2023
Përmbytur me Dashuri
Maj 2023


“Përmbytur me Dashuri”, Miku, maj 2023, f. 26–27.

Përmbytur me Dashuri

“A mund ta ndihmojmë edhe familjen e Hozesë?” – pyeti Mariusi.

Kjo ngjarje ndodhi në Filipine.

Fëmijë duke përshëndetur me dorë

Ndërsa Mariusi po shkonte në shtëpi, ai mundi të dëgjonte njerëz duke biseduar brenda. Ai hodhi një sy brenda nga dritarja.

Vras mendjen kush është këtu, – mendoi ai. Nëna e tij jetonte në një vend tjetër prej punës, ndaj zakonisht ishin vetëm ai dhe Lola (gjyshja) në shtëpi.

Ai hapi derën. Të gjithë miqtë e tij ishin aty!

“Surprizë!” – thanë ata.

“Donim të festonim për ty dhe medaljen që more në konkursin e tajkondosë” – tha Hozeja, shoku i ngushtë i Mariusit.

“Jam shumë krenare për ty.” Lola e shtrëngoi fort Mariusin në një përqafim të fortë. “Është nëna jote në telefon! Jam e sigurt që do të dojë të dëgjojë gjithçka rreth medaljes sate.”

Pasi Mariusi mbaroi së foluri me mamin, ai dhe miqtë e tij shijuan festën. Ata u zbavitën duke biseduar dhe duke ngrënë ushqimin e shijshëm të Lolës.

“A do të vish me mua të luajmë me birila nesër? – e pyeti Hozeja përpara se të ikte.

“Po!” – tha Mariusi.

Atë natë, përpara se të shkonte në shtrat, Mariusi bëri një lutje. “Atë Qiellor, të falënderoj që më ke dhënë kaq miq e familjarë të mrekullueshëm. Të lutem bekoje mamin tim ndërkohë që është larg. Dhe të lutem më beko që të argëtohem kur të luaj me birila me Hozenë nesër.”

Por të nesërmen, Mariusi nuk shkoi dot të luante me birila. Nisi një stuhi e madhe shiu dhe gjithkujt iu desh të rrinte në shtëpi. Mariusi ndenji ulur në shtëpi, teksa dëgjonte shiun duke rënë mbi çati. Ai dëshironte të shihte Hozenë.

Për tri ditë, vazhdoi të binte shi. Rrugët u përmbytën nga uji. Disa shtëpi në lagjen e banimit të Mariusit u përmbytën gjithashtu.

Më vonë, Mariusi e gjeti Lolën në kuzhinë. Ajo po gatuante diçka që lëshonte një aromë fantastike.

“Çfarë po gatuan?” – pyeti ai.

“Po bëj ushqime për disa familje të lagjes sonë” – tha ajo. “Shtëpitë e tyre u përmbytën, ndaj peshkopi më kërkoi të ndihmoja.”

Mariusi mendoi për Hozenë. “A mund të bëjmë ushqime për familjen e Hozesë? Edhe ata mund të kenë nevojë për ndihmë.”

“Kjo është një ide e shkëlqyer” – tha Lola.

Mariusi bëri pilaf dhe vezë të skuqura për Hozenë dhe familjen e tij. Më pas ai e ndihmoi Lolën ta paketonte ushqimin.

Më në fund shiu pushoi. Mariusi dhe Lola çanë përmes ujit nëpër rrugë për të dorëzuar ushqimet. Uji i arrinte Mariusit deri në gju!

Djali dhe gjyshja e tij duke kaluar në një rrugë të përmbytur

Ata e gjetën Hozenë dhe familjen e tij duke qëndruar jashtë shtëpisë së tyre. Hozeja po qante.

Mariusi e përqafoi shokun e tij. “Më vjen keq që shtëpia jote u përmbyt” – tha ai. “Jezusi të do. Edhe ne të duam.”

Së bashku, Mariusi dhe Hozeja ndihmuan për pastrimin e gjërave të baltosura në shtëpinë e Hozesë. Mariusi këndoi këngën “Fëmi’ i Per’ndis’ Jam” ndërsa ata punonin. Kur bënë një pushim, Mariusi i dha Hozesë ushqimin që kishte bërë për të.

“Faleminderit që e ndihmove familjen time”, – tha Hozeja. “Dhe faleminderit për ushqimin! Është i shijshëm.”

“S’ka përse”, – tha Mariusi.

“A mendon se mund të më tregosh më tepër rreth Jezusit? Dhe rreth këngës që po këndoje?”, – pyeti Hozeja.

“Sigurisht!”, – tha Mariusi. “A dëshiron të vish me mua në kishë të dielën? Atje mësoj për Jezusin. Mundet edhe të këndojmë së bashku gjithashtu.

“Në rregull”, – tha Hozeja.

Mariusi ndjeu ngrohtësi brenda vetes. Ai qe i kënaqur që mundi ta ndihmonte Hozenë dhe familjen e tij. Ishte i lumtur që mund ta shpërndante ungjillin gjithashtu.

historia në formatin PDF

Ilustrimet nga Jamie Bauza