2020
Të Presësh Premtimin
Korrik 2020


Të Presësh Premtimin

Vajza ime është larguar nga Kisha, por unë e di se ajo do të bekohet nga gjërat që i janë dhënë mësim rreth ungjillit.

woman sitting in church with baby

Ilustrimi nga Megan Schaugaard

Tre muaj përpara se të mbushja 21 vjeçe, unë u pagëzova bashkë me motrën time, nënën time dhe nipin tim tetëvjeçar. Me kalimin e viteve, ne jemi mbajtur fort tek ungjilli pavarësisht nga sfidat tona të shumta.

Kur bashkëshorti im dhe unë u martuam, ne ishim të vendosur të qëndronim aktivë në Kishë. Me ardhjen e fëmijëve, bashkëshorti im dhe unë u përpoqëm të ishim prindër të mirë dhe ta jepnim mësim ungjillin në shtëpinë tonë.

Një ditë, unë mora pjesë në një konferencë bashkë me bijën tonë njëvjeçare. Në konferencë, një I Shtatëdhjetë Zonal foli rreth përgjegjësisë së prindërve për t’ua dhënë mësim ungjillin fëmijëve të tyre. Më pas ai bëri një premtim që la një mbresë tepër të madhe tek unë. Ai tha: “Nëse, pas gjithçkaje që mund të bëni për ta dhënë mësim ungjillin, njëri nga fëmijët tuaj largohet nga Kisha, ai/ajo prapëseprapë do të bekohet nga kujtimi i gjërave që përjetuan në shtëpi”.

Fjalët e atij Të Shtatëdhjeti Zonal më mbushën me shpresë për shkak se kisha mbesa dhe nipër që ishin larguar nga Kisha. Vite më vonë, bija ime, e njëjta njëvjeçare që mbaja në krahët e mi gjatë asaj konference, u largua nga Kisha kur mbushi 17 vjeçe. Ajo kishte takuar dikë që nuk ishte i rrënjosur në ungjill, dhe ata u martuan. Ajo nuk shkoi më kurrë në kishë pas kësaj.

Kjo qe e dhembshme për mua. E pyesja veten pa pushim se çfarë bëmë gabim. Ati i saj dhe unë gjithmonë u përpoqëm t’i mbanim urdhërimet dhe të shërbenim në Kishë. Ne i duam fëmijët tanë dhe duam më të mirën për ta. Pas shumë lotësh dhe pyetjesh, ne më së fundi arritëm në përfundimin se fëmijët rriten, ushtrojnë lirinë e tyre të zgjedhjes dhe jo gjithmonë besojnë gjërat që u janë mësuar në shtëpi.

Për fat të keq, martesa e vajzës sime mori fund dhe ajo ende nuk dëshiron të rikthehet në Kishë. Gjithçka që mund të bëj, është të kujtoj premtimin që ajo do t’i mbajë mend gjërat që iu dhanë mësim në shtëpi, dhe do të bekohet për shkak të tyre.

Unë vazhdoj të lutem për bijën time. E dua atë me gjithë zemër dhe më dhemb kur e shoh larg nga Kisha. Por unë e di se, pavarësisht nga papërsosuritë e mia, gjërat që unë i dhashë mësim asaj janë të drejta dhe të vërteta. E di se Ati Qiellor është i drejtë e i dashur dhe se Ai i dëgjon lutjet tona. Pa asnjë dyshim në zemrën time, unë e di se nëse e bëj pjesën time, Ai do t’u përgjigjet atyre në atë çastin që Ai do ta shohë si të duhurin.