Misionar me Shërbim
3. Zhvillimi i Ripërtëritjes Emocionale


“3. Zhvillimi i Ripërtëritjes Emocionale”, Përshtatja me Jetën si Misionar/e me Shërbim: Broshura e Burimeve (2020)

“3. Zhvillimi i Ripërtëritjes Emocionale”, Përshtatja me Jetën si Misionar/e me Shërbim

Pamja
misionare me shërbim duke punuar

3. Zhvillimi i Ripërtëritjes Emocionale

Emocionet e forta si frika dhe shqetësimi na ndihmojnë të dimë se jemi tepër i/e stresuar. Lexoni te “1. Zhvillimi i Ripërtëritjes kur Jeni në Stres” për sugjerime të përgjithshme për mbajtjen nën kontroll të kërkesave emocionale. Përveç këtyre, sugjerimet më poshtë mund të ndihmojnë për emocione të caktuara. Nëse emocionet tuaja bëhen dërrmuese ose zgjatin për një kohë të gjatë, flitni me prindërit tuaj ose udhëheqësit tuaj të misionit të shërbimit për kërkimin e përkrahjes profesionale.

A. Përshtatja me Detyrën Tuaj të Re

  • Shqyrtojini arsyet që keni për të shërbyer në një mision. Mendojeni misionin tuaj si një dhuratë falënderimi që mund t’i ofroni Shpëtimtarit. Renditini bekimet tuaja. Kujtojani vetes se çfarë do t’ju thoshin udhëheqësit dhe njerëzit tuaj të dashur për shërbimin tuaj misionar.

  • Jini i/e duruar. Zakonisht duhen deri në gjashtë javë që të filloni të përshtateni me një situatë të re. Shtyjeni marrjen e çdo vendimi derisa t’i jepni vetes kohë për t’u përshtatur. Merruni vetëm me problemet e asaj dite.

  • Vendosni fotografi motivuese. Afishoni shkrime të shenjta, citime ose fotografi që ju ndihmojnë të kujtoni vlerat tuaja. Ato do t’ju ndihmojnë të përqendroheni te shërbimi juaj dhe dëshirat tuaja të drejta.

  • Shqyrtoni shkrime të shenjta dhe histori lartësuese. Mblidhni shkrime të shenjta, përvoja vetjake, citime dhe histori familjare që ndihmojnë për t’ju dhënë shtysë. Kur lexoni shkrime të shenjta lartësuese, vini emrin tuaj në to. Ju mund të përpiqeni të vini emrin tuaj në shkrime të shenjta si këto: Fjalët e Urta 3:5–6; 2 Nefi 4:28–35; Mosia 24:13–14; Alma 36:3; Helamani 5:12; dhe Doktrina e Besëlidhje seksionet 4, 6 dhe 31. (Shih edhe pjesën “Fatkeqësi”, tek Të Vërtetë ndaj Besimit [2005], f. 50–53.)

  • Rishikojeni shpesh bekimin tuaj patriarkal për udhërrëfim. Kërkoni mënyra se si dhuratat dhe pikat tuaja të forta mund të kontribuojnë në punën tuaj.

Pamja
misionar me shërbim para kompjuterit

B. Mposhtja e Ndjenjave të Trishtimit ose Shkurajimit

  • Mos i zvarritni gjërat. Shtyrja e gjërave mund të çojë në stres. Ndajini punët e mëdha në pjesë më të vogla. Fillojeni me një pjesë të detyrës. Kujtojani vetes: “Gjithçka që duhet të bëj pikërisht tani, është ” ose “Do ta bëj këtë për pak minuta dhe më pas do të bëj pushim nëse dua”.

  • Dëgjoni muzikë ose këndoni. Zgjidhni muzikë që është e qetë dhe paqësuese nëse jeni në ankth. Muzika që është e gjallë dhe e gëzueshme mund t’ju ndihmojë nëse ndiheni i/e rënë moralisht. (Sigurohuni që të mos mbani kufje kur jeni në detyrë përveç nëse ju jepet leje.)

  • Hiqni dorë nga ajo që nuk mund ta kontrolloni. Ju nuk mund ta kontrolloni të kaluarën ose zgjedhjet apo personalitetin e të tjerëve. Nuk mund t’i kontrolloni disa nga vetë kufizimet tuaja. Përqendrohuni te gjërat për të cilat mund të bëni diçka. Pjesën tjetër lërjani Zotit.

