit. Dhe unë e ndihmova Motrën Martin që ta ngjiste lart valixhen e saj, të kujtohet?”
“Bëre punë të mirë”, tha babi. “Unë u luta se si mund të ndihmoja. Pata idenë që të bëja bukë për t’ua dhënë të tjerëve.”
Semi pa te xhami i furrës. I numëroi çyrekët e bukës.
“Një … dy … tre … katër. Kujt do t’ia japësh bukët?”
“Për këtë më nevojitet ndihma jote”, tha babi. “Kam një bukë për Motrën Martin. Dhe dy bukë për familjen Miller. Kujt duhet t’ia japim bukën e katërt?”
Semi mendoi rreth kësaj.
“Ndoshta zotit Li?” pyeti Semi. Zoti Li jetonte në pallatin e tyre. Ai nuk dilte shumë përjashta. Kryesisht i shihte njerëzit nga dritarja.
“Ide e mrekullueshme”, tha babi.
Pasi u poqën bukët, Semi e ndihmoi babin që t’i mbështillnin bukët. Më pas nxori karrocën e tij. I futën brenda çyrekët.
“Karroca me bukë është gati për të shkuar!” tha Semi.
Babi e ndihmoi Semin që ta tërhiqte karrocën. Semi u ndje mirë dhe ngrohtë në zemër, ashtu si buka që po shpërndanin!