Shkrimet e Shenjta
2 Nefi 9


Kapitulli 9

Judenjtë do të mblidhen në të gjitha tokat e tyre të premtimit—Shlyerja çliron njeriun nga Rënia—Trupat e të vdekurve do të ngrihen nga varri dhe shpirtrat e tyre nga ferri dhe nga parajsa—Ata do të gjykohen—Shlyerja të shpëton nga vdekja, ferri, djalli dhe mundimi i pafund—Të drejtët do të shpëtohen në mbretërinë e Perëndisë—Ndëshkimet për mëkatet caktohen—I Shenjti i Izraelit është ruajtësi i portës. Rreth 559–545 para K.

1 Dhe tani, vëllezërit e mi të dashur, unë jua lexova këto gjëra, që ju të mund të dini për besëlidhjet e Zotit, që ai ka lidhur me të gjithë shtëpinë e Izraelit—

2 Që ai u ka folur Judenjve, nëpërmjet gojës së profetëve të tij të shenjtë, madje nga fillimi e më pas, nga një brez në tjetrin, derisa koha vjen që ata do të rivendosen në kishën dhe vathën e vërtetë të Perëndisë; kur ata do të mblidhen në shtëpi, në tokat e trashëgimit të tyre dhe do të vendosen në të gjitha tokat e tyre të premtimit.

3 Vini re, vëllezërit e mi të dashur, unë ju flas këto gjëra që ju të gëzoheni dhe të ngrini kokat përgjithmonë, për shkak të bekimeve që Zoti Perëndi do të vendosë mbi fëmijët tuaj.

4 Pasi unë e di që shumë prej jush kanë kërkuar shumë të dinë për gjërat që do të vijnë; prandaj, unë e di se ju e dini që mishi ynë duhet të vjetërohet dhe të vdesë; megjithatë, në trupat tanë ne do të shohim Perëndinë.

5 Po, unë e di se ju e dini që në trup ai do t’u shfaqet atyre në Jeruzalem, nga ku ne erdhëm; pasi është e nevojshme që ai të jetë mes tyre; pasi është e nevojshme për Krijuesin e madh, që ai t’i nënvihet njeriut në mish dhe të vdesë për të gjithë njerëzit, që të gjithë njerëzit të mund t’i nënvihen atij.

6 Pasi, sikurse vdekja ka kaluar mbi të gjithë njerëzit, për të plotësuar planin e mëshirshëm të Krijuesit të madh, duhet patjetër të jetë një fuqi e ringjalljes dhe ringjallja duhet të vijë te njeriu për shkak të rënies dhe rënia erdhi për shkak të shkeljes, dhe për shkak se njeriu ra, ata u përjashtuan nga prania e Zotit.

7 Kështu që, duhet të ketë një shlyerjepafund—se pa këtë shlyerje të pafund, ky korrupsion nuk do të mund të vishej me pakorrupsion. Prandaj, gjykimi i parë që erdhi mbi njeriun do të kishte zgjatur për një periudhë të pafund. Dhe po të ishte kështu, ky mish do të qëndronte për t’u kalbur dhe për t’u shpërbërë në tokën mëmë, për të mos u ngritur më.

8 O, urtësia e Perëndisë, mëshira dhe hiri i tij! Pasi vini re, në qoftë se mishi nuk do të ngrihej më, shpirtrat tanë do t’i nënshtroheshin atij engjëlli që ra nga prania e Perëndisë së Amshuar dhe u bë djalli, për të mos u ngritur më.

9 Dhe shpirtrat tanë do të bëheshin si ai dhe ne do të bëheshim djaj, engjëj të një djalli, të dëbuar nga prania e Perëndisë sonë dhe të qëndronim me atin e gënjeshtrave në mjerim, sikurse ai; po, tek ajo qenie që mashtroi prindërit tanë të parë, i cili shndërrohet gati në një engjëll drite dhe trazon fëmijët e njerëzve në lidhje të fshehta vrasjeje dhe të gjitha llojet e punëve të fshehta të errësirës.

10 O sa e madhe mirësia e Perëndisë sonë, që përgatit një udhë për udhëdaljen tonë nga kapja e këtij përbindëshi të tmerrshëm; po, ai përbindësh, vdekja dhe ferri, që unë e quaj vdekja e trupit dhe gjithashtu vdekja e shpirtit.

11 Dhe për shkak të udhës së çlirimit të Perëndisë sonë, të Shenjtit të Izraelit, kjo vdekje, për të cilën unë ju fola, e cila është fizike, do të çlirojë të vdekurit e saj; vdekje e cila është varri.