  • Pranojeni realitetin se disa rutina janë të mërzitshme. Jo gjithçka në jetë është thellësisht kuptimplotë dhe emocionuese. Shmangeni krijimin e skenave, ekzagjerimin ose konfliktin për t’i bërë ballë mërzitjes. Në vend të kësaj, vlerësojini dhe shijojini të mirat rreth jush. Kërkoni mënyra për t’u përmirësuar dhe për të shërbyer.

  • Stërviteni trurin që të kërkojë gjërat pozitive. Përqendrohuni te gjërat pozitive rreth jush. Shpenzoni pak minuta çdo natë për të shkruar ose dhënë përgjigjen tuaj për një nga këto pyetje:

    • Çfarë ishte një befasi e lumtur sot? Kush ndihmoi për ta bërë të mundur dhe si e bëri?

    • Si më ndihmoi Perëndia sot?

    • Cilat janë tri gjërat e reja për të cilat jam mirënjohës sot?

    • Si mund t’i kujtoj dhe vlerësoj këto gjëra?

    • Kush më ndihmoi sot ose cilin ndihmova?

    • Kur ndërmora një rrezik sot që më ndihmoi të rritem? Çfarë mësova prej tij? Si mund të më ndihmojë kjo që të veproj edhe më mirë në të ardhmen?

    • Kur ia dola mbanë në diçka të vështirë sot? Si e bëra atë? Si mund ta festoj?

  • Ndryshojeni mënyrën e të menduarit. Shqetësimi dhe trishtimi mund t’i ndryshojnë modelet tuaja të të menduarit. Nëse po përjetoni emocione negative, pyeteni veten:

    • A ka diçka që e përkrah vërtetësinë e asaj që po mendoj?

    • A është kjo diçka që Shpëtimtari do të donte që unë të mendoja ose të ndieja?

    • A ndjek ky mendim modelin o të gjitha o fare – o e zezë o e bardhë, fitore ose humbje, e vërtetë ose e rreme?

    • A më sjell dobi kjo mënyrë e të menduarit?

    • Si më bën të ndihem ky mendim?

    • Çfarë di për veten time dhe të tjerët që më tregon se kjo nuk është e vërtetë?

    • Çfarë do t’u thoja miqve të ngushtë po t’i mendonin këto gjëra?

  • Gjeni gjëra që ju pëlqejnë. Ndërkohë që e respektoni dinjitetin e thirrjes suaj, rizbulojeni humorin. Shijojeni bukurinë në botë dhe vërejeni dashamirësinë e të tjerëve. Gjeni kënaqësi kur ndieni Shpirtin në jetën tuaj.

  • Bëni gjërat bazë: lutjen, studimin e shkrimeve të shenjta dhe shërbimin. Kur i lexoni shkrimet e shenjta, shmangeni gjykimin e ashpër të vetes. Përqendrohuni te pjesët që më së shumti gjejnë zbatim për ju si një shërbëtor/e besnik/e i/e Perëndisë.

  • Lexoni tek Alma 26 dhe zbuloni se çfarë bëri Amoni kur ishte i shkurajuar. Lexoni edhe te Doktrina e Besëlidhje 127:2 dhe vini re se si Jozef Smithi e mbajti veten që të mos shkurajohej. Mos u shqetësoni që shqetësoheni, gjë që mund të krijojë një cikël nga i cili nuk dilni dot. Është diçka normale të keni ditë kur ndiheni i/e shkurajuar, i/e stresuar ose i/e vetmuar. Pjesën më të madhe të kohës këto ndjenja do të kalojnë.

  • Kushtojuni vëmendje ushtrimeve fizike dhe gjumit. Bërja e ushtrimeve është veçanërisht e rëndësishme për të mbajtur nën kontroll frikën dhe shqetësimin. Edhe nëse nuk ju pëlqejnë ushtrimet, ato mund t’ju ndihmojnë të ndiheni më mirë dhe të jeni më krijues. Filloni me pak ushtrime dhe shtojini nga pak çdo herë. Shkuarja në shtrat në të njëjtën orë çdo natë dhe gjumi i mjaftueshëm janë gjithashtu të rëndësishme.

