Seksioni 93
Zbulesë dhënë nëpërmjet Joseph Smith Profetit, në Kirtland, Ohio, më 6 maj 1833 (History of the Church, 1:343–346).
1–5, Të gjithë ata që janë besnikë, do ta shohin Zotin; 6–18, Gjoni dha dëshmi se Biri i Perëndisë fitoi hir pas hiri, derisa mori një plotësi të lavdisë së Atit; 19–20, Njerëzit besnikë, duke shkuar nga hiri në hir, do të marrin gjithashtu plotësinë e tij; 21–22, Ata që janë lindur nëpërmjet Krishtit, janë Kisha e të Parëlindurit; 23–28, Krishti mori një plotësi të gjithë së vërtetës dhe njeriu, nëpërmjet bindjes, mund ta bëjë atë; 29–32, Njeriu ishte në fillim me Perëndinë; 33–35, Elementët janë të përjetshëm dhe njeriu mund të marrë një plotësi të lavdisë në Ringjallje; 36–37, Lavdia e Perëndisë është inteligjencë; 38–40, Fëmijët janë të pafajshëm përpara Perëndisë për shkak të shlyerjes së Krishtit; 41–53, Vëllezërit udhëheqës urdhërohen për t’i organizuar me rregull familjet e tyre.
1 Në të vërtetë, kështu thotë Zoti: Do të ndodhë që çdo shpirt, i cili i braktis mëkatet e tij dhe vjen tek unë, dhe lutet në emrin tim, dhe i bindet zërit tim, dhe i mban urdhërimet e mia, do ta shohë fytyrën time dhe do të dijë se unë jam;
2 Dhe se unë jam drita e vërtetë që ndriçon çdo njeri që vjen në botë;
3 Dhe se unë jam në Atin dhe Ati në mua dhe Ati dhe unë jemi një—
4 Ati, sepse më dha prej plotësisë së tij, dhe Biri, sepse unë isha në botë dhe e bëra mish tabernakullin tim e banova mes bijve të njerëzve.
5 Unë isha në botë e mora nga Ati im dhe veprat e tij u manifestuan qartë.
6 Dhe Gjoni pa dhe dha dëshmi për plotësinë e lavdisë sime dhe plotësia e dëshmisë së Gjonit në të ardhmen do të zbulohet.
7 Dhe ai dha dëshmi, duke thënë: Unë e pashë lavdinë e tij, që ai ishte në fillim, përpara se bota të ishte;
8 Si rrjedhim, në fillim ishte Fjala, sepse ai ishte Fjala, madje lajmëtari i shpëtimit—
9 Drita dhe Shëlbuesi i botës; Shpirti i së vërtetës, i cili erdhi në botë, sepse bota u bë prej tij dhe në të ishte jeta e njerëzve dhe drita e njerëzve.
10 Botët u bënë prej tij; njerëzit u bënë prej tij; gjithë gjërat u bënë prej tij dhe nëpërmjet tij, dhe përmes tij.
11 Dhe unë, Gjoni, jap dëshmi se e pashë lavdinë e tij, si lavdia e të Vetëmlindurit të Atit, plot hir dhe të vërtetë, madje Shpirtin e së vërtetës, që erdhi dhe banoi në mish e banoi mes nesh.
12 Dhe unë, Gjoni, pashë se ai nuk e mori plotësinë që në fillim, por mori hir pas hiri;
13 Dhe ai nuk e mori plotësinë që në fillim, por vazhdoi nga hiri në hir, derisa mori një plotësi;
14 Dhe kështu ai u quajt Biri i Perëndisë, sepse nuk e mori plotësinë që në fillim.
15 Dhe unë, Gjoni, jap dëshmi dhe ja, qiejt u hapën dhe Fryma e Shenjtë zbriti mbi të në formën e një pëllumbi e u ul mbi të dhe një zë erdhi nga qielli duke thënë: Ky është Biri im i dashur.
16 Dhe unë, Gjoni, jap dëshmi se ai mori një plotësi të lavdisë së Atit;
17 Dhe ai mori gjithë fuqinë, si në qiell, edhe në tokë, dhe lavdia e Atit ishe me të, sepse ai banoi në të.
18 Dhe do të ndodhë që, në qoftë se jeni besnikë, ju do të merrni plotësinë e dëshmisë së Gjonit.
19 Unë jua jap këto thënie që ju të mund ta kuptoni e dini se si të adhuroni dhe të dini çfarë të adhuroni, që ju të mund të vini tek Ati në emrin tim dhe në kohën e përshtatshme të merrni plotësinë e tij.
20 Sepse, në qoftë se i mbani urdhërimet e mia, ju do ta merrni plotësinë e tij dhe do të përlëvdoheni në mua, sikurse jam unë në Atin; si rrjedhim, unë ju them, ju do të merrni hir pas hiri.
21 Dhe tani, në të vërtetë unë ju them, unë isha në fillim me Atin dhe jam i Parëlinduri;
22 Dhe gjithë ata që janë lindur nëpërmjet meje, janë pjesëmarrës të lavdisë së po atij dhe janë kisha e të Parëlindurit.
23 Ju gjithashtu ishit në fillim me Atin; që është Shpirt, madje Shpirti i së vërtetës;
24 Dhe e vërteta është dituri për gjërat siç janë dhe siç ishin, dhe siç do të jenë;
25 Dhe çfarëdo që është më shumë ose më pak se kjo, është shpirti i atij të ligu që ishte një gënjeshtar që nga fillimi.
26 Shpirti i së vërtetës është nga Perëndia. Unë jam Shpirti i së vërtetës dhe Gjoni dha dëshmi për mua, duke thënë: Ai mori një plotësi të së vërtetës, po, madje të gjithë së vërtetës;
27 Dhe askush nuk e merr plotësinë, në qoftë se ai nuk i zbaton urdhërimet e tij.
28 Ai që i mban urdhërimet e tij, merr të vërtetë e dritë, derisa të përlëvdohet në të vërtetë dhe i di të gjitha gjërat.