12 Dhe kjo vdekje, për të cilën unë kam folur, që është vdekja shpirtërore, do të çlirojë të vdekurit e saj; vdekje shpirtërore e cila është ferri; prandaj vdekja dhe ferri duhet t’i çlirojnë të vdekurit e tyre dhe ferri duhet të çlirojë shpirtrat e tij të robëruar dhe varri duhet të çlirojë trupat e tij të robëruar, dhe trupat dhe shpirtrat e njerëzve do të ribashkohen me njëri-tjetrin; dhe kjo është nga fuqia e ringjalljes së të Shenjtit të Izraelit.

13 O sa i madh plani i Perëndisë tonë! Pasi, nga ana tjetër, parajsa e Perëndisë duhet të çlirojë shpirtrat e të drejtëve; dhe varri çliron trupin e të drejtit dhe shpirti dhe trupi do të ribashkohen përsëri dhe të gjithë njerëzit bëhen të pakorruptueshëm dhe të pavdekshëm dhe ata janë qenie të gjalla, duke patur një njohuripërsosur sikurse ne në mish, veçse njohuria jonë do të jetë e përsosur.

14 Prandaj, ne do të kemi njohuri të përsosur të të gjitha fajeve tona dhe të papastërtisë sonë dhe të lakuriqësisë sonë; dhe të drejtët do të kenë njohuri të përsosur të gëzimit të tyre dhe të drejtësisë së tyre, duke qenë të veshur me pastërti, po, madje edhe me rrobën e drejtësisë.

15 Dhe do të ndodhë që kur të gjithë njerëzit do të kenë kaluar nga kjo vdekje e parë në jetë, duke u bërë të pavdekshëm, ata duhet të dalin para fronit të gjykimit të të Shenjtit të Izraelit; dhe atëherë vjen gjykimi dhe atëherë ata duhet të gjykohen sipas gjykimit të shenjtë të Perëndisë.

16 Dhe me siguri, sikurse Zoti jeton, pasi Zoti Perëndi e ka thënë atë dhe ajo është fjala e tij e përjetshme, e cila nuk mund të vdesë, se ata që janë të drejte, do të qëndrojnë të drejtë akoma dhe ata që janë të fëlliqur, do të qëndrojnë të fëlliqur akoma; prandaj, ata që janë të fëlliqur janë djalli dhe engjëjt e tij; dhe ata do të shkojnë në zjarrin e përhershëm të përgatitur për ta dhe mundimi i tyre është si një liqen zjarri dhe squfuri, flaka e të cilit ngjitet lart gjithmonë dhe përgjithmonë dhe nuk ka fund.

17 O madhështia dhe drejtësia e Perëndisë sonë! Pasi ai përmbush të gjitha fjalët e tij e ato kanë dalë nga goja e tij dhe ligji i tij duhet zbatuar.

18 Por, vini re, të drejtët, shenjtorët e të Shenjtit të Izraelit, ata që kanë besuar në të Shenjtin e Izraelit, ata që kanë duruar kryqet e botës dhe që kanë përbuzur turpin e tij, ata do të trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë, që u përgatit për ta nga krijimi i botës dhe gëzimi i tyre do të jetë i plotë përgjithnjë.

19 O madhështia e mëshirës së Perëndisë tonë, të Shenjtit të Izraelit! Pasi ai i çliron shenjtorët e tij nga ai përbindësh i tmerrshëm që është djalli dhe nga vdekja dhe ferri, dhe nga ai liqen i zjarrit dhe squfurit, që është mundim i pafund.

20 O sa e madhe shenjtëria e Perëndisë sonë! Pasi, ai i di të gjitha gjërat dhe nuk ka asgjë që ai nuk e di.

21 Dhe ai vjen në tokë, që ai të mund të shpëtojë të gjithë njerëzit, në qoftë se ata do ta dëgjojnë zërin e tij; pasi vini re, ai vuan dhembjet e të gjithë njerëzve, po, vuajtjet e çdo krijese të gjallë, si burra, gra ashtu edhe fëmijë, që bëjnë pjesë në familjen e Adamit.

22 Dhe ai e vuan këtë, që ringjallja të vijë mbi të gjithë njerëzit, që të gjithë të mund të qëndrojnë para tij, në ditën e madhe të gjykimit.

23 Dhe ai urdhëron të gjithë njerëzit, që ata duhet të pendohen dhe të pagëzohen në emrin e tij, duke pasur besim të përsosur në të Shenjtin e Izraelit, ose ata nuk mund të shpëtohen në mbretërinë e Perëndisë.

24 Dhe në qoftë se ata nuk do të pendohen dhe nuk do të besojnë në emrin e tij, dhe nuk do të pagëzohen në emrin e tij, dhe nuk do të durojnë deri në fund, ata duhet të mallkohen; pasi Zoti Perëndi, i Shenjti i Izraelit, e ka thënë atë.