  • Flisni me një pjesëtar të familjes, shok ose shoqe ose udhëheqës të misionit të shërbimit. Shprehjani ndjenjat dikujt që interesohet për ju. Do të ndiheni më mirë kur ta kuptoni se dikush ju njeh dhe interesohet për ju. Do të fitoni një këndvështrim të ri. Ky person thjesht mund t’ju dëgjojë ose mund të ketë sugjerime që mund t’i provoni.

  • Flisni me një profesionist. A po ju zgjat trishtimi më tepër se disa javë? A po ndërhyn në jetën tuaj? Një këshillues profesionist shpesh mund të vijë në ndihmë. Ndonjëherë trishtimi i vazhdueshëm shkaktohet nga një problem shëndetësor si sëmundja e tiroides ose diabeti. Këto duhet të trajtohen nga një mjek. Ndonjëherë mjekimi për të trajtuar depresionin mund t’ju ndihmojë të ndiheni më mirë.

  • Merrni ndihmë nëse mendoni për vetëvrasje. A mendoni herë pas here nëse ia vlen të jetosh? A keni mendime për ta lënduar veten në njëfarë mënyre? A mendoni ndonjëherë se do të ishte më mirë të vdisnit? Mendime të tilla nuk janë të zakonshme. Nëse këto mendime ju shqetësojnë dhe zgjatin për ditë të tëra, atëherë mos prisni. Tregojini dikujt për to dhe kërkoni ndihmë. Bëjeni këtë sidomos nëse filloni të krijoni një plan për t’i dhënë fund jetës.

    Pamja
    misionar me shërbim dhe udhëheqës i Kishës duke biseduar

C. Mposhtja e Ndjenjave të Autokritikës

  • Përqendrohuni te gjërat që bëni drejt dhe shmangeni krahasimin e vetvetes me të tjerët. Njerëzit me pritshmëri tejet të larta për veten mund të përqendrohen së tepërmi te dobësitë dhe dështimet e tyre. Atëherë, në vend që të përmirësohen, ata mund të ndihen të pashpresë. Kur lexoni shkrimet e shenjta, përqendrohuni tek ato që gjejnë më së shumti zbatim për ju. Ju jeni një shërbëtor/e i/e dashur i/e Perëndisë. Kërkoni prova për durimin, hirin, shpresën dhe mëshirën e Perëndisë. Ai ua zgjat këto bekime atyre që e duan Atë dhe dëshirojnë t’i shërbejnë Atij.

  • Flitini vetes pozitivisht. Shih “Ndërprerja e të Menduarit Negativ”.

  • Kuptojeni se çdo gjë që bëni, nuk mund të jetë mbi mesataren. Ju dëshironi të punoni fort që të përmirësoheni dhe mund të jeni shumë të zotë në disa gjëra. Por nuk mund të jeni mbi mesataren në çdo gjë që bëni. Kjo është thjesht matematikë, nuk është arsye për t’u alarmuar.

  • Jepini vetes shumë merita. Jepini vetes shumë merita që bëtë diçka që nuk e bëni mirë ose që nuk e keni me qejf. Mos harroni se edhe nëse nuk i bëtë ato gjëra përsosurisht, ju gjithsesi i bëtë. Ndërsa përmirësoheni teksa i bëni ato gjëra, mund të zbuloni se i keni qejf. Arritja në atë pikë kërkon kohë dhe ushtrim, përkrahje dhe përvojë.

  • Ushtrohuni për të qenë i/e qetë. Përqendrojeni vëmendjen larg mendimeve që keni në mendje dhe ushtrohuni për të qenë i/e qetë. Pranoni se keni mendime autokritike. Por këto mendime nuk përfaqësojnë atë që jeni në të vërtetë. (Shih edhe “Përgjigjja ndaj Stresit me Pozitivitet”.)

  • Punoni për një ose dy synime madhore njëkohësisht. Shmangeni përpjekjen për të përmirësuar shumë gjëra në jetën tuaj njëherësh. Kjo mund të jetë rraskapitëse dhe mund të çojë në ndjenja dështimi.

  • Mirëbesoni te Jezu Krishti dhe Shlyerja e Tij. Kufizimet dhe pamjaftueshmëritë tona nuk janë mëkate. Zakonisht ato nuk na pengojnë që të jemi të pastër dhe të denjë për Shpirtin. Jezu Krishti vuajti në mënyrë që ne të mund të forcohemi, lartësohemi dhe falemi. Fuqia e Shpëtimtarit mund të na ndihmojë t’i mposhtim dobësitë dhe mëkatet tona.