29 Njeriu ishte gjithashtu në fillim me Perëndinë. Inteligjenca, ose drita e së vërtetës, nuk u krijua apo u bë, as nuk mund të krijohet apo bëhet.
30 Gjithë e vërteta është e pavarur në atë sferë në të cilën Perëndia e ka vendosur, për të vepruar për vete, sikurse gjithë inteligjenca gjithashtu; përndryshe nuk ka ekzistencë.
31 Vini re, në këtë është zgjedhja e lirë e njeriut dhe në këtë është dënimi i njeriut; sepse ajo që ishte që nga fillimi, u është manifestuar qartë atyre dhe ata nuk e pranojnë dritën.
32 Dhe çdo njeri, shpirti i të cilit nuk e pranon dritën, është nën dënim.
33 Sepse njeriu është shpirt. Elementet janë të përjetshëm dhe shpirti dhe elementet, të lidhur në mënyrë të pandashme, marrin plotësi të gëzimit;
34 Dhe kur ndahen, njeriu nuk mund të marrë plotësi të gëzimit.
35 Elementet janë tabernakulli i Perëndisë; po, njeriu është tabernakulli i Perëndisë, madje tempujt; dhe cilido tempull ndotet, Perëndia do ta shkatërrojë atë tempull.
36 Lavdia e Perëndisë është inteligjencë ose, me fjalë të tjera, dritë dhe e vërtetë.
37 Drita dhe e vërteta e braktisin atë të ligun.
38 Çdo shpirt njeriu ishte i pafajshëm në fillim; dhe Perëndia, ngaqë e ka shëlbuar njeriun nga rënia, njerëzit u bënë përsëri, në gjendjen e tyre foshnjore, të pafajshëm përpara Perëndisë.
39 Dhe ai i lig vjen dhe largon dritën dhe të vërtetën nëpërmjet mosbindjes, nga fëmijët e njerëzve, dhe për shkak të traditës së etërve të tyre.
40 Por unë ju kam urdhëruar t’i rrisni fëmijët tuaj në dritë e të vërtetë.
41 Por në të vërtetë unë të them ty, shërbëtorit tim Frederick G. Williams, ti ke vazhduar nën këtë dënim;
42 Ti nuk i ke mësuar fëmijët e tu në dritë e të vërtetë, sipas urdhërimeve; dhe ai i ligu ka fuqi tashmë mbi ty dhe ky është shkaku i mjerimit tënd.
43 Dhe tani një urdhërim të jap—në qoftë se dëshiron të çlirohesh, ti duhet të vendosësh në rregull shtëpinë tënde, sepse ka shumë gjëra që nuk janë siç duhet në shtëpinë tënde.
44 Në të vërtetë, unë i them shërbëtorit tim Sidney Rigdon se në disa gjëra ai nuk i ka zbatuar urdhërimet e mia lidhur me fëmijët e tij; si rrjedhim, fillimisht vendos në rregull shtëpinë tënde.
45 Në të vërtetë, unë i them shërbëtorit tim Joseph Smith të Riut ose, me fjalë të tjera, unë do t’ju quaj miq, sepse ju jeni miqtë e mi dhe do të keni një trashëgimi me mua—
46 Unë ju thirra shërbëtorë për hir të botës dhe ju jeni shërbëtorët e tyre për hirin tim—
47 Dhe tani, në të vërtetë unë i them Joseph Smith të Riut—Ti nuk i ke zbatuar urdhërimet dhe patjetër duhet të mbetesh i qortuar përpara Zotit;
48 Familja jote duhet patjetër të pendohet e t’i braktisë disa gjëra dhe t’u vërë vesh më me kujdes thënieve të tua ose do të largohen nga vendi i tyre.
49 Çfarë të them ty, ua them të gjithëve; lutuni gjithmonë, që ai i keqi të mos ketë fuqi brenda jush dhe largohuni nga vendi juaj.
50 Shërbëtori im Newel K. Whitney gjithashtu, një peshkop i kishës sime, ka nevojë të ndëshkohet dhe të vendosë në rregull familjen e tij, dhe të kujdeset që ata të jenë më të zellshëm dhe më të përfshirë në shtëpi dhe të luten gjithmonë, ose ata do të largohen nga vendi i tyre.
51 Tani, unë ju them, miqtë e mi, shërbëtori im Sidney Rigdon duhet të shkojë në udhëtimin e tij e të nxitojë dhe gjithashtu duhet të shpallë vitin e pranueshëm të Zotit dhe ungjillin e shpëtimit, siç do t’i jap unë aftësi për të folur; dhe, me anë të lutjes suaj të besimit, me miratim të përbashkët, unë do ta mbështes atë.
52 Dhe shërbëtorët e mi Joseph Smith i Riu dhe Frederick G. Williams duhet të nxitojnë gjithashtu dhe do t’u jepet atyre sipas lutjes së besimit; dhe për aq sa ju i zbatoni thëniet e mia, ju nuk do të ngatërroheni në këtë botë, as në botën që vjen.
53 Dhe, në të vërtetë unë ju them se është vullneti im që ju duhet të nxitoni për të përkthyer shkrimet e mia të shenjta dhe për të fituar një dituri të historisë dhe të vendeve, dhe të mbretërive, të ligjeve të Perëndisë dhe të njeriut, dhe gjithë kjo për shpëtimin e Sionit. Amen.