“Lutja e Rozit”, Miku, maj 2023, f. 14–15.
Lutja e Rozit
Rozi u lodh së ndjeri sikur nuk i përkiste atij vendi.
Kjo ngjarje ndodhi në SHBA.
Rozi e lëshoi çantën në dysheme. Ajo sapo kishte mbaruar ditën e saj të dytë në klasën e re. Dhe nuk kishte qenë një ditë e mirë.
“Çfarë ka?” – e pyeti mami.
Rozi u mbështet në divan. “Disa fëmijë në klasën time më thanë gjëra të këqija”, – tha ajo. “Për lëkurën time të zeshkët.”
Nuk kishte shumë njerëz në shkollë që kishin të njëjtën ngjyrë lëkure si Rozi, ndaj ajo ndihej sikur nuk i përkiste atij vendi. Por ngacmimi e bëri të ndihej qindra herë më keq.
Mami u duk e shqetësuar. “Më vjen keq”, – tha ajo. Ajo i dha Rozit një përqafim. “Do të flas me mësuesen tënde për këtë.”
Por të nesërmen në shkollë, Rozin e ngacmuan përsëri. Një djalë në klasën e saj u soll keq me të gjithë ditën.
Rozi u ndje e trishtuar. Por u ndje edhe e zemëruar. Nganjëherë kur ai tregohej i pasjellshëm me të, Rozi ia kthente fjalën. Por kjo nuk e bënte të ndihej më mirë.
Një ditë, kur Rozi u kthye në shtëpi nga shkolla, ajo vrapoi drejt e në dhomën e vet. Ishte e lodhur nga ngacmimet. Ishte e lodhur së ndjeri sikur nuk përkiste në shkollë. E ngjeshi fytyrën në jastëk dhe qau.
“Si do t’ia bëj?”, – mendoi ajo. Ajo nuk dëshironte të ndihej kështu gjatë gjithë pjesës tjetër të mbetur të vitit shkollor.
Rozi fshiu sytë. Më pas ngriti vështrimin te statuja e vogël e Jezusit që ishte në raftin e saj të librave. Mami ia kishte dhënë atë Rozit që ta ndihmonte të kujtonte Jezusin.
“Ndoshta duhet të lutem”, – mendoi ajo. U gjunjëzua dhe i kryqëzoi krahët.
“I dashur Ati Qiellor, jam shumë e lënduar në shpirt. Shokët e mi të klasës sillen keq me mua për shkak të lëkurës sime të zeshkët dhe kjo më bën të ndihem shumë keq. Të lutem, më ndihmo.”
U ndje mirë kur i tregoi Atit Qiellor për ndjenjat e saj. Ajo e dinte se Ai po dëgjonte. Ndjeu ngrohtësi dhe dashuri, sikur atë po e mbështillnin me një batanije të ngrohtë. Ajo ndjeu se ngjyra e lëkurës së vet ishte e bukur. Ajo ishte një fëmijë i Perëndisë dhe Ai e donte atë.
Kur Rozi e mbaroi lutjen, asaj i erdhi një ide. Ndoshta ajo mund të bënte diçka më tepër për të ndihmuar në shkollë.
Javën e ardhshme, Rozi dhe nëna e saj folën me njerëzit që drejtonin shkollën për atë që po ndodhte në klasën e saj. Rozi kërkoi fëmijë të tjerë në shkollë që po bullizoheshin, dhe u bë shoqe me ta. Ajo u përpoq ta shpërfillte djalin që e ngacmonte. Dhe në kishë të dielën, ajo dha dëshminë e vet që Ati Qiellor i donte të gjithë.
Gjërat në shkollë nuk u përmirësuan menjëherë. Por kur bëhej e vështirë, Rozi kujtonte se si u ndje gjatë lutjes. Ajo ishte një fëmijë i Perëndisë dhe Ai e donte. Dhe për shkak se e dinte këtë, ajo mund të bënte gjithçka.