  • Mbajini shënim gjërat frymëzuese në një bllok shënimesh ose libër planifikimi. Ju mund të mbani shënim:

    • Shkrimet e shenjta të parapëlqyera.

    • Synimet që dëshironi të arrini.

    • Historitë personale ose familjare të rikthimit në normalitet pas pengesave ose vështirësive.

  • Dëgjojeni Shpirtin e Shenjtë, jo negativitetin. Nëse keni mendime që janë nënçmuese, ato nuk janë nga Zoti. Nuk janë nga Zoti as mendimet që janë tallëse, zemëruese, sarkastike ose kritike. Murmuritja dhe sharjet gjithashtu nuk vijnë nga Zoti. Nëse keni mendime të tilla, provojeni t’i shkruani të gjitha. Më pas griseni letrën. Ose rishkruajini mendimet një e nga një në mënyrë të tillë që të pohojnë një ide të vërtetë dhe pozitive. Shtoni një pohim të vërtetë dhe të dashur të mënyrës se si ndihet Zoti për ju. Thuajeni me zë të lartë: “Krishti është Avokati im. Ai përherë më do dhe beson tek unë.”

  • Kërkoni këshilla të mira. Kërkojuni udhëheqësve tuaj të misionit të shërbimit dhe të tjerëve t’ju ndihmojnë që të dini a po përpiqeni aq sa duhet. Pyetini ata a po përpiqeni së tepërmi. Pranojeni këshillën e tyre. Shumë njerëz autokritikë nuk janë të zotë të bëjnë dallimin midis përpjekjeve aq sa duhet dhe përpjekjeve së tepërmi.

    Pamja
    misionarë me shërbim përpara një kompjuteri

D. Mposhtja e Ndjenjave të Ankthit ose Papërshtatshmërisë

  • Shijojeni të qenit fillestar/e kur bëni diçka të re. Nga ju nuk pritet të jeni ekspert/e kur jeni duke mësuar diçka. Mjafton të jeni kureshtar/e, i/e interesuar, i/e përulur dhe i/e gatshëm/me për ta provuar. Shijojeni të mësuarit e diçkaje të re!

  • Bëjeni me gëzim atë që mundeni dhe mirëbesojini Perëndisë që ta kompensojë pjesën e mbetur. Ndonjëherë misionarët ndihen të padobishëm ose të turpëruar kur të tjerët duken se kanë më shumë sukses se ata. Satani na tundon që të dyshojmë te vetja ose ta krahasojmë veten me të tjerët. Mbajeni mend që kjo është puna e Perëndisë dhe Ai zgjedh të dobëtit dhe të thjeshtët për ta bërë atë. Ai të ka zgjedhur ty! Mirëbesojini Atij pasi Ai ka mirëbesim te ju.

  • Mendoni për suksesin. Shqetësimi për gjërat që mund të shkojnë keq, mund të jetë një mënyrë për ta ushtruar mendërisht dështimin. Në vend që të shqetësoheni, përpiquni të ushtroni mendërisht rezultate pozitive. Mos u shqetësoni për atë që mund të ndodhë. Përkundrazi, bëni plane për të arritur sukses. Nëse gjërat nuk shkojnë siç shpresoni, përfytyrojeni veten duke mësuar nga pengesa. Mendojeni veten duke shkuar përpara.

  • Jetojini vlerat tuaja gjithsesi. Nuk është e thënë të shpëtoni për fare nga shqetësimet ose frika. Prapëseprapë mund të jetoni një jetë të lumtur. Mund të zgjidhni që t’i jetoni vlerat tuaja edhe mes shqetësimit dhe frikës. Nuk mund ta kontrolloni gjithçka. Por mendoni për një ose dy gjëra që mund të bëni për t’i jetuar vlerat tuaja. Planifikoni mënyra se si mund t’u shërbeni të tjerëve ose tregoni guxim në një situatë që ju shqetëson.

  • Mos u përpiqni ta kontrolloni atë që nuk mund ta kontrolloni. Përpjekja për të kontrolluar gjëra që nuk mund t’i kontrolloni, vetëm sa ju bën të ndiheni sikur e keni humbur më shumë kontrollin. Bërja e kësaj ju shqetëson më tepër. Përqendrojeni energjinë tuaj te gjërat për të cilat mund të bëni diçka.