25 Kështu që, ai ka dhënë një ligj; dhe ku nuk ka ligj të dhënë, nuk ka ndëshkim; dhe ku nuk ka ndëshkim, nuk ka dënim; dhe ku nuk ka dënim, mëshirat e të Shenjtit të Izraelit kanë pretendime mbi ta, për shkak të shlyerjes; pasi ata çlirohen nga fuqia e tij.

26 Pasi shlyerja kënaq kërkesat e drejtësisë së tij mbi të gjithë ata të cilëve nuk u është dhënë ligji, që ata të çlirohen nga ai përbindësh i tmerrshëm, vdekja dhe ferri dhe djalli, dhe liqeni i zjarrit dhe squfurit, që është vuajtje e pafund; dhe ata kthehen tek ai Perëndi që u dha atyre frymë, i cili është i Shenjti i Izraelit.

27 Por mjerë ai të cilit i është dhënë ligji, po, që ka të gjitha urdhërimet e Perëndisë, si ne, dhe që i shkel ato dhe që shpenzon kot ditët e provës së tij, sepse e tmerrshme është gjendja e tij!

28 O, ai plani dredharak i të ligut! O, kotësia dhe dobësitë dhe marrëzia e njerëzve! Kur janë të mësuar, ata mendojnë se janë të ditur dhe nuk dëgjojnë këshillën e Perëndisë, pasi e lënë mënjanë, duke supozuar se ata dinë nga vetja e tyre, prandaj, dituria e tyre është marrëzi dhe ajo nuk është e dobishme për ta. Dhe ata do të mbarojnë.

29 Por të jenë të mësuar është mirë, nëse ata dëgjojnë këshillat e Perëndisë.

30 Por mjerë të pasurit, që janë të pasur sipas gjërave të botës. Pasi, sepse ata janë të pasur, ata përbuzin të varfërit dhe përndjekin të bindurit dhe zemrat e tyre janë në thesaret e tyre; prandaj thesari i tyre është perëndia i tyre. Dhe vini re, thesari i tyre do të mbarojë me ta gjithashtu.

31 Dhe mjerë të shurdhët që nuk do të dëgjojnë; pasi ata do të mbarojnë.

32 Mjerë të verbërit që nuk do të shohin; pasi ata do të mbarojnë gjithashtu.

33 Mjerë ata që nuk janë rrethprerë në zemër, pasi njohuria e paudhësive të tyre do t’i godasë ata në ditën e fundit.

34 Mjerë gënjeshtari, pasi ai do të flaket në ferr.

35 Mjerë vrasësi që vret me qëllim, pasi ai do të vdesë.

36 Mjerë ata që bëjnë lavirësi, pasi do të flaken në ferr.

37 Po, mjerë ata që adhurojnë idhuj, pasi djalli i të gjithë djajve kënaqet me ta.

38 Dhe në fund, mjerë të gjithë ata që vdesin në mëkatet e tyre; pasi ata do të kthehen te Perëndia dhe do të shohin fytyrën e tij dhe do të qëndrojnë në mëkatet e tyre.

39 O vëllezërit e mi të dashur, kujtoni sa e tmerrshme është të shkelësh kundër atij Perëndie të Shenjtë dhe gjithashtu sa e tmerrshme është të dorëzohesh në ngasjet e atij dinaku. Kujtoni, të jesh mendje-kontrolluar nga mishi është vdekje, por të jesh mendje-kontrolluar nga shpirti është jetë e përjetshme.

40 O, vëllezërit e mi të dashur, u vini veshin fjalëve të mia. Kujtoni madhështinë e të Shenjtit të Izraelit. Mos thoni se kam folur gjëra të rënda kundër jush; pasi po të thoni, ju do të flisni keq kundër së vërtetës; pasi unë kam folur fjalët e Krijuesit tuaj. Unë e di që fjalët e së vërtetës janë të rënda kundër të gjithë papastërtisë; por të drejtët nuk frikësohen prej tyre, pasi ata e duan të vërtetën dhe nuk dridhen.

41 O atëherë, vëllezërit e mi të dashur, ejani te Zoti, tek i Shenjti. Kujtoni se shtigjet e tij janë të drejta. Vini re, udha për njeriun është e ngushtë, por ajo shtrihet në një drejtim të drejtë para tij dhe ruajtësi i portës është i Shenjti i Izraelit; dhe ai nuk punëson shërbëtorë aty; dhe nuk ka udhë tjetër përveç nëpërmjet portës; pasi ai nuk mund të mashtrohet, pasi Zoti Perëndi është emri i tij.

