17
Mësimet e Ungjillit në Navu
Disa prej viteve të para që shenjtorët i kaluan në Navu të Ilinoisit, u shënuan nga paqja dhe begatia. Gjatë kësaj kohe Jozef Smithi mori zbulesa dhe më pas dha mësim e qartësoi disa doktrina që janë të veçanta për Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Këto përfshijnë qëllimin e tempujve, potencialin tonë hyjnor për t’u bërë si Ati Qiellor dhe disa prej doktrinave të dhëna mësim në Nenet e Besimit. Ky mësim do t’i ndihmojë studentët të kuptojnë madhështinë e Profetit Jozef Smith, si edhe vetë potencialin tonë hyjnor.
Lexim Konteksti
“Perëndia, Ati i Përjetshëm”, kapitulli 2 te Mësime të Presidentëve të Kishës: Jozef Smith (2009), f. 39–46.
“Doctrinal Developments in Nauvoo”, kapitulli 20 te Church History in the Fulness of Times Student Manual, bot. i 2-të (Church Educational System manual, 2003), f. 251–262.
“Becoming Like God”, Gospel Topics, lds.org/topics.
Sugjerime për Mësimdhënien
Nenet e Besimit
Deklarime të rëndësishme të doktrinave të ungjillit
Shpjegoni se në Navu të Ilinoisit, Jozef Smithi i shkroi një letër Xhon Uentuorthit, redaktorit të një gazete të quajtur Chicago Democrat, i cili kishte kërkuar informacion rreth mormonëve. Në letër, Profeti dha një tregim të historisë së shenjtorëve të ditëve të mëvonshme së bashku me një listë të përmbledhur të bindjeve doktrinore, që më vonë u bënë të njohura si Nenet e Besimit. (Letra e plotë është riprodhuar te Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith [2009], f. 465–476.)
Paraqitni thënien vijuese nga Plaku L. Tom Peri, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dhe ftojeni një student ta lexojë me zë të lartë:
“[Nenet e Besimit] janë midis deklarimeve më të rëndësishme dhe me siguri më të sakta të doktrinës në Kishë. Nëse do t’i përdorni si udhëzues për të drejtuar studimet tuaja të ungjillit të Jezu Krishtit, ju do ta gjeni veten tuaj të përgatitur për t’i shpallur botës dëshminë tuaj për të vërtetën e rivendosur. Ju do të jeni në gjendje të deklaroni në mënyra të thjeshta, të drejtpërdrejta dhe të thella bindjet kryesore që i çmoni shumë si një anëtar i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme” (“Doktrinat dhe Parimet që Përmbahen në Nenet e Besimit”, Ensign ose Liahona, nëntor 2013, f. 48).
Si do ta përmblidhnit atë që na mësoi Plaku Peri? (Teksa studentët i japin thëniet e tyre të përmbledhura, ndihmojini ata të kuptojnë këtë të vërtetë: Kur i mësojmë doktrinat e dhëna mësim te Nenet e Besimit, ne do të përgatitemi më mirë për t’ua shpallur bindjet tona të tjerëve.)
Kur i keni përdorur Nenet e Besimit që t’i ndihmoni të tjerët ta kuptojnë ungjillin?
Ftojeni klasën që të kthehet te Nenet e Besimit dhe t’i lexojë ato në heshtje. Pas një kohe të mjaftueshme, diskutoni pyetjet vijuese:
Cilin nen të besimit e vlerësoni veçanërisht dhe përse?
Si ju ndihmojnë doktrinat në Nenet e Besimit që t’ua rrëfejnë udhën dhe t’ua forcojnë dëshminë tuaj që Jozef Smithi ishte një profet i Perëndisë?
Doktrina e Besëlidhje 124:25–28, 37–42
Rivendosja e ordinancave të tempullit
Shpjegoni se pasi shenjtorët ishin vendosur në Navu të Ilinoisit, Profeti Jozef Smith mori një urdhërim për të ndërtuar një tempull. Sikurse me tempullin e ndërtuar në Kirtland të Ohajos, kjo detyrë kërkoi sakrifica të mëdha nga shenjtorët e ditëve të mëvonshme.
Ftojini disa studentë të lexojnë me radhë, me zë të lartë nga Doktrina e Besëlidhje 124:25–28, 37–42. Vëreni klasën t’i ndjekë, duke kërkuar mësimet e Zotit rreth arsyes përse shenjtorëve iu nevojitej një tempull. Përpara se t’i analizoni këto vargje, shpjegoni që ato i drejtohen tabernakullit të ndërtuar nga Moisiu dhe populli i tij. Populli i Moisiut nuk kreu pagëzime për të vdekurit. Asnjë punë për të vdekurit nuk u krye derisa Shpëtimtari e themeloi atë punë në botën e shpirtrave pas vdekjes së Tij. Më pas pyetini studentët:
Sipas mësimeve të Zotit në këto vargje, përse shenjtorët në Navu kishin nevojë për një tempull? (Teksa studentët përgjigjen, theksoni këtë doktrinë: Ordinanca të caktuara shpëtuese janë të pranueshme nga Zoti vetëm nëse kryhen në tempuj.)