  • Pyetni: “Cila është gjëja më e keqe që mund të ndodhë?” Shpesh njerëzit zbulojnë se përfundimi më i keq i mundshëm që mund të përfytyrojnë, është diçka me të cilën mund të mësohen. Atëherë ata mund të ecin përpara. Pavarësisht se çfarë ndodh, Shpëtimtari mund t’ju ndihmojë ta kapërceni atë, që të mund të ndieni më pak frikë.

  • Përpiquni të ngadalësoni nëse prireni të nguteni shumë. Nëse jeni më i/e qetë, mund të jeni më i/e efektshëm/me si dhe më i/e lumtur. Për të ngadalësuar mund t’ju duhet të ushtroheni. Do t’ju duhet një mënyrë për t’ia kujtuar vetes ta bëni këtë. Ngjitni një mesazh në pasqyrë ose mur. Vini një zile alarmi në telefon. Ose lutuni çdo mëngjes për ndihmë për t’u kujtuar që të ngadalësoni. Pas disa javësh, vlerësojeni përparimin tuaj.

  • Mos u shqetësoni që shqetësoheni. Shqetësimet janë pjesë normale e çdo jete. Shqetësimi rreth gjërave që ju frikësojnë, nuk do të zgjidhë gjë. Shqetësimi është i pakëndshëm, por do të kalojë. Kur jeni i/e shqetësuar, uluni qetësisht dhe lejojini ndjenjat e frikës t’ju përshkojnë. Ato shpeshherë largohen vetë shpejt.

  • Mos iu druani pengesave kur jeni duke bërë gjëra të vështira. Për të jetuar një jetë domethënëse, duhet të ndërmerrni disa rreziqe. Me raste, duhet të shkelni në zona të panjohura. Gjërat që kanë më tepër rëndësi, mund të jenë të vështira, por mund të mësohen nëpërmjet të ushtruarit. Mos e lejoni frikën t’ju pengojë të bëni gjëra të vështira. Provoni të mos t’i shihni pengesat si dështime. Frika dhe pengesat mund të nënkuptojnë se po merrni përsipër gjëra të vështira dhe që jeni i guximshëm.

  • Mbani një listë me histori. Kujtojini, mbajini shënim dhe tregojini historitë. Këto histori mund të jenë nga jeta juaj ose nga jeta e njerëzve që admironi. Këto histori mund të tregojnë se si njerëzit kanë vazhduar përpara kur gjërat ishin të vështira ose të frikshme. Ato duhet të tregojnë se si ju ose të tjerët u jeni përgjigjur pengesave ose frikës sipas mënyrave që admironi. Njerëzit shpesh bëjnë gjëra të vogla e të thjeshta për të vazhduar përpara ose për të treguar guxim.

  • Përqafojeni paqartësinë. Ndonjëherë njerëzit nuk dëshirojnë të jetojnë me paqartësi ose pasiguri. Ata do të parapëlqenin të dështonin në vend që të ndërmerrnin rreziqe pa e ditur se do tʼia dalin mbanë. Ju nuk mund ta dini sot nëse do t’i jetoni synimet dhe vlerat tuaja përsosurisht. Nuk mund ta dini se me çfarë problemesh mund të ballafaqoheni në të ardhmen. Por mund të vendosni tani që të jetoni me trimëri, mirënjohje, dhembshuri dhe përulësi. Tani për tani mund të jetoni në përputhje me synimet dhe ëndrrat tuaja. Kjo është ajo që mund të bëjë secili prej nesh dhe kaq mjafton. Përpiquni të shpërqendroheni nga tundimet e dëshpërimit dhe shqetësimit. Përqendrohuni tek e tanishmja.

  • Shërbeni. Ndërsa u shërbeni të tjerëve, do të mendoni më pak për veten dhe do të jeni më i/e lumtur.

    Pamja
    misionarë me shërbim duke biseduar

E. Mposhtja e Ndjenjave të Nxehjes ose Zemërimit me Lehtësi

  • Jepini kohë trurit t’i kapërcejë emocionet. Truri juaj mund të arsyetojë dhe të bëjë gjykime të shëndosha. Nëse zemëroheni ose nxeheni, largohuni nga situata për pak minuta. Bëni disa frymëmarrje të thella dhe jepini kohë trurit racional t’i mendojë dhe t’i arsyetojë gjërat. Mund të numëroni deri në 10, të bëni ushtrime, të dilni jashtë ose të zgjidhni mendime të dobishme. Mund të dëgjoni muzikë qetësuese, të meditoni ose të luteni.

