“Kameroni, Djaloshi që Luan në Piano”, Miku, maj 2023, f. 40–41.
Kameroni, Djaloshi që Luan në Piano
Kameroni nuk dinte si të luante në piano, por dëshironte të ndihmonte.
Kjo ngjarje ndodhi në SHBA.
“Fëmi’ i Per’ndis Jam” këndoi Kameroni me fëmijët e tjerë të Fillores. Kameroni kishte probleme me dëgjimin, por atij i pëlqente shumë të këndonte. Shpejt ata do të këndonin në programin e Fillores. Kjo do të ndodhte pas një muaji!
Kur mbaroi koha e të kënduarit, Motra Xhons dha një lajmërim. “Pianisti ynë i Fillores do të shpërngulet së shpejti. Do të donim shumë që disa nga ju të luanin në piano për programin e Fillores. A do të dëshironte ndonjëri prej jush të luante një ose dy këngë?”
Kameroni ngriti dorën. Ai dëshironte të ndihmonte për programin.
Motra Xhons i shkroi emrat e fëmijëve që dëshironin të ndihmonin. “Ema. Beni Dhe Kameroni! Nuk e dija se mund të luanit në piano.” Ajo buzëqeshi.
Kameroni nuk kishte marrë kurrë mësime më parë, por atij i pëlqente të shpikte këngë në pianon që ndodhej te shtëpia e gjyshes.
“Nuk jam ende shumë i zoti”, – tha ai. “Por mendoj se mund t’ia dal po të ushtrohem!”
“Faleminderit që je i gatshëm të shërbesh”, – tha Motra Xhons. Ajo i dha secilit fëmijë nga dy këngë për t’i luajtur.
Kameronit i erdhi dëshira për të vrapuar në korridor. Ai gjithmonë kishte dëshiruar të mësonte dhe tani do ta bënte!
“Dukesh i emocionuar! A ndodhi ndonjë gjë në Fillore?”, – e pyeti mami kur u futën në makinë pas kishe.
Kameroni vuri buzën në gaz. “Do të luaj në piano për programin e Fillores!”
“Më pëlqen shumë që dëshiron të ndihmosh”, – tha mami. “Por ti nuk di si të luash në piano aq mirë sa ta bësh atë.”
Kameroni drejtoi trupin. “Unë mund të mësoj. Do të ushtrohem shumë fort! Mund të përdor pianon e gjyshes.”
“Atëherë bëjmë mirë të fillojmë nga puna!”, – tha mami.
Mami e ndihmoi Kameronin të gjente një mësues pianoje. Mësuesi i tregoi atij mënyra të thjeshta për të luajtur këngët “Tempullin Shum’ Dua t’Shoh” dhe “Kisha e Jezu Krishtit”.
Kameroni u ushtrua në shtëpinë e gjyshes aq shpesh sa mundi. Ai ushtrohej për çdo rresht të këngëve herë pas here. Bënte shumë gabime, por vazhdonte të përpiqej dhe vazhdonte të luante. Më në fund, ai mund t’i luante të dyja këngët.
Shpejt erdhi koha për programin e Fillores. “Si ndihesh?”, – e pyeti mami.
Kameroni e shtrëngoi librin e pianos në kraharor. “Në ankth. Por edhe i emocionuar.”
Kur i erdhi radha për të luajtur në piano, Kameronit i dridheshin pak duart. Atë Qiellor, të lutem më ndihmo, – u lut ai me mendje. Mori frymë thellë. Më pas luajti aq mirë sa mundi. Fëmijët e shoqëruan duke kënduar.
Në fund të këngës, ai buzëqeshi. Ishte qejf! Ai e dinte se Fryma e Shenjtë po e ndihmonte.
Tani që e kishte luajtur tashmë një këngë, Kameroni ndihej më i sigurt te vetja. Ai filloi këngën e dytë. Gishtërinjtë e tij lëviznin mbi taste njësoj siç ishte ushtruar.
Kjo këngë qe e parapëlqyera e Kameronit. Ai mendoi për fjalët ndërsa luante. “Besoj në Shpëtimtarin Jezu Krisht. Do t’i jap nderim.” Kameroni kishte punuar fort për t’i mësuar këngët për programin.
Ndoshta të luaj në piano është një mënyrë për të dhënë dëshminë time, – mendoi Kameroni.
Pas programit, mami e përqafoi fort Kameronin.
“Si shkoi?”, – pyeti ajo.
“Isha në ankth në fillim, por ishte qejf!”, – tha Kameroni. Ai donte të vazhdonte të ushtrohej dhe të mësonte edhe këngë të tjera.