Shpjegojuni studentëve që Tempulli i Kirtlandit “u ndërtua kryesisht për rivendosjen e çelësave të autoritetit” (Joseph Fielding Smith, Doctrines of Salvation, përmb. Bruce R. McConkie, 3 vëll. [1954–1956], 2:242). Në Tempullin e Navusë, këta çelësa të priftërisë u përdorën për të kryer ordinanca shpëtuese për të gjallët dhe për pagëzimet mëkëmbëse për të vdekurit. Në dy vitet e fundit të jetës së tij, Jozef Smithi ia paraqiti dhurimin [indaumentin] e tempullit një grupi të vogël anëtarësh besnikë. Ai gjithashtu paraqiti ordinancën e vulosjes së një burri dhe një gruaje së bashku për përjetësinë.
Cilat ordinanca të tempullit përmenden te Doktrina e Besëlidhje 124:39?
Kërkojini një studenti ta lexojë me zë të lartë thënien vijuese. Ftojeni klasën të dëgjojë për arsyen përse ordinancat e tempullit janë të rëndësishme në planin e Atit Qiellor:
“Në përgjigje të urdhrit të Zotit [për të ndërtuar një tempull në Navu], Profeti dhe shenjtorët përparuan sa më shpejt që mundën për të filluar që të ndërtonin një shtëpi të Zotit. Por Profeti e kuptoi se për ndërtimin do të duheshin vite dhe ai e dinte se shenjtorëve iu duheshin bekimet e plota të tempullit. Si pasojë, më 4 maj 1842, edhe pse tempulli nuk ishte përfunduar, Jozef Smithi ia administroi indaumentin një grupi të vogël vëllezërish besnikë.
Grupi u mblodh në dhomën e madhe, të sipërme të Dyqanit me Tulla të Kuqe të Profetit. …
Historia e Profetit shënon: ‘E kalova ditën në pjesën e sipërme të dyqanit, … në këshill me gjeneralin Xhejms Adams, nga Springfildi, patriarkun Hajrëm Smith, peshkopët Njull K. Uitni e Xhorxh Miler, si dhe presidentin Brigam Jang dhe Pleqtë Hibër C. Kimball e Uillard Riçards, duke i udhëzuar ata për parimet dhe rendin e Priftërisë, kujdesin për larjet, vajosjet, indaumentet [dhurimet] dhe komunikimin e çelësave, që i përkasin Priftërisë Aarone, dhe kështu me radhë te rendi më i lartë i Priftërisë Melkizedeke, duke u paraqitur rendin që i përkiste të Lashtit të Ditëve dhe gjithë ato plane e parime përmes të cilave gjithkush mundësohet që të sigurojë plotësinë e atyre bekimeve që kanë qenë përgatitur për Kishën e të Parëlindurit dhe që vijnë e banojnë në prani të Elohimit në botët e përjetshme’” (Mësimet: Jozef Smith, f. 441–442).
Pyetini studentët:
Përse ishte e domosdoshme rivendosja e ordinancave të tempullit?
Teksa studentët përgjigjen, shtojeni të kuptuarin e tyre nëpërmjet leximit të thënies vijuese nga Plaku Robert D. Hejls, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:
“Qëllimi kryesor i tempullit është të sigurojë ordinancat e nevojshme për ekzaltimin tonë në mbretërinë çelestiale. Ordinancat e tempullit na udhëheqin te Shpëtimtari ynë dhe na japin bekimet që na vijnë përmes Shlyerjes së Jezu Krishtit” (“Bekimet e Tempullit”, Ensign, tetor 2009, f. 48).
Si është bekuar jeta juaj nëpërmjet rivendosjes së ordinancave të tempullit?
Ftojini studentët të përsiatin gjatë javës së ardhshme se si mund ta bëjnë adhurimin në shtëpinë e Zotit një përparësi më të madhe në jetën e tyre.
Psalmeve 82:6; Mateu 5:48; Gjoni 10:32–34; Romakëve 8:16–17; 2 Pjetër 1:3–4; 1 Gjon 3:2–3; Doktrina e Besëlidhje 93:11–20; 132:20
Potenciali ynë hyjnor
Shpjegoni se Bibla shënon fjalët e profetëve të lashtë, të cilët shkruan për potencialin tonë hyjnor. Shkruajini referencat vijuese të shkrimeve të shenjta në tabelë dhe ftojini studentët të lexojnë disa prej tyre e të kërkojnë atë që na mësojnë ato rreth potencialit tonë hyjnor: Psalmeve 82:6; Mateu 5:48; Gjoni 10:32–34; Romakëve 8:16–17; 2 Pjetër 1:3–4; 1 Gjon 3:2–3. Ju mund t’i nxitni studentët t’i kryqëzojnë referencat ose t’i lidhin ato referenca teksa i studiojnë.
Pas një kohe të mjaftueshme, pyetni:
Çfarë mund të mësojmë nga këto shkrime të shenjta rreth potencialit tonë? (Ndonëse mund të përdorin fjalë të ndryshme, studentët duhet të kuptojnë këtë doktrinë: Si fëmijë të Atit tonë Qiellor, ne kemi potencial të bëhemi si Ai.)