  • Mos e inkurajoni më tej zemërimin tuaj. Mund të zgjidhni që t’i shihni të tjerët si kërcënues, të padrejtë ose të pasjellshëm. Nëse po, ka më shumë të ngjarë të ndiheni i/e zemëruar. Më mirë shihni nëse mund të mendoni një shpjegim më zemërgjerë për sjelljen e tyre. Ndoshta janë të lodhur, të painformuar, të pasigurt ose po përpiqen të jenë të dobishëm. Bëjeni zgjedhjen për të mos e inkurajuar zemërimin.

  • Përpiquni t’i kuptoni njerëzit e tjerë. Jini kureshtar/e për atë që po mendojnë dhe ndiejnë të tjerët. Bëjuni njerëzve pyetje dhe dëgjojini me qetësi e kujdes. Tregojini personit tjetër atë që mendoni se dëgjuat. Pyeteni a e kuptuat drejt. Nëse jo, provojeni përsëri.

  • Bëjini qëndresë prirjes për t’i fajësuar të tjerët ose veten. Nëse diçka nuk shkon siç duhet, përpiquni të zbuloni se ku qëndron problemi. Kërkojuni të tjerëve të ndihmojnë për ndreqjen e problemit, pavarësisht se i kujt është faji. Mos u përpiqni të fajësoni askënd për shkaktimin e problemit.

  • Jini i gatshëm të kërkoni falje dhe pyetni se çfarë mund të bëni për t’i ndrequr gjërat. Të kërkosh falje është një shenjë e forcës shpirtërore, jo dobësi. Kur bëni diçka gabim, mbani përgjegjësi për të. Pyetni se si mund ta ndreqni atë ose si ta shmangni problemin në të ardhmen. Tregoni ndjeshmëri për ndjenjat e personit tjetër.

  • Jini i/e gatshëm/e të qeshni me veten. Të qenit në gjendje të qeshni me veten, do t’ju ndihmojë t’i përballoni më mirë zhgënjimet e jetës. Humori që të ngre moralin, mund të ndihmojë për të përmirësuar qëndrimet, marrëdhëniet dhe shëndetin tuaj. Ndonëse nuk është e përshtatshme që të qeshni gjithë kohën, për gjithsecilin mund të jetë e dobishme po të qeshë më shumë. Kur filloni të zemëroheni, përpiquni të qeshni me veten dhe zemërimin tuaj. Të qeshni me veten mund të jetë një ilaç i mirë për zemërimin!

  • Shërbejuni atyre me të cilët jeni i/e zemëruar. Zbatojeni këshillën e Shpëtimtarit për të “d[ashur] armiqtë tuaj”. Ai tha: “Bekoni ata që ju mallkojnë, bëjuni mirë atyre që ju urrejnë dhe lutuni për ata që ju keqtrajtojnë dhe ju përndjekin” (3 Nefi 12:44). Si mund t’i shërbeni ose të luteni për dikë me të cilin jeni i/e zemëruar?

  • Kujdesuni mirë për veten. Përpiquni të hani mirë, të bëni gjumë të mjaftueshëm, të bëni ushtrime fizike dhe të luteni. Bërja e këtyre gjërave do t’ju ndihmojë të keni burimet emocionale për ta përballuar acarimin.

  • Krijoni një histori të re. Mendoni për shpjegimin më fisnik që mundeni për arsyen pse njerëzit e tjerë veprojnë ashtu si po veprojnë. Shkruajeni.

  • Falni. Studiojini vargjet te Mateu 18:23–35. Nëse është në dispozicion, shihni materialin filmik “Forgive Every One Their Trespasses: The Parable of the Unmerciful Servant” [“Faljani Çdo Njeriu Shkeljet e Tij: Shëmbëlltyra e Shërbëtorit të Pamëshirshëm”] (ChurchofJesusChrist.org). Mendoni rreth mënyrës se si mesazhi i shëmbëlltyrës gjen zbatim për ju.