42 Dhe kujtdo që troket, atij do t’ia hapë ai; dhe të diturit dhe të mësuarit, dhe ata që janë të pasur, dhe ata që janë krekosur për shkak të diturisë së tyre dhe të urtësisë së tyre dhe të pasurive të tyre—po, ata janë ata që ai i përçmon; dhe nëse ata nuk i flakin tutje këto gjëra dhe nuk e konsiderojnë veten budallenj para Perëndisë, dhe nuk përulen në thellësitë e përulësisë, ai nuk do t’ua hapë.

43 Por gjërat e të diturit dhe të maturit do t’u fshihen atyre përgjithmonë—po, ajo lumturi që është përgatitur për shenjtorët.

44 O, vëllezërit e mi të dashur, mbani mend fjalët e mia. Vini re, unë heq rrobat e mia dhe i shkund para jush; unë i lutem Perëndisë së shpëtimit tim që ai të më shikojë mua me syrin e tij që sheh gjithçka; prandaj, ju do të dini në ditën e fundit, kur të gjithë njerëzit do të gjykohen për veprat e tyre, se Perëndia i Izraelit dëshmoi që unë i shkunda paudhësitë tuaja nga shpirti im dhe se unë qëndroj me pastërti para tij dhe jam i pastruar nga gjaku juaj.

45 O, vëllezërit e mi të dashur, largohuni nga mëkatet tuaja; flakni zinxhirët e atij që do t’ju lidhë shtrëngueshëm; ejani te ai Perëndi që është shkëmbi i shpëtimit tuaj.

46 Përgatitni shpirtrat tuaj për atë ditë të lavdishme, kur drejtësi do të zbatohet mbi të drejtët, madje ditën e gjykimit, që ju të mos mund të tkurreni nga frika e tmerrshme; që ju të mos mund të mbani mend fajin tuaj të tmerrshëm me përpikmëri dhe të jeni të detyruar të bërtisni: Të shenjta, të shenjta janë gjykimet e tua, O Zot, Perëndi i Plotfuqishëm—por unë e di fajin tim; unë shkela ligjin tënd dhe shkeljet e mia janë të mijat; dhe djalli më ka pushtuar, se unë jam një pre e mjerimit të tij të tmerrshëm.

47 Por, vini re, vëllezërit e mi, a është e nevojshme që unë t’ju zgjoj në një realitet të tmerrshëm të këtyre gjërave? A do t’jua trazoja shpirtrat tuaj në se mendjet tuaja ishin të kulluara? A do të isha unë kaq i qartë me ju, sipas qartësisë së të vërtetës, në qoftë se ju do të ishit të lirë nga mëkati?

48 Vini re, në qoftë se ju do të ishit të shenjtë, unë do t’ju flisja mbi shenjtërinë; por pasi ju nuk jeni të shenjtë dhe pasi ju më shikoni si një mësues, është e nevojshme që unë t’ju mësoj pasojat e mëkatit.

49 Vini re, shpirti im e urren mëkatin dhe zemra ime kënaqet në drejtësi; dhe unë do të lavdëroj emrin e shenjtë të Perëndisë tim.

50 Ejani vëllezërit e mi, secili që ka etje, ejani ju tek ujërat; dhe ai që nuk ka para, ejani, blini dhe hani; po, ejani blini verë dhe qumësht, pa para dhe pa çmim.

51 Prandaj, mos shpenzoni para për atë që nuk ka vlerë, as punën tuaj për atë që nuk mund të japë kënaqësi. Më dëgjoni me zell dhe mbani mend fjalët që ju kam thënë; dhe ejani tek i Shenjti i Izraelit dhe merrni sa të mundni nga ajo që nuk mbaron, as që nuk mund të korruptohet dhe e lini shpirtin tuaj të kënaqet në bollëk.

52 Vini re, vëllezërit e mi të dashur, mbani mend fjalët e Perëndisë suaj; lutjuni atij vazhdimisht ditën dhe jepini falënderime emrit të tij të shenjtë natën. Lerini zemrat tuaja të gëzojnë.

53 Dhe vini re, sa të mëdha besëlidhjet e Zotit dhe sa të mëdha denjimet e tij te fëmijët e njerëzve; dhe për shkak të madhështisë së tij dhe të hirit dhe mëshirës së tij, ai na ka premtuar se fara jonë nuk do të zhduket krejtësisht, sipas mishit, por se ai do ta ruaj atë; dhe në brezat e ardhshëm, ata do të bëhen një degë e drejtë në shtëpinë e Izraelit.

54 Dhe tani, vëllezërit e mi, unë do t’ju flisja më shumë; por nesër unë do t’ju shpall pjesën e mbetur të fjalëve të mia. Amen.