Cilat fraza në këto vargje e përshkruajnë potencialin tonë hyjnor?
Shpjegoni se potenciali ynë hyjnor na jepet mësim gjithashtu në shkrimin e shenjtë modern. Ftojeni një student të lexojë me zë të lartë Doktrinën e Besëlidhjet 93:11–13, 19–20 dhe Doktrinën e Besëlidhjet 132:20. Ndihmojini studentët të kuptojnë këtë doktrinë: Sikurse Shpëtimtari, ne mund të rritemi hir pas hiri derisa të marrim prej plotësisë së Atit.
Shpjegoni se një nga predikimet më domethënëse të Profetit Jozef Smith u dha gjatë një konference të përgjithshme të Kishës në prill të vitit 1844. Gjatë këtij predikimi, Profeti shprehu lavdërim për Vëllanë King Follet, i cili kishte vdekur kohët e fundit. Kjo bisedë ka arritur të njihet si diskutimi i King Folletit. U siguroni një kopje të fletushkës “Pjesë të Shkëputura nga Diskutimi i King Folletit” të gjithë studentëve. Ftojini ata që t’i lexojnë pjesët e shkëputura dhe të nënvizojnë fjalë e fraza që shpjegojnë përse ne duhet të kërkojmë që ta kuptojmë karakterin e Perëndisë.
Ndihmojini studentët t’i analizojnë këto mësime duke pyetur:
Përse është e rëndësishme për ne që të mësojmë rreth karakterit dhe natyrës së Perëndisë dhe rreth marrëdhënies sonë me Të si Ati ynë Qiellor?
Cili është procesi i bërjes si Ati ynë Qiellor?
Për ta thelluar kuptueshmërinë e studentëve për potencialin e tyre hyjnor, paraqitni thënien vijuese nga Presidenti Gordon B. Hinkli (1910–2008). Kërkojini një studenti ta lexojë atë me zë të lartë:
“I tërë plani i ungjillit është të na udhëheqë drejt dhe tek arritja më e madhe, madje, më së fundi, te perëndishmëria. Kjo përgjegjësi e madhërishme u shqiptua nga Profeti Jozef Smith në predikimin e King Folletit [shih History of the Church, 6:302–317] dhe u theksua nga Presidenti Lorenco Snou. Është ky koncepti i madhërishëm dhe i pakrahasueshëm: Ashtu siç është Perëndia tani, njeriu mund të bëhet! [Shih The Teachings of Lorenzo Snow, përmb. Clyde J. Williams (1984), f. 1.]
Armiqtë tanë na kanë kritikuar që e besojmë këtë. Përgjigjja jonë është që ky koncept i madhërishëm në asnjë mënyrë nuk e zvogëlon Perëndinë, Atin e Përjetshëm. Ai është i Plotfuqishmi. Ai është Krijuesi dhe Qeverisësi i gjithësisë. Ai është më i madhërishmi i të gjithëve dhe gjithmonë do të jetë kështu. Por ashtu siç iu uron cilido atë tokësor bijve dhe bijave të tij çdo sukses në jetë, kështu besoj se Ati ynë në Qiell iu uron fëmijëve të Tij që ata të mund t’i afrohen Atij në shtat dhe të qëndrojnë pranë Tij të shndritshëm, me forcë dhe urtësi të perëndishme” (“Don’t Drop the Ball”, Ensign, nëntor 1994, f. 48).
Për ta përmbledhur, bëjuni studentëve pyetjet vijuese:
Çfarë ndryshimi mund të sjellë në jetën tonë që t’i dimë këto të vërteta të rëndësishme rreth Atit Qiellor dhe potencialit tonë hyjnor?
Ndërsa reflektoni mbi atë që diskutuam sot (Nenet e Besimit, ordinancat e tempullit dhe potencialin tonë hyjnor), si mund t’ju japë të kuptuarit e këtyre të vërtetave një vlerësim për Profetin Jozef Smith? Si mund t’ju ndihmojë të kuptuarit e këtyre të vërtetave që të kuptoni karakterin e Perëndisë dhe marrëdhënien tuaj me Të si Ati juaj në Qiell? (Jepuni studentëve kohë për t’i shënuar mbresat e tyre me shkrim.)
Ftojini studentët që të dëshmojnë ose të tregojnë disa prej mbresave që i shkruan, në qoftë se ato nuk janë tepër vetjake. Mbylleni mësimin duke dhënë dëshminë tuaj për doktrinat e dhëna në këtë mësim dhe për Profetin Jozef Smith si një zbulues i fuqishëm.
Materiale Leximi për Studentin
Psalmeve 82:6; Mateu 5:48; Gjoni 10:32–34; Romakëve 8:16–17; 2 Pjetër 1:3–4; 1 Gjon 3:2–3; Doktrina e Besëlidhje 93:11–22; 124:25–28, 37–42; 132:20–24.
“Perëndia, Ati i Përjetshëm”, kapitulli 2 te Mësime të Presidentëve të Kishës: Jozef Smith (2009), f. 39–46.
“Becoming Like God”, Gospel Topics, lds.org/topics.