“Shoqe Origami”, Miku, maj 2023, f. 30–31.
Shoqe Origami
Si mundën ta ndihmonin znj. Frenklin, Ari dhe shoqet e saj?
Kjo ngjarje ndodhi në SHBA.
“Koha e pushimit!” – thirri mësuesja e Arit.
Shokët e klasës së Arit u rreshtuan për të dalë jashtë te këndi i lojërave. Por Ari dhe shoqet e saj zgjodhën të shkonin në bibliotekë. Atyre u pëlqente të merrnin libra hua dhe të bënin punëdore së bashku.
Kristina dhe Ela po prisnin tashmë te dera. Ari e kapi librin e vet dhe një tufë letrash. Më pas ajo u priu përgjatë korridorit.
“Shpresoj që ta kenë kthyer librin Sekreti i Rojtarit të Dragoit!” – tha Ari. “Kam dashur ta marr hua prej javësh.”
Kur arritën në bibliotekë, vajzat e përshëndetën me dorë znj. Frenklin, bibliotekaren e shkollës. Ajo gjithnjë i mirëpriste ato me një buzëqeshje të ngazëllyer. Por sot buzëqeshja e saj nuk dukej aq e ngazëllyer.
Ari u vrenjt ndërsa e vendosi librin në tryezë. “A ju duk disi e trishtuar znj. Frenklin juve?”
Kristina ngriti supet. “Mbase ishte thjesht e zënë me punë.”
“Ndoshta.” Ari u ul dhe nxori një copë letër. Ajo e palosi atë me kujdes, duke e përforcuar palosjen me gishtin e madh të dorës.
“Çfarë do të bëjmë sot?” – pyeti Ela.
“Si thoni, të bëjmë libërshenjues?” – tha Ari. “Janë shumë të lehtë për t’u bërë. Jua tregoj unë.”
Ari kishte mësuar si të bënte origami. Ishte një lloj arti nga Japonia, që bëhej nga palosja e letrave në forma të ndryshme. Ari dinte si të bënte gjithfarë formash dhe ua mësonte shoqeve atë që mësonte vetë.
Ari u tregoi Kristinës dhe Elës se si ta bënin çdo palosje. Shpejt të trija u pajisën me një libërshenjues të vogël katror.
“Futet në cep, kështu.” Ari e hapi librin dhe e rrëshqiti libërshenjuesin në cep të një faqeje.
“Sa bukur!” Kristina kapi një letër tjetër. “Dua ta provoj vetë.”
Ndërkohë që punonin, ato biseduan rreth librave që kishin lexuar dhe atyre që donin të lexonin në vijim. Ari e hodhi vështrimin sërish te znj. Frenklin. Ajo ende dukej paksa e trishtuar.
Shpejt znj. Frenklin ndaloi te tryeza e tyre.
“Tjeta, vajza!” Ajo vendosi një libër mbi tryezë. Ishte libri i rojtarit të dragoit. “Kjo është për ty, Ari. E di që ke pritur ta lexosh.”
“Faleminderit!” Ari e mori librin në duar.
Znj. Frenklin psherëtiu. “Dikush më vodhi gjërat nga makina ime sot. Më morën gjithë librat dhe muzikën time.”
“Kjo është e tmerrshme!”, – tha Kristina.
Znj. Frenklin u buzëqeshi trishtueshëm. “Epo, janë veç sende. Sendet mund të zëvendësohen. Jam e kënaqur që askush nuk u lëndua.”
Ari e vëzhgoi znj. Frenklin të largohej.
“Sikur të bënim diçka për ta ndihmuar”, – tha Ela.
Ari vështroi poshtë te libërshenjuesi prej origami që kishte në duar. “Ndoshta mundemi!”
“Çfarë për shembull?”, – pyeti Kristina.
Ari vuri buzën në gaz. “Ejani në shtëpinë time pas shkollës. Kam një ide.”
Të nesërmen, Ari, Kristina dhe Ela shkuan në bibliotekë gjatë pushimit, siç bënin gjithnjë. Por këtë herë, nuk morën me vete vetëm libra. Ato kishin diçka të veçantë për znj. Frenklin.
“Ne i bëmë këto për ju!” Ari i dha znj. Frenklin një qese. “E di se nuk mund t’i zëvendësojmë të gjitha gjërat që jua vodhën, por menduam që këto mund t’jua ngrenë moralin.”
Znj. Frenklin vështroi brenda qeses. Ajo ishte plot me origami, librashenjues, peshq, zemra, flutura. Ajo u buzëqeshi fort.
“Kjo është e mahnitshme! Ju falënderoj shumë.” Ajo nxori një nga origamit nga qesja. Ajo ishte e palosur në formën e një libri të vockël. “Do ta përdor këtë ditar në miniaturë për të shkruar të gjitha mendimet e mia të vogla e të lumtura!”
Ari ia ktheu buzëqeshjen. Ajo mund të bënte gjithmonë diçka të këndshme për të tjerët, një palosje letre një e nga një.