    Pamja
    misionar me shërbim duke tërhequr karrocën

F. Mposhtja e Ndjenjave të Mungesës së Motivimit

  • Përqendrohuni te pikat tuaja të forta. Cilat janë vlerat, talentet, përvojat dhe dhuratat që sillni në shërbimin tuaj? Bëni një listë të mënyrave se si mund ta përdorni një nga pikat tuaja të forta në mënyra krijuese këtë javë. Nëse e keni problem t’i shihni pikat tuaja të forta, kërkojuni ndihmë të tjerëve.

  • Hidhini hapat një e nga një. Bëni një listë me gjërat që keni nevojë të bëni. Më pas organizojini ato në kalendarin tuaj. Kujtojani vetes: “Gjithçka që duhet të bëj pikërisht tani, është ”.

  • Bëjeni atë në mënyrë argëtuese! Vendosni synime interesante që t’ju ndihmojnë në shërbimin tuaj misionar. Bëjeni përmbushjen e synimeve tuaja një lojë. Jini krijues dhe përgëzojeni veten për suksesin.

  • Mos e mbingarkoni veten me shumë synime vetjake njëherësh. Vendosni një ose dy synime vetjake njëri pas tjetrit (si të qenit më i gëzuar ose më pak i/e rrëmujshëm/me). Mos prisni përsosuri. Përfshini një plan për mënyrën se si ta merrni veten kur keni një ditë të keqe. Kujtojani shpesh vetes se përse dëshironi të ndryshoni.

  • Tregojuani synimet tuaja prindërve ose udhëheqësve tuaj. Ata mund t’ju përkrahin dhe t’ju ofrojnë ide të dobishme.

  • Kuptojeni se pas veprimit vjen shtysa. Fillimi është shpesh pjesa më e vështirë. Thuajini vetes: “Thjesht bëje për 10 minuta”. Më pas filloni nga puna. Shpesh do të ndieni më tepër shtysë.

    Pamja
    grua duke lexuar shkrimet e shenjta

G. Mbajtja Nën Kontroll e Ndjenjave Seksuale ose Romantike

  • Zhvilloni zotërimin e vetvetes. Mendimet dhe ndjenjat seksuale dhe romantike janë normale dhe janë dhënë nga Perëndia. Por ne duhet t’i mbajmë mendimet, marrëdhëniet dhe sjelljen tonë nën kontrollin e duhur. Nëse e bëni këtë si misionar/e, do t’ju shtohet forca dhe do të fitoni bekime të mëdha. Studiojini me lutje vargjet te 1 Korintasve 9:24–27; Mosia 3:19; Alma 38:12 dhe Doktrina e Besëlidhje 121:45. Shihni pjesët “Virtyt” dhe “Dëlirësi” tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta (scriptures.ChurchofJesusChrist.org). Renditni bekimet dhe avantazhet që do t’ju vijnë ndërsa i zhvilloni këto tipare.

  • Zëvendësojeni atë mendim me një tjetër. Përpiquni të mos jua pushtojnë mendjen mendime dhe ndjenja seksuale ose romantike. Hiqeni mendjen dhe merruni me diçka tjetër. Përpiquni të shtendoseni. Këndoni himne. Mësoni përmendsh shkrime të shenjta dhe përsëritini ato. Përqendrohuni tek ajo për të cilën jeni mirënjohës. Mendoni për planet e ditës. Ushtrohuni. Përkushtojuni punës. Argëtohuni dhe jini krijues.

  • Shmangeni tundimin. Shmangini vendet, rrethanat, bashkëbisedimet ose njerëzit që e provokojnë tundimin. Nëse jeni i ekspozuar ndaj imazheve ose ideve provokuese, mos lejoni t’ju mbetet mendja aty. Ndryshojeni kanalin e mendjes suaj duke e çuar në gjëra të tjera. Largohuni nga situata sa më shpejt të mundeni.

  • Vazhdoni me shpresë dhe besim. Edhe nëse e keni të vështirë për t’i mbajtur siç duhet nën kontroll ndjenjat tuaja seksuale, Perëndia ju do prapëseprapë. Asnjëherë mos e braktisni marrëdhënien tuaj me Të ngaqë ndiheni i padenjë. Ndonëse mund të keni vështirësi për t’i mbajtur nën kontroll ato ndjenja, Ai nuk do t’ju refuzojë. Ai e kupton se çfarë po kaloni. Ai i vlerëson përpjekjet tuaja për t’i bërë qëndresë tundimit, për të mësuar nga gabimet dhe për t’u penduar. Kërkoni këshillë nga udhëheqësi juaj i misionit të shërbimit dhe vazhdoni të përpiqeni fort për t’i mposhtur këto sfida.

