“Kukuvajka dhe Orka”, Miku, maj 2023, f. 8–9.
Kukuvajka dhe Orka
Si mund t’i ndihmojnë të tjerët pikturat e Diterit?
Kjo ngjarje ndodhi në Kanada.
Diteri dëshironte të dëgjonte konferencën e përgjithshme. Ai u përpoq të rrinte ulur në një vend. U përpoq t’i dëgjonte bisedat. Por fakti që kishte autizëm, ia bënte të vështirë të përqendrohej. Ai tundej në divan. Luante me lodrat e veta. Vraponte rreth e qark.
Më pas hodhi vështrimin te babi. Babi po rrinte ulur në qetësi dhe po dëgjonte folësit. Diteri donte të bëhej si ai. Prandaj nxori mjetet e tij të vizatimit. Mbase ngjyrosja e një figure do ta ndihmonte të rrinte ulur në qetësi.
Ndërkohë që po ngjyroste, Diteri e dëgjoi Plakun Xhefri R. Holland të fliste. Plaku Holland tregoi një histori rreth Jezusit. Jezusi i kërkoi një të riu pasanik që t’ia jepte të gjitha paratë e tij të varfërve.*
Edhe Diteri dëshironte t’i ndihmonte njerëzit që nuk kishin para mjaftueshëm. Atij i erdhi një ide.
“Mami, dua të ngjyros me bojë një kukuvajkë”, – tha Diteri. “A mund të ma vizatosh një të tillë?”
“Sigurisht”, – tha mami. Ajo vizatoi një kukuvajkë.
Diteri e zhyti në bojë penelin. Fillimisht ai ngjeu me bojë krahët e kukuvajkës. Disa pendë i bëri bojëkafe dhe disa pendë portokalli. Ndërsa e ngjyroste me bojë, dëgjoi bisedat e tjera. Madje, edhe kur të gjitha bisedat mbaruan Diteri vazhdoi të punonte. Ai dëshironte që kukuvajka të ishte e përsosur.
Më në fund Diteri kishte mbaruar punë. Ia tregoi kukuvajkën mamit.
“Duket shkëlqyeshëm!”, – tha mami. “A ta varim në mur?”
Diteri tundi kokën në shenjë mohimi. “Unë dua ta shes atë dhe t’i jap paratë për të ndihmuar njerëzit që nuk kanë para mjaftueshëm. Siç u tha në konferencë.”
Mami buzëqeshi. “Le të shohim se ç’mund të bëjmë!”
Ajo publikoi një fotografi të pikturës së Diterit për ta shitur përmes internetit. Mami shkroi se Diteri tha që do t’ia jepte paratë një strehe për njerëz pa shtëpi.
Të nesërmen, Diteri dhe mami i hodhën një sy publikimit. Diteri nuk u besonte syve! Shumë njerëz dëshironin ta blinin pikturën e tij. Ai ishte i kënaqur që aq shumë njerëz dëshironin të ndihmonin.
Një restorant në qytetin e Diterit kërkoi ta blinte pikturën. Ata thanë se do të paguanin 10 herë më shumë nga sa kishin kërkuar Diteri dhe mami! Dyqane të tjera i kërkuan atij piktura gjithashtu. Diteri kishte më shumë punë për të bërë!
Mami vizatoi formën e shumë kafshëve dhe Diteri nxori bojërat e tij. Ai ngjyrosi me bojë një ujk, një luan dhe një orkë. Orka i pëlqente më shumë nga të gjithë. Ai ia vuri emrin “Orka Otisi”. Një ushqimore pranë shtëpisë së tij e bleu atë. Herën tjetër që Diteri shkoi në dyqan, e pa atë të varur në mur!
“Shikoje, mami!”, – Diteri e tregoi me gisht pikturën.
“Ua!”, – tha mami. “Tani sa herë të vijmë këtu, mund të kujtojmë se si talentet e tua i ndihmuan njerëzit.”
Diteri ishte krenar që njerëzit i pëlqyen pikturat e tij. Por ishte edhe më i lumtur që mundi të ndihmonte njerëzit. Ai ishte i kënaqur që kishte mbajtur vesh gjatë konferencës së përgjithshme.