  • Mos e lini veten tepër të uritur, të vetmuar, të lodhur, të mërzitur ose të stresuar. Të gjitha këto gjëra mund ta bëjnë më të vështirë qëndresën ndaj tundimit. Hani një ushqim të lehtë. Bëni një pushim të shkurtër nga ajo që po bëni, ose bëni diçka tjetër për njëfarë kohe. Bëni një bashkëbisedim të mirë ose bëni ushtrimet e përshkallëzuara për shtendosje (shih Ushtrime të Përshkallëzuar për Shtendosje).

  • Ruajeni veten. Kuptojini rregullat dhe orientimet që gjejnë zbatim për ju në lidhje me shoqërimin me të tjerët. Nëse ndieni se keni tërheqje seksuale ndaj dikujt, vihuni në kontakt me peshkopin ose presidentin tuaj të kunjit dhe kërkoni këshillën e tij.

  • Agjëroni dhe lutuni për mirëkuptim dhe forcë. Kur agjëroni, ju e shpërfillni urinë tuaj normale dhe shëndetësore për ushqim. Ju e bëni këtë për një periudhë kohe me qëllim që të kërkoni forcë shpirtërore. Agjërimi mund të zhvillojë zotësi si vetëkontrolli dhe aftësia për të ndier Shpirtin (shih Isaia 58:6). Mund t’ju japë ndjeshmëri për ata që janë të uritur. Po këto zotësi mund t’ju ndihmojnë t’i kontrolloni në mënyra të duhura ndjenjat normale seksuale ose romantike si misionar/e. Agjërimi nuk do t’i zhdukë ndjenjat seksuale. Por agjërimi i përmuajshëm mund t’ju ndihmojë të merrni forcë dhe t’ju bëjë të ndërgjegjshëm për veten. Ai mund t’ju japë shtysë t’i kontrolloni në mënyrën e duhur këto ndjenja.

Pamja
misionare me shërbim duke sistemuar raftet

H. Mbajtja Nën Kontroll e Ndryshimeve dhe Fazave Kalimtare

  • Njiheni veten. Ndryshimet dhe fazat kalimtare janë më të vështira për disa njerëz se disa të tjerë. Nëse ndryshimi është veçanërisht i vështirë për ju, bëjuani të ditur njerëzve se si mund të ndihmojnë.

  • Mendoni për fazat e tjera kalimtare që keni përjetuar. Çfarë mësuat? Çfarë ju ndihmoi për t’i përballuar rastet e tjera? Njihini sukseset dhe aftësitë tuaja. Cilat nga ato gjëra mund t’ju ndihmojnë tani? Çfarë mund të provonit tjetër?

  • Shkruajini arsyet. Shkruajeni atë që dini rreth arsyeve përse ky ndryshim është i nevojshëm. Rikthejuni shpesh listës. Të kuptuarit e arsyeve për ndryshim, mund t’ju ndihmojë të ndiheni më pak i/e acaruar.

  • Mos e harroni atë që nuk ka ndryshuar. Bëni një listë të gjërave që kanë ndryshuar dhe të atyre që nuk kanë ndryshuar. Përpiquni ta bëni listën e dytë sa më të gjatë të jetë e mundur.

  • Bëni një plan. Krijoni një plan për mënyrën se si ta ndihmoni veten për ta mbajtur nën kontroll ndryshimin. Shkruajini hapat e planit tuaj. Gjithashtu flisni me të tjerë që ju njohin mirë. Ata mund t’ju përkrahin ndërsa e realizoni planin tuaj.

  • Mendoni rreth një mënyre si të ndiheni më i/e qetë. Bëni një listë me gjërat që mund të bëni për t’u ndier më i/e qetë. Lexojini ato nga fillimi në fund përpara, gjatë dhe pas ndryshimit.

  • Hidhini hapat një e nga një. Kur të jeni duke u përballur me një fazë të madhe kalimtare, mbajeni mend këtë: nuk keni përse ta kuptoni gjithçka menjëherë. Cili është vendimi i parë që duhet marrë? Cili mund të jetë hapi i parë? Hapi në vijim?

Shtyp në Letër